Dhjetëra qytetarë e kanë pritur me disa pankarta përfaqësuesen e lartë të BE-së, Frederika Mogherini, teksa ishte duke mbërritur në kryeministri.
Në pankarta qytetarët i kishin kujtuar asaj faktin se në BE njihet forca e ligjit, ndërsa në vendin tonë njihet forca policore, që arrestoi me dhunë 11 kuksianët që protestuan për të drejtat e tyre.
Në disa nga pankartat thuhej se nëse Europa po bëhet gati që ti hapë dyert Shqipërisë, qeveria shqiptare po ndan kuksianët nga vendi i tyre. Po ashtu ata i bëjnë thirrje Mogherinit që të mos iu besoj politikanëve shqiptarë.
Përfaqësuesja e lartë e BE-sqë e nisi ditën me një takim me presidentin e vendit Ilir Meta, ndërsa pas pak minutash do të nisë një konferencë me kryeministrin Rama, ku do t’i përgjigjet dhe interesimit të gazetarëve.
Gjatë rrugës Mogherini është shoqëruar nga ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.
Dy diplomatet e huaja zgjodhën ta bëjnë rrugën me këmbë, duke respektuar dhe rregullat e qarkullimit në Shqipëri.
Ato pritën semaforin, ndërkohë që një gazetar u afrua pranë Mogherinit ishte truproja që nuk e ka lejuar duke hedhur tej mikrofonin. Kjo protestë nuk i ka bërë përshtypje Mogherinit, e cila ka vazhduar rrugën drejt zyrës së Kryeministrit Edi Rama.
Mogherini: Përmbushni pesë përparësitë kryesore
Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e BE për Politikën e Jashtme, e pyetur gjatë konferencës së shtypit me kryeministrin Rama, nëse ka shanse që Këshilli Europian të hapë negociatat për Shqipërinë në qershor, theksoi se shqiptarët nuk duhet të harrojnë se duhet të përmbushin “pesë përparësitë kryesore të njohura, të cilat do të mbeten elementet kyçe mbi të cilët do të gjykohet”.
Kryeministri Rama duket se vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim në lidhje me ish-ministrin e tij të Brendshëm, Saimir Tahiri. Rama është pyetur nga gazetarët në konferencën me Mogherinin në lidhje me Tahirin.
Kryeministri këtë herë gjeti shpëtim tek Komisioni i Venecias. Sipas tij, qeveria dhe mazhoranca kanë zbatuar ‘pikë për pikë rekomandimet e Komisionit të Venecias’.
“Është shumë e rëndësishme të shpjegojmë se në rastin e Saimir Tahirit kuvendi dhe shumica qeverisës ka zbatuar në frymë dhe germe gjithçka që Komisioni i Venecias ka nënvizuar gjithashtu një komision në Kuvend thirret për të trajtuar gjendjen e arrestit apo masave të parashikuara për një deputet.
Unë e kam thënë dhe po presim që prokuroria të kthehet me të paktën një provë. Jo dhjeëtë. Një të vetme. Dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda është shumë larg të qenit një trupë e influencueshme përsa i përket anës së shumicës ndërsa teorikisht mund të pranojmë spekulime për mundësinë e influences”, tha Rama.