Deputeti socialist Erion Braçe akuzohet se ka goditur me çakmak një arbiter gjatë ndeshjes së futbollit Partizani-Skënderbeu. Të paktën kështu ka deklaruar gazetari i Radio Televizionit Publik Shqiptar, Ervin Baku, i cili ka qenë në ndeshjen e djeshme në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku u luajt ndeshja Partizani-Skënderbeu.
Deputeti socialist i cili ndodhej në tribunën VIP të stadiumit akuohet se lëshoi një çakmak në drejtim të gjyqtarit Andi Koçi, kur ai po futej në dhomat e zhveshjes.
Por për këtë veprim të Braçes ka reaguar edhe shoqata e arbitrave e cila akuzon deputetin Erjon Braçe. Shoqata e Arbitrave thotë se ky është një akt i turpshëm dhe i bën thirrje deputetit Braçe për vetëpërmbajtje.
“Shoqata e Arbitrave dënon një veprim të tillë nga ana e përfaqësuesit të ligjit, në drejtim të arbitrave, dhe njëherësh bën apel për më shumë gjakftohtësi dhe vetëkontroll, jo vetëm në këtë periudhë të mbetur ndeshjesh, por edhe në vijimësi. Ngjarja e fundit ishte e shëmtuar, aq më shumë kur të tilla veprime vijnë nga tribuna VIP. Të tilla situata nuk i përkasin aspak futbollit, dhe për më tepër marrin një simbolikë antisportive kur ideohen dhe kryhen nga një përfaqësues i ligjit”, thuhet në njoftim.