Atentati ndaj “të fortit” të Fierit, si i shpëtuan plumbave fëmijët

Një ditë pas sulmit me breshëri kallashnikovi ndaj lokalit të të “fortit” të Fierit, Agimi Boriçi, zbardhen detaje të reja në lidhje me këtë ngjarje të rëndë që tronditi banorët e zonës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku dje bënë me dije se atentati, i cili kishte në shënjestër 47-vjeçarin ishte një mesazh i fortë ose paralajmërim për këtë të fundit. ”
“Autorët që qëlluan me armë zjarri nga një automjet tip ‘Reno’ ndaj lokalit të Agim Boriçit në lagjen ‘8 Shkurti’ nuk kanë pasur si qëllim të vrisnin, por thjesht e kanë paralajmëruar atë. Dyshohet se ngjarja mund të ketë marrë shkas për konflikte të kohëve të fundit. Ndërkohë, po hetojmë dhe në pista të tjera për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thanë burimet policore.
Po sipas këtyre burimeve, në momentin që është qëlluar me breshëri kallashnikovi, në lokal ndodhej Agim Boriçi dhe vëllai i tij.
Mësohet se pas atentatit dhe gjetjes së makinës së djegur të autorëve në lagjen “15 Tetori” të qytetit të Fierit, blutë kanë shoqëruar dhe marrë në pyetje disa persona.
Bëhet fjalë për dëshmitarë okularë, të cilët kanë qenë të pranishëm në lokal në momentin që është qëlluar me breshëri automatiku si dhe pjesëtarë të familjes Boriçi. Pavarësisht hetimeve të kryera nga grupi hetimor, ende nuk është bërë e mundur identifikimi dhe vënia në pranga e agresorëve.

Nga ana tjetër, banorë të lagjes “8 Shkurti” thanë se ishte fat i madh që nuk pati viktima, por vetëm dëme materiale. “Personat që qëlluan në drejtim të lokalit kanë rrezikuar jetë njerëzish. Afër lokalit gjenden dy shkolla dhe nga plumbat mund të vriteshin edhe fëmijë. Jemi terrorizuar nga ajo që ndodhi”, u shprehën banorët.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:50 të së mërkurës. Lokali i të “fortit” të Fierit u qëllua me breshëri plumbash nga një automjet tip “Reno” me targa greke YNK 1329. Dyshohet se autorët e sulmit kanë qenë dy persona, të cilët më pas u larguan me shpejtësi në drejtim të Semanit dhe vetëm pak minuta më pas ata i vunë zjarrin makinës pranë stacionit të trenit.
20 plumba automatiku u derdhën mbi fasadën e barit, por për fat nuk pati të lënduar.
Autorët u larguan me shpejtësi dhe braktisën mjetin në periferi të qytetit. Policia nuk ka zbardhur ende shkakun e ngjarjes, edhe pasi Boriqët u morën në pyetje. Ata kanë thënë se nuk kanë probleme me njeri dhe nuk dyshojnë tek askush.
Një burim i policisë i tha ABC Neës kjo dëshmia e tyre mund të jetë shmangie ndaj së vërtetës. Megjithatë ende nuk janë gjetur gjurmët e autorëve të ngjarjes.
Makina e cila u la afër stacionit të trenit u shkrumbua dhe policia gjeti në brendësi të saj edhe armën e krimit dhe një karikator.

Artikulli paraprakKorridori shiit drejt Mesdheut, si po e zgjeron Irani influencën
Artikulli tjetërKonflikti Kosovë-Serbi, katër skenarë të mundshëm