Qytetarëve të mashtruar nga kompania GULF me tollonat e karburanteve nuk kanë dëgjuar asnjë reagim nga qeveria këto ditë. Qoftë për t’i dalë në mbrojtje atyre si konsumatorë, si taksapagues, apo si viktima të një mashtrimi, qoftë për t’i sqaruar se çfarë do të bëhet me paratë që tashmë ia kanë paguar kompanisë. Nuk ka një reagim zyrtar se pse falimentoi GULF, sa para i detyrohet qytetarëve të mashtruar, sa para i detyrohet tatimeve etj.
Për të kuptuar më mirë heshtjen, ia vlen t’i rikthehesh ceremonisë së inaugurimit të investimit të GULF në Shqipëri në qershor të 2014, kur aty janë të ftuar Damian Gjiknuri, Ilir Meta, Blendi Klosi, Vangjush Dako, Beso Sulaj etj.
Në ceremoni ka mbajtur edhe një fjalë Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri që e quan kompaninë një investitor serioz dhe që del garant për rregullat për tregëti dhe konkurencë të ndershme dhe standarte të larta.
Pyetja që shtrohet është se cilat janë lidhjet me këtë kompani të Besnik Sulaj njeriu i afërt i Ramës? Kompania shiste në treg naftën e ARM_-së ndërkohë që dihet se ARMO ju dha Besnik Sulajt direkt nga Rama. Ishte po kjo ARMO me Besnik Sulajn që krijuan 75 milionë euro detyrime të papaguara ndaj shtetit dhe duke lënë një gropë të madhe detyrimesh edhe me punëtorët që kishin muaj pa u paguar. Falimentimi i ARMO-s që tregtonte karburantet jashtë standardit për qytetarët shqiptarë përmes “Gulf” ka sjellë edhe falimentimin e bijës së saj që tregtonte karburantet me pakivë në shumë pika në të gjithë Shqipërinë.
Shpallet në kërkim administratori
Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimet për menaxherët shqiptarë të kompanisë “Gulf”, duke shpallur në kërkim policor menaxherin kryesor, Albano Alikon. Prokuroria e Tiranës hetimet për skemat mashtruese të shitjes së tollonave pak ditë para mbylljes së aktivitetit, skemë e cila dyshohet se është krijuar nga Aliko.
Prokuroria dyshon se menaxherët e “Gulf”-it, me vetëdije kanë shitur nëpërmjet tollonave shumë më tepër litra karburant nga sa ka patur në gjendje kompania. Ndonëse karburanti është shitur me vlerë të reduktuar brenda pak ditëve, dyshohet se nga kjo skemë janë mbledhur mbi 1,5 milionë euro.
“Gulf” ju blinte prej disa kohësh furnizuesve të mëdhenj naftë me 1500 lekë litrin dhe shiste tollonë me 1200 deri në 1300 lekë litrin. Kjo vuri në lëvizje furnizuesit, të cilët nisën të kërkonin llogari, ndërkohë që detyrimi që “Gulf” kishte krijuar vetëm ndaj dy kompanive të njohura është 900 mijë dhe 700 mijë, gjithsej 1.6 milionë euro në total. Ndërsa dëmi që i krijoi klientëve, të cilëve u kanë mbetur në dorë tollonë pa vlerë, është 1.5 milionë euro.
Mbi 2 milionë euro është detyrimi që kompania kishte ndaj pikave të shitjes së karburanteve që kishte marrë me qira, të cilat thuhet se prej 4 muajsh nuk paguheshin. Në total, dëmi shkon mbi 5 milionë euro, por këtu nuk llogariten detyrimet tatimore të cilat administrata fiskale nuk i ka bërë të ditura. Për këtë arsye, përveç shpalljes në kërkim policor të menaxherit kryesor të “Gulf”-it në vendin tonë, Albano Aliko, prokuroria i ka kërkuar Tatim-taksave si dhe bankave, që të bllokojnë çdo aset apo llogari që ka lidhje me kompaninë “Gulf”, në mënyrë që të përdoren për të minimizuar sadopak vlerën e dëmit financiar që ka shkaktuar.
Në 9 mars, administratori gjeorgjian i kompanisë Irakli Svanidze dha dorëheqjen për arsye që thuhen se janë personale.