Eriksson: Anglia mund të fitojë Euro 2016

Falë asaj përmbysjeje të çmendur nga 2-0 në 2-3 që realizoi ndaj Gjermanisë kampione të Botës në Berlin, Anglia e Roy Hodgson tregoi se është një skuadër me potencial të madh dhe një rival i frikshëm për të gjitha kombëtaret që marrin pjesë në Euro 2016. Pasi zhvilloi një fazë eliminatore fantastike me 10 fitore në 10 ndeshje përfaqësuesja e Tre Luanëve vijoi ecurinë pozitive dhe me golin e Kane, perlën së Vardy-it dhe finalizimin e Dier, arriti të merrte një fitore të madhe përballë Die Manschaft. Anglia nuk e ka fituar asnjëherë në të shkuarën kampionatin Europian, dhe ndoshta ka ardhur momenti që ta bëjë diçka të tillë në Francë, të paktën kështu mendon ish-trajneri i kombëtares së tre luanëve suedezi, Sven Goran Eriksson aktualisht në drejtimin e klubit kinez, Shanghai Sipg.
“Presioni në kombëtaren angleze përpara evenimenteve të mëdha siç janë Kupa e Botës dhe Kampionati Europian ka qenë gjithmonë shumë i madh. Në periudhën që unë isha trajner i përfaqësues së “Tre Luanëve”, ky presion nuk na ka lejuar të shfaqim më të mirën tonë në fushë. Gjithsesi mendoj se gjatë 2 viteve të fundit situata ka ndryshuar, pasi tashmë Anglia përbëhet nga shumë djem të rinj në moshë, dhe mbi ta nuk është ushtruar asnjë lloj presioni. Ata zhvilluan një fazë kualifikuese të mrekullueshme dhe unë mendoj se, kjo Angli i ka të gjitha mundësitë për të triumfuar në Euro 2016″.
Sven Goran Eriksson ka qenë në drejtimin e Anglisë nga viti 2001 deri në 2006-ën, duke mos mundur t’i kualifikojë “Tre Luanët”, përtej fazës çerekfinale në një kompeticion të madh, pasi në Botërorët e viteve 2002 dhe 2006 Anglia u eliminua në këtë ruand respektivisht nga Brazili dhe Portugalia, me përfaqësuesen luzitane që e nxori jashtë edhe nga Euro 2004 sërish në çerekfinale.
Rumania kundërshtare e Shqipërisë në finalet e Euro 2016, barazoi pa gola me Spanjën, në miqësoren e luajtur në Cluj. Rivalët e kuqezinjve në Grupin A të evenimentit në Francë befasuan prej fillimit të sfidës, ku në fanella kishin zëvendësuar numrat me probleme matematikore. E, në fakt, përballja e kampionëve të Europës në fuqi me ekipin e Anghel Iordanescu-t ishte një ekuacion i vështirë për t’u zgjidhur, me Furinë e Kuqe, që u kënaq me barazimin e dytë në ndeshjet testuese, pas atij me Italinë.
Rumania tregoi si zakonisht se ka mbrojtje hermetike dhe lojë të organizuar deri në detaje. Për ta rritur ecurinë rekord në 17 ndeshjeve pa humbje, Rumania u ndihmua edhe nga fati, si në tentativën e sulmuesit të Juventusit, Morata. Në një ndeshje ku të dyja skuadrat vuajtën të krijonin shanse të mira për shënim, Rumania u ndihmua edhe nga gjyqtari që nuk akordoi dy penallti, fillimisht pas inkursionit të Morata-s, ndërsa në sekondat e fundit të sfidës i mohoi një 11-metërsh të pastër të shkaktuar ndaj Fabregas.

Artikulli paraprakIslami tjetër i Kazakistanit
Artikulli tjetërSnajperistë përreth stadiumit gjatë ndeshjes Francë-Rusi