Edhe pse kanë kërkuar që të jenë të pranishëm në mbledhje, artistët e Teatrit Kombëtar janë refuzuar nga ana e Bashkisë.
Pas tensioneve me Polcinë Bashkiake, një pjesë e artistëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, kanë mundur që të hyjnë në mbledhje. Ata kanë mbajtur një pankartë në duar ku shkruhej “Jepni familjet tuaja me PPP”.
“Duam rregulloren, pse po përjashtohemi”, është pyetja e ngritur nga ana e aktorëve.
Pika më e nxehtë e rendit të ditës së sotme është ajo që kërkon që të vendoset për përcaktimin e procedurës për negocimin me zhvilluesit privat për marrveshje të sipërmarrjes/shkëmbimit për pronat e Bashkisë së Tiranës. Kjo sipas këshilltarëve të opozitës bëhet për të përshpejtuar procedurat për tjetërsimin e hapësirave të Teatrit Kombëtar, duke ia kaluar një kompanie private.
Ndërkohë që jashtë sallës zhvillohej një protestë e aktorëve lidhur me fatin e Teatrit Kombëtar, Bashkia e Tiranës kishte vendosur që të mbyllte derën për ta. Edhe pse artistët kishin bërë kërkesë që të ishin prezentë në këtë mbledhje, vetëm 2 prej tyre do të futen në një moment të dytë.
Protesta e organizuar nga një grup artistësh dhe Shoqëria Civile u zhvillua në orën 12:00 kur po zhvillohej mbledhja e Këshillit Bashkiak. Regjisori Kastriot Çipi por edhe aktorët e artistë të tjerë kanë njoftuar se sot në mesditë, Këshilli Bashkiak i Tiranës do të votojë vendimin që i hap rrugë shembjes së Teatrit. Ai bën thirrje për të qenë pranë Bashkisë në shenjë solidariteti.
Këshilltarët e PD-së dhe të LSI-së braktisën mbledhjen, teksa thanë se Erion Veliaj nuk ka votat e mjaftueshme për të kaluar vendimet.
“Opozita në këshill, PD e LSI, vazhdojmë të mbajmë marrëdhënie të kushtëzuar me këshillin bashkiak. Kjo është kushtëzuar nga prania e përhershme e 6 individëve me mandate false. Ata sillen sikur janë këshilltarë dhe votojnë si të tillë. Prania e tyre hedh në erë legjitimitetin e këshillit bashkiak.
Pse duhet prania e tyre? Kjo duhet për të përgatitur akte si ky që janë sjellë sot për vendim. Dy janë absolutisht kriminale: projekti i sponsorizuar nga një mafie e re, ajo e naftës në Tiranë, për të betonizuar Parkun Rinia. Kjo votë kërkon 3/5.
Vendimi i dytë: Prishja e Teatrit Kombëtar. Këto vota ata sot nuk i kanë, asnjë ditë nuk do t’i kenë për sa në këtë këshill do të jetë kjo opozitë. Ne do bëjmë barrikadë për këto dy krime mafioze. Çdo gjë që ndodh në atë sallë është e kompromentuar. Sot grupi që mbështet PS është minorancë”, u shpreh Çollaku pas daljes nga mbledhja e Këshillit.
Edhe këshilltarët e LSI i janë bashkuar demokratëve në bllokimin e projekteve të kullave dhe betonit në Tiranë.
Këshilltari i LSI, Eltiom Halimi, tha pasi dolën nga mbledhja se “LSI eshte kunder prishjes se Teatrit Kombetar dhe rikioskezimit te parkut “Rinia”.
Votat e LSI ne keshillin bashkiak do te jene gjthmone kunder per keto vendime kriminale kunder interesave te artisteve dhe qytetareve te Tiranes.
LSI deklaron se do te votoje cdo vendim per ndihmen ekonomike, por nuk mund te marre pjese ne mbledhje me 6 mandate te pavlefshme.
Do të largohet nga salla dhe do shkoje prane qytetareve dhe artisteve te tubuar perpara bashkise duke qendruar gjthmone ne krah te tyre ne mbrojtje te vlerave kombetare dhe hapsirave publike”.