Avokati referon se, sipas familjeve në nevojë, problemet fillojnë që nga përjashtimi në mënyrë të padrejtë nga ndihma ekonomike deri tek ulja e shumës së parave në shifra qesharake. Për familjet, me të ardhura minimale për jetën, ndihma ekonomike është i vetmi burim financiar për të përballuar shpenzimet e jetesës.
Ajo që përbën një problem kryesor dhe lehtësisht të evidentueshëm, sipas Avokatit është se: masa e ndihmës ekonomike është shumë e ulët dhe thuajse e papërfillshme në raport me shpenzimet mujore më të domosdoshme që i duhen familjes, ose një individi të vetëm për të mbijetuar, e jo më pastaj për të konsideruar për dinjitet dhe integrim në shoqëri.
E pajustifikueshme për ekzistencën e kësaj gjendje është mospërcaktimi i një minimumi jetik dinjitoz, qoftë edhe brenda mundësive të burimeve të shtetit shqiptar, i cili, pa dyshim, do të plotësonte më mirë nevojat e çdo qytetari në nevojë..
Disa nga problematikat e konstatuara nga shqyrtimi i ankesave për ndihmën ekonomike janë:
1-Mosinformimi i mjaftueshëm dhe në kohë i qytetarëve për kriteret, procedurat dhe plotësimin e dokumentacionit të përfitimit të ndihmës ekonomike.
2- Masa e ulët e shumës së përfituar nga përfituesit në përgjithësi, dhe jetimët dhe viktimat e trafikimit në veçanti.
3-Mungesa e burimeve njerëzore për të verifikuar fizikisht banesat dhe kushtet e jetesës të përfituesve një herë apo dy herë në vit, siç parashikohet në ligj.
4- Mungesa e parashikimit të fondeve të organeve të qeverisjes vendore, të destinuara për përfituesit e ndihmës ekonomike në masën 3%, siç parashikohet në ligj.
5-Mungesa e shumë shërbimeve shoqërore, të cilat do të rrisnin cilësinë e jetës të qytetarëve përfitues të ndihmës ekonomike dhe familjeve të tyre.
6-Mosofrimi pranë vendbanimit të tyre i kurseve të formimit profesional dhe përmirësimi i cilësisë së tyre.
7-Përjashtimi nga ndihma ekonomike e personave me aftësi të kufizuara në pjesën që i takon atyre, kur familja është në kushtet e përfitimit të ndihmës ekonomike.
8- Mosaplikimi i programeve sociale, ku përfituesit e ndihmës ekonomike të përfshihen duke dhënë kontribut me punën e tyre dhe kjo të influencojë në rritjen e të ardhurave të familjeve të tyre.
Avokati vë në dukje se shtrirja e zbatimit të regjistrit elektronik të ndihmës ekonomike në të gjithë vendin do të shkaktojë problematika të cilat u vunë re gjatë pilotimit të tij në 3 qarqet e vendit, Tiranë, Elbasan dhe Durrës, ku zbatimi i tij filloi në muajin qershor 2014. Duke qenë se programi i ndihmës ekonomike ka si qëllim mbrojtjen e personave në nevojë, të cilët nuk janë në gjendje të sigurojnë një standard të përshtatshëm jetese për veten dhe familjen e tyre, shteti shqiptar duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për arritjen e objektivave sociale të parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.