Kosovë, janë shënuar raste të kërcënimeve të gazetarëve

Mediet janë duke u përballur me kërcënime të reja në demokracitë e mëdha, si dhe në shtetet ku sundon shtypja, ku autoritetet po përqëndrojnë përpjekjet e tyre në mediat sociale dhe platformat e tjera në internet pas goditjes së pavarësisë së medieve tradicionale. Kështu thuhet në raportin e Freedom House. Kësaj gjendjeje nuk i shpëton as Kosova, e cila në raportin e fundit të Freedom House radhitet ndër vendet ku liria e shprehjes është “pjesërisht e lirë”.
Tetë raste kërcënimi në pesë muaj
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit e shënoi me një protestë me moton “Mosndëshkimi vret lirinë e shprehjes”. Në Kosovë, vetëm gjatë pesë muajve të fundit, janë shënuar tetë raste të kërcënimeve të gazetarëve. Anëtarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Majlinda Aliu, tha se gazetarët në Kosovë përballen në vazhdimësi me sulme fizike e verbale. “Vetëm brenda pesë muajve ne si AGK kemi parë 8 raste të kërcënimeve, sulmeve fizike dhe dëmtimit të pronës së gazetareve dhe natyrisht për këto veprime janë të njoftuar edhe policia dhe prokuroria. Por këto institucione nuk është se po tregohen shumë efikase, nuk po marrin veprime konkrete për të mbrojtur gazetarët”, tha Majlinda Aliu.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit tashmë janë dakorduar që prokurorë special të kësaj prokurorie të trajtojnë rastet e gazetarëve. “Një gjë pozitive që ka ndodhur është se prokuroria ka përcaktuar prokurorë që ekskluzivisht po merren me rastet e gazetarëve e kjo ndoshta ka qenë edhe indikatorë që Kosova këtë vit është renditur në katër vende më poshtë në raportin e “Reporterëve pa kufij”, tha Kelmendi.
Drejtues të institucioneve të Kosovës nga ana e tyre nuk ndalen së deklaruari se zhvillimi i medieve në Kosovë është histori suksesi. Është kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili thotë se Kuvendi i Kosovës do ta rrisë qasjen e gazetarëve në punën e kuvendit. “Zhvillimi i medieve në Kosovë është një histori suksesi dhe liria e plotë është tejet e rëndësishme. Kuvendi i Kosovës do të jetë përherë i hapur për gazetarët.”

Kuvendi përmirëson punën me mediat
Veseli thekson se është arritur një ujdi në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe organizatat joqeveritare që monitorojnë punën e kuvendit. Kjo ujdi do të mundësojë më mirë qasjen e mediave dhe publikit, sipas Veselit. “Kemi hartuar edhe Rregulloren për rendin dhe qasjen e medieve dhe publikut në punën e Kuvendit, e cila do të mundësojë rritjen e mëtejme të transparencës. Liria e Fjalës është një ndër shtyllat themelore të shoqërisë demokratike që synojmë të ndërtojmë. Këtë vlerë do ta mbrojmë e promovojmë”, shkroi në profilin e tij social Kadri Veseli.
Ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Connell thotë se “puna e gazetarit është jetike por gjithashtu e rrezikshme. “Shtypi i lirë është themel për lirinë dhe demokracinë. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur dhe mbrojtur gazetarët dhe punën e tyre”, shkroi ambasadori O’Connell.
Sidoqoftë, në raportin e fundit, organizata Freedom House, shprehet se demokracia u përball me krizën më serioze në dekada në vitin 2017. Parimet themelore të saj, që përfshijnë garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të drejtat e pakicave, liria e shtypit dhe sundimi i ligjit, u sulmuan në mbarë botën.

Artikulli paraprakIrani sfidon SHBA-të, nuk do ta rinegociojë marrëveshjen bërthamore
Artikulli tjetërAvionë me kokainë dhe heroinë nga Shqipëria në Itali, karteli-Rama nuk ndalet