Ja “receta” si Bayern Munich të neutralizojë Ronaldon

Mbrojtësi qendror i Bayern Munich, Jerome Boateng thotë në një intervistë për revistën “Kicker” se Cristiano Ronaldo është sulmuesi më i kompeltuar i mundshëm. Madje, për yllin portugez të Real Madridit, ai mendon se në aspektin e golashënimit është “si një makinë”: “Asnjë sulmues nuk mund të jetë më i kompletuar se Cristiano. Finalizon djathtas e majtas, shënon me kokën e tij dhe çdo gjë e bën në mënyrë të përkryer. Dhe në aspektin e shënimit është si një makinë”.
Sipas Boateng, Bayern Munich mund ta kushtëzojë e minimizojë efektivitetin e CR7, nëse funksionon si ekip, por është i vetëdijshëm se bashkë me të tijtë nuk mund ta neutralizojnë krejtësisht: “Ju nuk mund ta neutralizoni krejtësisht, sepse gjithmonë arrin të krijojë shanse në një ndeshje, sepse ai ka një ndjenjë të shkëlqyeshme të largimit. Pra, është e rëndësishme që të jemi kompaktë si ekip, për t’i lejuar sa më pak hapësirë që është e mundur një goleadori si ai”.
Boateng është përballur me Cristiano Ronaldon me kombëtaren gjermane, edhe me Bayern Munich. “Kemi përvoja pozitive dhe negative me të. Me kombëtaren, pothuajse gjithmonë kemi arritur ta neutralizojmë, si në fitoren 4-0, në Kupën e Botës 2014. Me Bayern Munich nuk na ka ecur aq mirë. Sidoqoftë, Real Madridi nuk është vetëm Ronaldo. Edhe lojtarët e tjerë janë shumë të mirë”.

Alaba nuk stërvitet
Austriaku David Alaba po vuan nga problemet në kofshë dhe e humbi trajnimin e fundit, sot, me Bayern Munich. Në mëngjes, bavarezët i vendosën pikat mbi “I”, duke qenë gati për gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve, që do ta luajnë nesër mbrëma, në “Allianz Arena”, kundër Real Madridit.
Mbrojtësi i krahut të majtë u lëndua javën e kaluar, në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë kundër Bayer Leverkusen dhe nuk luajti dot të shtunën, ndaj Hannoverit. Nëse edhe nesër nuk do të jetë gati, vendi i tij do të zihet nga braziliani Rafinha.
Grupi i udhëhequr nga Jupp Heynckes e zhvilloi sot në qytetin e sportit “Säbener Strasse” trajnimin e fundit, para përplasjes me Real Madridin. Shtypi mundi të shohë vetëm 15 minutat e para të seancës stërvitore.
Së bashku me Alaba mungonin edhe Manuel Neuer, Arturo Vidal dhe Kingsley Coman, të gjithë të lënduar, ose duke u shëruar nga problemet e tyre fizike. Pritet që Jup Heynckes të startojë me këta 11 lojtarë: Sven Ulreich; Joshua Kimmich, Mats Hummels, Jerome Boateng, Rafinha; Javi Martinez, James Rodriguez, Arjen Robben, Franck Ribery; Thomas Müller dhe Robert Lwandowski.
Pikëpyetja e madhe është nëse Thiago Alcántara do të ketë një vend në mesfushë. Nga ana e vet, Real Madridi do të stërvitet pasdite në “Allianz Arena”, që është edhe vendi i duelit klasik të Europës. Ndeshja e dytë e këtij raundi të Champions-it do të luhet të martën e ardhshme, në “Santiago Bernabeu”.

Artikulli paraprakZbulohet kafka që mund të rishkruajë historinë e njerëzimit
Artikulli tjetërGmail po ndryshon, ja cilat janë karakteristikat e reja