“Geopoliticus”
Lufta civile siriane, që tashmë po zgjat qysh nga 2011, po ribën gardën gjeopolitike të Lindjes së Mesme, në kuadrin e një riorganizimi të përgjithshëm të aseteve politiko – ekonomike e të gjithë kontinentit euraziatik.
Përplasja fillestare ushtarake midis regjimit të Bashar al-Assad dhe opozitës laramane të shfaqur si efekt i nxitur nga pranverat arabe që ka parë të përfshirë një numër në rritje aktorësh, nga interesat shpesh konverguese, nganjëherë konfliktuale, asnjëherë lineare. Duke pasur parasysh marxhinalizimin strategjik të Perëndimit dhe për të dekriptuar arsyen e thellë të shpërthimit të konfliktit, sidomos ndërhyrjen masive ushtarake dhe protagonizmin e ri politiko – diplomatik të Moskës, disa analistë kanë nënvizuar interesat e kundërta energjetike midis disa prej aktorëve rajonalë të përfshirë në konflikt, Turqi, Iran e Katar, të ashpërsuara nga rivaliteti midis Rusisë e Shteteve të Bashkuara. Në një lexim të tillë, do të ishin këto origjina e vërtetë e vetë konfliktit.
Objekt i kontestimit do të ishte në thelb tregu fitimprurës i gazit europian dhe tentativa e diversifikimit të furnizimeve të tij. Për nga vetë natyra e tij, gazi natyror në pjesën më të madhe transportohet nëpërmjet tubacioneve (Sipas British Petroleum, 67% e totalit kalon nëpër tubacione). Kjo karakteristikë “territorialiteti”, duke pasur parasysh lidhjen midis gazsjellësve dhe rajoneve që përshkojnë – e ka bërë për një kohë të gjatë të vështirë krijimin e një tregu global të ngjashëm me atë të naftës. Rusia, thuajse monopoliste e furnizimit të disa vendeve të mëdha europiane (furnizim thelbësor për ekonominë e saj), do t’i kundërvihej kështu çdo tentativë për të krijuar korridorë të rinj nëpërmjet Lindjes së Mesme që të arrijnë Kontinentin e Vjetër.
Praktikisht, ndërsa dimensioni energjetik i kësaj krize të Lindjes së Mesme shpesh injorohet, elementë tensioni midis aktorëve rajonale dhe Rusisë të lidhura me projekte gazsjellës potencialisht alternativë janë padyshim të pranishëm. Megjithatë, a janë të mjaftueshëm për ta bërë luftën në Siri një “luftë për tubacionet”?
Në realitet, ndryshorja energjetike nuk mund të konsiderohet shkaku kryesor i rikonceptimit të aseteve gjeopolitikë rajonalë. Nga aktorë të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo në konflikt dhe duke përjashtuar gjigantin saudit për rolin e tyre relativisht marxhinal në sektorin e gazit, Rusia, Irano dhe Katari janë (në këtë renditje) 3 vendet më të pasura të botës me rezerva të gazit natyror. Rusia dhe Katari, prodhuesit më të mëdhenj të gazit, janë konkurrentë për aksesin në tregun e gazit europian. Nga ana e tij, Irani po profilohet si aktor i tretë i ardhshëm.
Rusia ka një avantazh gjeografik dhe infrastrukturor të konsiderueshëm, me aksesin në tregun europian të garantuar nga sistemi i gazsjellësve që lidhin kampet gazifere të Rusisë e të Siberisë Perëndimore me Europën. Kjo e fundit mbetet akoma tregu kryesor për Gazpromin, pavarësisht tentativave të diversifikimit në zhvillim drejt Kinës dhe pjesës tjetër të Azisë Perëndimore. Moska ka një interes të qartë për ta ruajtur pozicionin e saj si furnizuese e madhe, duke mbuluar rreth 30% e nevojës së Kontinentit të Vjetër. Çdo tentativë për të realizuar korridorë alternativë, si projekti i gazsjellësit europian Nabucco apo Transcaspian Pipeline ka qenë praktikisht gjatë dy dekadave të fundit i urryer apo i keqpërtypur nga ana e Kremlinit.
