Partia Demokratike denoncon një urdhër të Ministrisë së Arsimit që të gjithë nxënësit të plotësojnë të dhënat personale të prindërve, informacione që sipas tyre do të përdoren për zgjedhjet e ardhshme.
Deputetja e PD, Albana Vokshi deklaroi gjatë një konference për shtyp, se formulari i shpërndarë me urdhër të Lindita Nikollës nëpër shkolla është antikushtetues dhe se është kundër ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Deputetja demokrate u bëri thirrje qytetarëve që mos të bien pre e këtyre provokimeve pasi të dhënat e tyre do të përdoren për shantazhe dhe blerje vote.
“Mësuesve u është kërkuar nga ministrja e arsimit që të marrin sa më shpejt të gjitha të dhënat personale të prindërve për të plotësuar formularin e shpërndarë nga kryeministria: kartën e identiteti, e-mailet, të dhënat personale të të dy prindërve.
Prindërit duhet të plotësojnë sipas urdhrit të paligjshëm të dalë nga zyra e Kryeministrisë dhe projekti është mbajtur i fshehtë. Ne dyshojmë se ato të dhëna do të përdoren në zgjedhje.
Verifikimi se në e-mailin e MAS, që brenda datës 10 maj formulari të jetë i plotësuar sipas udhëzimit Urdhri i Ramës dhe Nikollës, shkel haptas Kushtetutën dhe ligjin për të dhënat personale”, tha Vokshi.
Deklarata e plotë
Sipas porosisë nga kabineti i kryeministrit mësuesve u është kërkuar nga Ministria e Arsimit që të marrin sa më shpejt të dhënat përsonale të prindërve duke plotësuar formularët e gatshëm të shpërndarë nga kryeministria me të dhënat për kartat të identitetit, numrat e telefonave, e-maileve dhe të dhëna të tjera personale.
Kjo është tabela që prindërit duhet të plotësojnë sipas urdhrit të paligjshëm të dalë nga zyra e kryeministrit. Për shkak se qëlllimi i operacionit antikushtetues dhe antiligjor është mbajtur i fshehtë, ne dyshojmë se qeveria po mbledh të dhënat e shtetasve të vet për t’i përdorur ato në zgjedhje, me identifikimin dhe më pas blerjen e votës.
Që mbrëmë Partia Demokratike e denoncoi këtë skandal antikushtetues dhe antiligjor, pasi mori dhe verifikoi denoncimet e shumë prindërve, të shqëtësuar për këtë urdhër të pazakontë që fëmijët kishin marrë nga mësuesit. Askush nuk u ka dhënë prindërve arsye PSE duhen këto të dhëna, KUSH i kërkon dhe për llogari të KUJT do të pëpunohen.
Partia Demokratike verifikoi se në emailin e Ministrisë së Arsimit kërkohet që Brenda datës 10 Maj formulari të jetë i plotësuar sipas udhëzimeve dhe pa gabime, duke i konsideruar si shumë i rëndësishëm për Ministrinë e Arsimit.
Urdhëri i Edi Ramës dhe Lindita Nikollës shkel haptazi Kushtetutën, Ligjin për Arsimin parauniversitar dhe ligjin për Mbrojtjen e të dhënave Personale, që ndalon rreptësisht përdorimin apo përpunimin e tyre pa ditur qëllimin dhe pa dhënë pëlqimin.
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla duhet të japë në mënyrë urgjente sqarime pse ka kërkuar të dhëna që me ligj konsiderohen private, duke shkelur hapur Kushtetutën dhe Ligjin!
Partia Demokratike u bën thirrje të gjithë PRINDËRVE të refuzojnë të japin të dhënat të tyre personale, pasi, përveçse mund të keqpërdoren në kazanët zgjedhore të Rilindjes, kjo kërkesë është krejtësisht e paligjshme dhe të dhënat e tyre rrezikojnë deri sigurinë e jetës.
PRINDRIT të refuzojnë dhënien e çdo informacioni pa marrë sqarime pasi ligji (Nr. 9887, datë 10.3.2008) përcakton qartë që prindi duhet të japë pëlqimin për përpunimin e të dhënave të veta, si dhe të jetë i informuar mbi qëllimin dhe përpunuesin e të dhënave (Neni 7).
Partia Demokratike denoncon këtë akt antiligjor dhe i kërkon institucioneve përkatëse të reagojnë.
• PD i kërkon Komisionerit për Mbrojtjen e të dhënave personale që të ndërhyjë, të hetojë e të ndëshkojë shkelësit e ligjit.
• PD i kërkon Prokurorisë të hetojë e të vërë para drejtësisë çdokënd që po shkel ligjin duke mbledhur të dhëna personale qe me shumë gjasa do të përdoren në regjistrat e votuesve për shantazhe për votën.