Pirro Guremani
Fjala “punë” dhe “profesionist” ka marrë një kuptim të ri në kushtet aktuale në Shqipëri që po përmendet shpesh edhe nga kryeministri i papunësisë. Por më shumë se i papunësisë, do të mbahet mend edhe si kryeministri i talljes me njeriun. Përse e them këtë? E them, sepse në kuptimin e plotë të kësaj fjale ky vend ka investuar shumë profesionistë dhe për fatin e keq ka mbetur në klasë në punësim. Por më shumë se kaq, ata që janë të punësuarit e të ashtuquajturës “Rilindje” nuk kanë as etikë, as moral, as integritet në profesionet e tyre. Dita-ditës këto po provohen dhe po marrin portretin e një administrate të paaftë dhe mediokre që po i sjell një dëm të madh asaj që ky kryeministër e ka cilësuar si “të bëjmë shtet për gjeneratën e re”.
Shpesh e shtroj pyetjen se cila është kjo gjeneratë e re për të cilën punon ky kryeministër dhe qeverisja e tij? Jo vetëm mua si qytetar i respektuar, por kujtdo këto fjalë të këtij farë kryeministri kanë marrë erë dhe qelben dhe tashmë ai i thotë si me tallje, si për të thënë “nëse ju nuk e merrni vesh që unë tallem, aq më bën mua, ju qofshi që jeni injorat”. Gjenerata e re që predikon ky model kryeministri i një gjenerate të vjetër, duket se e ka fjalën për ata njerëz që po shohin me sytë e tyre se të jesh hajdut i çfarëdolloj modeli është “profesion” i nderuar që kërkon kryeministri.
Të jesh drogmen që bën trafik dhe drogohesh edhe vetë, është një profesion që ka para, por jo dinjitet, ka jetë luksoze të atyre që flasin për gjeneratën e re dhe duan shkatërrimin moral dhe kombëtar të saj. Të dish të vrasësh drejtpërdrejt apo të paguash vrasës për të bërë krime, duket se qenka një profesion fitimprurës, pro me rrezikun e një lloj gremine që të hapet para syve në çdo moment. Të jesh tip “Shukri” në profeson me veshje pushteti do të thotë që të ndërtosh një administratë të degjeneruar deri në detaj që po merr përmasa të frikshme në një vend që kryeministri i vendit e ka pasur profesion të dalluar të tijin. Eh, gjenerata e së ardhmes e këtij lloji sipas kryeministrit Edi apo Edvin Rama, duket se është gjenerata e ndryshimit të identitetit bastard, me emra falco, me krime të harruara ndër vite për hir të pushtetit, dhe ndërtimi i një ngrehine me hyrje të fshehta tip “Surreli” që e ka për zemër kryeministri.
Gjenerata e re, si fjalë e re me modele të vjetra dhe ide komuniste siç bëri Enver Hoxha pas marrjes së pushtetit dhe krijimit të diktaturës staliniste. Gjenerata e re e modelit Edi Rama duket si e tillë në ambjentet e kryeministrisë së mbushur me pikturat paçavure të kryeministrit që i shet si punë të së ardhmes. Por të dalësh pak në terren do të shohësh gjeneratën e re të diplomave falco me profesionet e hajdutërisë, drogës, të krimit dhe prostitucionit që blihen me çdo çmim nga ata që kanë bërë para me profesionet e tyre të fëlliqura, për të cilat krenohet një kryeministër i rilindjes së diktaturës me emrin “gjeneratë e re”.
Do të doja të kujtoja se të provosh të shkosh në një zyrë shtetërore do të përballësh me mungesën e një etike, morali dhe integriteti që janë përkundër atyre parimeve të një administrate që vjen erë “shtet”. E kemi mësuar përmendësh se në jetën publike, për të qenë një profesionist i mirë, për të qenë një drejtues i mirë dhe për të qenë një punonjës i mirë në shërbim të publikut, janë të nevojshme të dihen dhe të zbatohen shtatë parime të kësaj jete publike që gjithsesi lidhen me profesionin e secilit prej nesh. Ku është “Vetëmohimi” që drejtuesit e zyrave publike duhet të marrin vetëm vendime që mbështesin interesat publike. Ata nuk duhet të veprojnë në atë mënyrë që të sigurojnë përfitime financiare dhe materiale për vete, për familjet ose miqtë e tyre?
Ku është “Integriteti” që drejtuesit e zyrave publike nuk duhet ta vënë veten në ndonjë detyrim financiar ose në ndonjë detyrim tjetër ndaj individëve ose të institucioneve të jashtëm që mund të ndikojnë tek ata në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare? Ku është “Objektiviteti” që në kryerjen e biznesit publik, duke përfshirë bërjen e emërimeve publike, lidhjen e kontratave ose rekomandimin e individëve për shpërblime dhe ndihma, drejtuesit e zyrave publike duhet të bëjnë zgjedhje sipas meritës? Ku është “Përgjegjësia” që drejtuesit e zyrave publike janë përgjegjës për vendimet dhe veprimet e tyre kundrejt publikut dhe duhet t’i nënshtrohen çfarëdo hetimi që është i nevojshmë për zyrën e tyre?
Ku është “Transparenca” që drejtuesit e zyrave publike duhet të jenë sa më të hapur që të jetë e mundur rreth vendimeve dhe veprimeve që ata marrin. Ata duhet të japin arsyet për vendimet e tyre dhe të kufizojnë informacionin vetëm kur e kërkojnë qartësisht interesat e gjera publike? Ku kuja, ku është “Ndershmëria” që drejtuesit e zyrave publike kanë për detyrë që të deklarojnë çfarëdo lloj interesash private që lidhen me detyrat e tyre publike dhe të ndërmarrin masa për të zgjidhur çfarëdo lloj konflikti që ekziston në mënyrë që të mbrojnë interesat publike? Ku është “Aftësia drejtuese” që drejtuesit e zyrave publike duhet të nxisin dhe të mbështesin këto parime me aftësinë drejtuese dhe shembullin e tyre?
Këto parime publike janë edhe baza e etikës dhe moralit të profesionistëve në profesione të ndryshme, që për fatin e keq jo vetëm janë shkelur me të dyja këmbët nga gjenerata e re e rilindasve pa vepra rilindasish, por kush guxon të ketë këto parime, do të shikohet shtrembër, sepse nuk i kontribuon për të ardhmen, por është posedues i vlerave dhe veprave që po na kërkon bota demokratike. Atje ku nuk ka parime morale dhe integritet profesionesh, s’ka se si të kërkosh etikë, por që as të mendosh të bësh shtet aq shumë të dëshiruar, që po zëvendësohen nga një lloj mendësie për një “gjeneratë të re” të antivlerave dhe kriminalizimit të shoqërisë shqiptare sipas filozofisë që e njeh vetëm kryeministri i sotëm.