Paloka: Sundimi i Ramës me krimin do të bjerë

Kryetari i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka paralajmëroi dje se pushteti i inkriminuar me në krye Edi Ramën do të rrëzohet. Përmes një deklarate për mediat, Paloka theksoi se Rama sfidoi ndërkombëtarët dhe gjithë qytetarët shqiptarë duke e shndërruarr Rroshin në modelin e tij të qeverisjes dhe pushtetit. “Nuk është Elvis Rroshi problemi më i madh, për të nuk ia vlen të harxhosh dy minuta kohë. Problemi është Edi Rama, që mori një të dënuar, një trafikant droge, një shef bande, ua nxori socialistëve si modelin e tij, e vuri të marrë vota me forcë e t’i blejë ato, duke ia paraqitur Kavajës dhe mbarë shoqërisë si model suksesi që duhej ndjekur. Një vit më parë, përpara se ta rikandidonte, Edi Rama është lajmëruar nga faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, se Elvis Rroshi është i dënuar për drogë në Zvicër. Dhe i është kërkuar Edi Ramës të mos e rikandidonte, të mos poshtëronte popullin e tij. Por Edi Rama vazhdoi, e konfirmoi se zgjedhja e tij është Rroshi, se modeli i tij është Rroshi. Pse e kandidoi Edi Rama, Rroshin, edhe pse u njoftua nga ndërkombëtarët për dënimin e tij në Zvicër, edhe pse iu kërkua të mos poshtëronte popullin e tij? Sepse ai nuk do të qeverisë, por të sundojë. Të sundojë me forcë, me dhunë, me terror. Siç po sundon. Për këtë i duhen trafikantët, tutorët, vrasësit” tha Paloka.
Kreu i grupit parlamentar demokrat bëri të ditur se mbrojtja e Ramës ndaj Rroshit është dëshmi e faktit se Rama nuk mund të qeverisë dot pa krimin.
“Ndaj çoi edhe në krye të partisë në Kavajë, një të dënuar për drogë, si Gentjan Daja në Itali e në Gjermani. Një ushtar i Rroshit ky. Pra, e gjithë banda në pushtet. Siç po bën me të gjitha degët e partisë së tij. Ky rast është shëmbëlltyra tipike që nxjerr përmasat e plota të inkriminimit që Edi Rama i ka bërë pushtetit kudo, në çdo qytet e në çdo bashki. Edhe kur u mësua se Rroshi ishte dënuar në Itali për përdhunim në grup, Edi Rama sërish e mbrojti.
Jo vetëm shkruante rregullisht statuset e tij në Facebook, por me firmën e vet bëri dhe një vajtim të gjatë, e mbrojti edhe nga foltorja e Partisë Socialiste, nxori dhe tre deputetë ekraneve për të bërë avokati për Rroshin. Organizoi edhe një demonstratë me punonjës bashkie e urdhëroi socialistë, burra e gra e nëna të dalin të mbrojnë të dënuarin për përdhunim. Ky është pra, modeli dhe standardi i Edi Ramës” tha kreu i grupit të deputetëve demokratë.
Paloka theksoi se Ramës, ashtu siç edhe e ka faktuar, i duhen persona të inkriminuar  për të mbajtur pushtetin ndërsa deklaroi se ligji për dekriminalizimin do sjellë dhe fundin e pushtetit të inkriminuar të Ramës.
“Sepse ai nuk qeveris dot me qytetarët e për qytetarët. Ai kërkon të sundojë dhe për këtë i duhet Rroshi, Bushi, Shullazi, Habili, Balili, Prenga, Ndoka, Cubi, Frroku. Për të sunduar i duhen tutorë, banditë, trafikantë e vrasës. Por dekriminalizimi do të bëhet dhe sundimi i Ramës me krimin do të bjerë” tha Paloka.

Artikulli paraprakNë formularin e dekriminalizimit deklarohen krimet jo meritat apo aktet e trimërisë
Artikulli tjetërBizneset amerikane, breshër ndaj qeverisë