Një shqiptar i moshës 49 vjeç është arrestuar nga karabinierët në Poggibonsi, ku jetonte prej vitesh, për posedim e shitje lëndësh narkotike. Shqiptari me iniciale B. L., është pronar i një firme ndërtimi në qytetin italian. Ai u ndalua në autostradë gjatë një kontrolli rrugor, teksa kthehej nga puna.
Dyshues për shkak të sjelljes së shqiptarit, karabinierët bënë një kontroll më të hollësishëm dhe si rezultat gjetën disa gramë kokainë të ndarë në doza për shitje dhe një shumë të madhe parash.
Kontrolli i mëpasshëm në banesë solli zbulimin e një sasie tjetër parash, plus 600 gramë marijuanë, 20 gramë kokainë e 50 gramë hashash, shoqëruar me të gjitha mjetet e nevojshme për ta përgatitur për shitje.
Shqiptari, mbi të cilin nuk rëndonte asnjë precedent apo dyshim deri në momentin e arrestimit, tashmë gjendet në burgun e Sienës, në pritje të procesit.
Po ashtu policia italiane ka goditur një bandë kriminale, pjesë e të cilës bënin pjesë edhe shqiptarë. Mësohet se në kuadër të luftës kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike, karabinierët e stacionit Misano Adriatico zhvilluan një operacion i cili në fund të hetimeve arrestoi 3 persona që konsideroheshin maja e një rrjeti të gjerë droge.
Mediat italiane bëjnë me dije se, hetimi filloi në verën e vitit 2017, kur shpërndarësit të gjithë shqiptarë, u zbuluan duke udhëtuar midis Riccione dhe Cattolica për të furnizuar konsumatorët.