Rreth 1% e popullsisë së botës ka sëmundjen mendore të quajtur çrregullimi bipolar, që karakterizohet nga zhvendosja ndërmjet një gjendjeje të mirë shpirtërore dhe depresionit. Në shumicën e rasteve, ndërhyrja në kohën e duhur nga psikoterapistët, familjarët dhe miqtë mund t’i lehtësojë simptomat. Shkencëtarët në Danimarkë thonë se teknologjia moderne mund të ndihmojë duke gjurmuar simptomat e pacientit dhe duke lajmëruar për ndihmë në kohën e duhur.
Shfaqjet e çrregullimit bipolar variojnë nga më të lehtat dhe deri tek më të rëndat. Pacientët mund të përjetojnë periudha ekzaltimi dhe depresioni, secila prej tyre me simptomat e saj.
Gjatë periudhave energjike, pacientët janë jashtëzakonisht aktivë, flenë më pak gjumë dhe ndonjëherë marrin vendime të rrezikshme. Ndërsa gjendja depresive i bën të qajnë, të qëndrojnë tepër gjatë në krevat, dhe ndonjëherë të mendojnë për vetëvrasjen.
Në ato momente, pacientët kanë nevojë që dikush t’u telefonojë.
“Kur je në depresion është e vështirë t’u thuash njerëzve se do ndihmë”, thotë Peter Hegeland, pacient bipolar.
Kompania daneze Monsenso krijoi një aplikacion celulari që mund të analizojë gjendjen shpirtërore dhe sjelljen, si dhe mund të lajmërojë terapistët dhe anëtarët e familjes.
Mads Trier-Blom, një nga pacientët bipolarë që po teston aplikacionin, thotë se ndërsa ndjehej i tensionuar, një terapist që monitoronte gjendjen nga larg, telefonoi menjëherë për t’u interesuar.
“Parametrat matëse i merr doktorja, e cila më telefonon nëse shikon diçka shqetësuese”, thotë zoti Blom.
Krahas regjistrimit të sjelljes së pacientit dhe ndërveprimit me të tjerët, aplikacioni kërkon edhe vetëvlerësimin e pacientit. Të gjitha të dhënat krahasohen me dosjen e pacientit në klinikë.
Psikiatri suedez Kristoffer Sodersten po e përdor aplikacionin me pacientët e tij.
“Këto lloj të dhënash, të kombinuara me vetëvlerësimin, mund të tregojnë nëse ka përputhje apo jo”, thotë zoti Sodersten.
Pacientët bipolarë që testuan aplikacionin thonë se regjistrimi i hershëm i ndryshimeve në gjendjen e tyre shpirtërore, po i ndihmon të mësojnë si të përballen me simptomat kur ato shfaqen.