Gati një dekadë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shtatë vite pas fillimit të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe pesë vjet nga marrëveshja e Brukselit që synonte hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, konflikti mbetet ende i ngrirë. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, megjithëse një shumicë e vendeve të OKB-së e kanë njohur shtetin e ri, Rusia që qëndron në krah të Serbisë çdo kohë mund të bllokojë me veto në Këshillin e Sigurimit, anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Katër skenarë – Si do të jenë zhvilime deri në vitin 2035?
Dialogu i filluar në Bruksel ka eliminuar disa probleme që rëndonin jetën e përditshme të njerëzve dhe i ka shpërbërë në një masë të caktuar strukturat serbe në veri të Kosovës si gjykatat dhe policinë. Por pengesa kryesore mbetet diferenca e pakapërcyeshme për statusin e territorit me 2 milionë banorë, më së shumti shqiptarë. Faktori ndërkombëtar ka rritur presionin ndaj Prishtinës dhe Beogradit për të përcaktuar marrëdhëniet e tyre në një marrëveshje të gjerë të normalizimit.
Grupe përfaqësuese nga shoqëria civile, institute dhe bota akademike si nga Kosova, Serbia bashkë me ekspertë të BE janë mbledhur nga fondacioni gjerman, Friedrich Ebert-Stiftung për të skicuar katër skenarë të mundshëm të zhvillimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë deri në vitin 2035. Ata do të prezantohen të premten (13.04) në Beograd, por Deutsche Welle sjell ekskluzivisht disa pjesë të këtij dokumenti.
Rruga më e shpejtë drejt progresit
“Skenari më i mirë do të ishte ai që zgjidh përfundimisht grindjen për statusin”, thotë njëri nga pjesëmarrësit në këtë projekt të fondacionit gjerman, Shpëtim Gashi nga Instituti “Council for Inclusive Governance”. Skenari i “dallgës së gjelbër” nënkupton arritjen e një marrëveshje të gjerë normalizimi mes Serbisë dhe Kosovës në vitin 2019. Kështu Serbia bëhet anëtare e BE në vitin 2025, Kosova merr liberalizimin e vizave në vitin 2019, bëhet anëtare e të gjitha organizatave ndërkombëtare dhe pret t’i bashkohet BE në vitin 2037, dhe Serbia e mbështet anëtarësimin e saj.
Sipas këtij skenari si Kosova edhe Serbia kanë përmirësime ekonomike. “Por për të arritur deri këtu, Kosova dhe Serbia duhet të marrin disa vendime kyçe. Beogradi duhet të heqë dorë nga pretendimi territorial mbi Kosovën, dhe Kosova të themelojë Asociacionin e Komunave Serbe me disa fuqi ekzekutive. Një paketë impulsesh financiare dhe politike janë të nevojshme për të inkurajuar këtë proces”, thotë eksperti Shpëtim Gashi për Deutsche Wellen.
Sipas Gashit, më i mundshëm është një kombinim i skenarëve të dytë dhe të tretë. Këta skenarë nënkuptojnë nënshkrime marrëveshjesh, por që nuk implementohen. Në marrëveshje njihet nga Beogradi autoriteti i Prishtinës në të gjithë territorin e Kosovës, por pa njohje të plotë diplomatike të Kosovës. Në të njëjtën kohë, Beogradi vazhdon të lobojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë.
Ish-armiqtë në pushtet
Arsyeja, se pse ky kombinim mund të jetë edhe skenari më i mundshëm është sepse lidershipi si në Kosovë edhe në Serbi nuk ka vullnetin të heqë dorë nga retorika populiste. Aktualisht të dyja vendet drejtohen nga armiqtë e dikurshëm. Alekasander Vuçiç ka qenë ministër i Informacionit në kohën e luftës së Kosovës, ndërsa presidenti Hashim Thaçi ishte një nga drejtuesit e UÇK-së.
“Vuçiç dhe Thaçi janë përpjekur shumë të prezantojnë veten si paqebërës, që në të vërtetë nuk janë. Ata më shumë janë përpjekur që ne t’u besojmë. Por ata janë produkt i konfliktit dhe mbeten në pushtet për shkak të konfliktit. Ata krijojnë një konflikt në mëngjes që të mund ta zgjidhin atë pasdite”, thotë eksperti Shpëtim Gashi. Sipas tij, kërkohen hapa të guximshëm për të zgjidhur konfliktin, por mungon lidershipi për këtë. Lidershipi ynë nuk ka integritet, ka një të kaluar të përzier dhe nuk është i gatshëm për të lënë pas një trashëgimi të vjetër, thotë Gashi për DW.
Bast për dështimin
Me politikanë të tillë mund të vësh bast për dështimin, kritikon Gashi. Rezultati i dështimit do të bëjë që, megjithë disa përpjekje, ekonomitë e dy vendeve të përkeqësohen. “Konflikti është një faktor jo i vogël që kontribuon në problemet ekonomike, por kam frikë se si Kosova edhe Serbia kanë shkuar shumë larg për t’u kthyer pas. Kosova gjithnjë e më shumë po bëhet një shoqëri konsumi, që importon 90% të të ardhurave, dhe eksporton vetëm 10%, ndërsa Serbia me më pak se 2% rritje ekonomike renditet në 10 vendet me ekonominë globale më të dobët”, thotë Shpëtim Gashi.
Në këtë analizë të ekspertëve e instituteve të studimit, skenari më i keq do të ishte shpërbërja e BE-dhe kalimi i tij në një aleancë të lirshme ekonomike, duke bërë që të ngrijë procesi i zgjerimit me vende të Ballkanit Perëndimor. Në këtë rast BE humb levën ndikuese në Prishtinë dhe Beograd. Me humbjen e perspektivë së anëtarësimit, si Prishtina dhe Beogradi humbasin interesin për negociiim dhe vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën. Në rast të tillë nuk ka më një oponencë të fortë ndaj ligjërimit nacionalist, kjo do të çonte në rritjen e tensioneve në shumë zona ku banojnë serbë në Kosovë, sidomos në veriun e saj, theksohet në skenarin më të keq për zhvillimet deri në vitin 2035. Me tensione të larta e zëra të dobët që kërkojnë një zgjidhje “një luftë e re do të ishte vetëm një shkëndijë larg”.