Komiteti i Helsinkit: Veliaj injoroi qytetarët për çmimin e ujit

Çështja e ngritur nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit lidhur me mënyrën sesi u bë rritja e çmimit të ujit në Tiranë, ka përfunduar në Gjykatën Administrative të Apelit. Ditët e fundit pranë kësaj gjykate është regjistruar padia që Komiteti ka bërë ndaj Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të Drejtën e Informimit.
Por çfarë thuhet në fakt në objektin e padisë dhe cila është zanafilla e saj? Komiteti Shqiptar i Helsinkit pretendon se propozimi për rritjen e çmimit të ujit është bërë duke mos kaluar në hallkën e konsultimit të gjerë publik sikurse e kërkon kuadri ligjor dhe për këtë i ka kërkuar Komisionerit që të shprehet. Ky i fundit ka deklaruar se nuk është në kompetencat e tij.
“Detyrimin e palës së paditur, Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të ndryshojë Vendimin nr. 93 dt. 11.10.20 7, mbi deklarimin e moskompetences lidhur me Ankesën nr. 1103 Prot., dt. 11.08.2017, te Komitetit Shqiptar te Helsinkit kundër organit publik, Bashkisë Tiranë me objekt “Ankim lidhur me cenimin e se drejtës për njoftimin dhe konsultimin publik për propozimin për rritjen e çmimit te ujit dhe miratimin e tij nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe propozimin organit publik përgjegjës, Bashkisë Tiranë, të marrë masat administrative ndaj personit/personave përgjegjës, sipas legjislacionit për shërbimin civil në fuqi, për shkak se Vendimi për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm nuk është njoftuar dhe konsultuar sipas ligjit” thuhet në objektin e padisë.
Palë të treta në çështje janë Enti Rregullator i Ujit, Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe Avokatura e Shtetit.
Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë miratoi tarifat e reja për Bashkinë e Tiranës, vetëm pak muaj më parë sipas të cilave çmimi i ujit për konsumatorët u rrit 44 %. Sipas tabelave të vendimit, familjarët që jetojnë në Tiranë nga 1 janari 2018 paguajnë 65 lekë/m3 nga 45 lekë/m3 që ishte më herët, institucionet publike paguajnë 140 lekë/m3, ndërsa ato private 155 lekë/m3.
ERRU ka paralajmëruar se ka ende hapësirë për rritje të tarifave të ujit duke vënë theksin tek nevoja për investime në rrjet. Për këtë ky ent ka vendosur të rishikojë metodologjinë e përllogaritjes së tarifave duke e përafruar atë me kostot.

Artikulli paraprakAvokati i Popullit: Të varfrit janë përjashtuar nga ndihma ekonomike
Artikulli tjetërGazetarja e FT-Mogherinit: Si do ta bindni Francën dhe Gjermaninë për Shqipërinë?