Një gjykatë belge dënoi të hënën me 20 vjet heqje lirie të dyshuarin për sulmet në Paris, Salah Abdeslam dhe një bashkëpunëtor të tij, për tentim vrasjen e policëve gjatë një shkëmbimi të zjarrit në Bruksel në vitin 2016.
Gjyjatësja Marie-France Keutgen, tha se 28 vjeçari Abdeslam dhe tuniziani 24 vjeçar Sofien Ayari, u gjetën fajtorë për “tentim vrasjeje terroriste” gjatë një shkëmbimi të zjarrit në mars të vitit 2016.
Abdeslami është në një burg francez në pritje të gjykimit pë rrolin e tij në sulmet e grupit militant Shteti Islamik në nëntor të vitit 2015 në Paris që lanë pas vetes 130 të vrarë. Prokurorët thonë se ai është sulmuesi i vetëm i mbijetuar.
As ai e as Ayari, që është në burg në Belgjikë, nuk ishin të pranishëm në sallën e gjykatës gjatë shpalljes së vendimit.
Në kohën kur kishte ndodhur shkëmbimi i zjarrit në Bruksel më 15 mars të vitit 2016, Abdeslami po fshihej për katër muaj pasi kishte ikur nga Parisi natën kur i vëllai kishte hedhur vetë në erë në një kafene.
Ai mendohet se luajti një rol qendror logjistik në përgatitjen e sulmeve. Sipas akuzave ai siguroi shtëpi të sigurta për autorët, transportoi përmes Evropës të dyshuar të tjerë dhe çoi me makinë tre autorët e sulmeve vetëvrasëse në stadiumin e futbollit të Parisit, ku ata hodhën veten në erë gjatë një loje mes Francës dhe Gjermanisë.
Sulmi në stadium ishte i pari në një sërë sulmesh në gjithë Parisin në një mbrëmje të ngrohtë nëntori. Terroristët vunë në shënjestër bare, restorante dhe sallën e koncerteve të Bataclanit, para se të hidhnin veten në erë, ose të vriteshin nga policia.
Gjyqi i Brukselit është vetëm njëri prej proceseve që do të mbahen në muajt në vazhdim që ka në qendër sulmet terroriste në gjithë rajonin.