Për herë të parë pas protestës në Rrugën e Kombit që përfundoi me djegien sporteleve të pagesës, Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka shkuar në Kukës për të informuar fillimisht bizneset mbi taksat që kanë shkaktuar aq shumë reagime këto kohë.
Mediat nuk u pranuan në takim, por pas tij Ministri Ahmetaj theksoi angazhimin e qeverisë në negociata me kompaninë koncensionare për tu ofruar banorëve të qarkut të Kukësit një paketë lehtësuese shumë racionale, siç u shpreh ai.
Ahmetaj: Folëm për tarifën e rrugës, në emër të Kryeministrit i kam premtuar që do të jetë një konsiderim shumë i mirë dhe shumë racional për qytetarët e qytetit të Kukësit dhe gjithë zonës.
Ndërsa përfaqësuesit e sipërmarrjes në qarkun e Kukësit, Ahmetaj tha se i sqaroi me skemën e re të TVSH-së dhe vendimet lehtësuese për 64 bizneset e vogla që përfshihen.
Ahmetaj: I sqarova qytetarët dhe sipërmarrjen që është një procedurë e thjeshtë, nuk ka një ngarkesë të re fiskale. Nuk ka gjoba për një deklarim të gabuar.
Ministri thotë se diskutoi me sipërmarrësit dhe qytetarët projektet për aeroportin e Kukësit dhe stadiumin e ri të qytetit.
Por në këtë pikë, një i pranishëm, ndërhyri duke thënë se populli nuk ka bukë për të ngrënë.
Ahmetaj: I njoha me investimin për hapjen e aeroportit të Kukësit që në këndvështrimin tim do të jetë një ndryshim shumë i madh ekonomik-social, për stadiumin e ri…
Ndërhyn qytetari: Nuk na duhet stadiumi, populli nuk ka bukë me hëngër.
Ahmetaj: ..për stadiumin e ri që do të bëhet në bashkëpunim me FSHF-në.
Ky është takimi i parë i drejtëpërtdrejtë qeverisë me banorët pas protestës që zhvilluan banorët e Kukësit kundër taksës në Rrugën e Kombit. Ditë më parë kryeministri Rama zhvilloi një videokonferencë me biznesmenë dhe këshilltarë të qarkut.