Armenia në protestë kundër kryeministrit

Në Armeni vazhdojnë për të dytën javë protestat kundër ndryshimeve kushtetuese dhe vënies në detyrë si kryeministër Serzh Sargsyan. Kritikët thonë se me ndryshimet e fundit të kushtetutës armene, Sargsyan, i cili më parë ka mbajtur postin e presidentit për dy mandate pesë vjeçare, praktikisht do të bëhet udhëheqës i përjetshëm i vendit.
Policia speciale e Armenisë u përlesh me protestuesit dhe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë një tubim masiv sot në kryeqytein Jerevan.
Shtatëdhjetë njerëz u arrestuan, duke përfshirë dhe udhëheqësin e protestës dhe ligjvënësin opozitar Nikol Pashinian.
Më parë sot, gjatë bisedimeve të transmetuara nga televizioni, kryeministri Serzh Sargsyan doli nga bisedimet me Pashinian, pasi udhëheqësi i protestës këmbënguli për dorëheqjen e kryeministrit. Sargsyan tha se kërkesa ishte shantazh.
Protestat masive kundër qeverisë së re tani kanë hyrë në javën e tyre të dytë në kryeqytet.
Mijëra demonstrues bllokuan rrugët e Jerevanit gjatë një marshimi të shtunën duke kërkuar dorëheqjen e Sargsyan.
Ish-presidenti Serzh Sargsyan u emërua kryeministër këtë javë pasi Armenia ndryshoi sistemin e qeverisjes, ku u zgjeruan kompetencat e kryeministrit duke dobësuar rolin e presidentit.
Kundërshtarët thonë se me këto ndryshime, Sargsyan bëhet në realitet udhëheqës për jetë.
Shërbimi i sigurimit kombëtar tha se dy persona që kishin lidhje me opozitën u arrestuan për planifikimin e sulmeve me bomba në vende publike.
Ndërkohë, policia tha se të paktën 70 demonstrues u arrestuan të shtunën.

Artikulli paraprakI dyshuar për sulmin terrorist në Paris, dënohet me 20 vite burg Salah Abdeslam
Artikulli tjetërTaksë e re mbi të ardhurat për të gjitha profesionet e lira