Midis furnizuesve të tjerë, Katari është një prej vendeve nga të cilët Europa blen më shumë metan në formë LNG (gas natyror i lëngëzuar). Ky transportohet me anije sidomos në terminalet që po përhapen gjatë gjithë bregut jugor e verior të Europës. Praktikisht, nëqoftëse është e vërtetë se gazi i transportuar nëpërmjet tubacioneve mbetet dominues në nivel botëror, përhapja e impianteve të lëngëzimit dhe rigazifikimit e ka arritur në mënyrë të konsiderueshëm kuotën e LNG. Ky, bashkë me shale gas, ka mundësuar shfaqjen e një tregu – spot të gazit, potencialisht global, alternativ ndaj atij të bazuar mbi kontrata afatgjata të llojit “take-or-pay”, tipike të furnizimeve të ardhura nga Rusia.
Në këtë kuadër, Katari, që eksporton rreth 23% të LNG së tij drejt Europës, ka një interes të qartë për t’i ruajtur dhe mundësisht t’i rrisë furnizimet drejt kontinentit, duke shfrytëzuar sidomos marrëdhëniet e keqësuara me Moskën si pasojë e krizës ukrainase dhe çmimin e ulët të naftës që e ka detyruar Gazpromin që ta rinegociojë drejt uljes kontratat e tij afatgjata me kompanitë europiane. Pavarësisht skontove të Gazpromit, në fakt tensioni ndërkombëtar dhe vetë uljet në çmimin e LNG vazhdojnë që t’i shtyjnë europianët drejt diversifikimit të burimeve të furnizimit.
Nga ana e tij, për arsye të lidhura me konsumin e lartë të brendshëm dhe me izolimin ndërkombëtar, Irani nuk arrin akoma të luajë një rol në tregun global të gazit. Me përfundimin e sanksioneve, Teherani ka treguar megjithatë interes në rritje për t’u bërë një furnizues i Europës nëpërmjet fqinjve të Lindjes së Mesme, duke shfrytëzuar afërsinë gjeografike me Turqinë nga njëra anë dhe me Irakun e Sirinë nga ana tjetër.
Interesave pjesërisht konfliktuese të 3 prodhuesve u shtohen pastaj interesat e Turqisë, si vend tranziti. Ankaraja synon prej kohësh që të marrë rolin e hub jugor të energjisë përgjatë korridorit TANAP (Transanatolian Pipeline, pasues i projektit europian “Nabucco”) që nga Kaspiku duhet të transportojë gaz drejt Europës Juglindore. Këtij mund t’i shtohen furnizimet ruse nga Veriu dhe, pikërisht, ato të Gjirit Persik nga Jugu.
Potencialiteti i TANAP-it është i bllokuar nga ndalimi kontraktor për të rishitur gazin e blerë nga Rusia (Turqia është tregu i dytë më i madh për gazin rus pas Europës), nga konsumi i lartë kombëtar dhe nga sasitë e kufizuara të gazit kaspikas të parashikuara për momentin. Për pasojë, Turqia ka një interes të qartë që ta orientojë gazin nga Lindja e Mesme në TANAP dhe t’u japë konsistencë ambicieve të saj si hub alternativ ndaj Rusisë.
Në këtë kuadër kompleks, Levanti dhe Siria efektivisht mund të fitojnë një rol kryesor. Në 2009, Katari mendonte që të zhvillonte një linjë gazsjellësish nga vendburimi më i madh nxjerrës i tij në Gji, për të kompensuar varësinë nga LNG kur kostot e këtij të fundit qenë ende shumë të larta: propozoi kështu që të ndërtonte një tubacion nëpërmjet Sirisë deri në Turqi. Në kundërpërgjigje, Bashar al-Assad vendosi një veto që u duk e justifikuar pikërisht nga nevoja për t’u garantuar rusëve monopolin në tregun europian, duke pasur parasysh sidomos mbështetjen e dhënë Sirisë, 2 vite më vonë, me zgjerimin e gazsjellësit Irak – Iran të sponsorizuar nga Teherani (i quajtur “Islamic Pipeline”).
Sipas teorive që e shikojnë në këtë zgjedhje origjinën e krizës siriane, Shtetet e Bashkuara do të vendosnin në këtë pikë që të mbështesnin opozitën ndaj al Assad, pikërisht për t’i garantuar Katarit që të pozicionohej si alternativë si ndaj Moskës, duke i dobësuar kapjen ndaj tregut europian, ashtu edhe ndaj Teheranit, duke bllokuar në Lindje çdo tentativë iraniane për të arritur Mesdheun Lindor. Kjo zgjedhje do të provokonte nga ana e saj ripozicionim turk në funksion antiAssad, krijimin e një aksi Turqi – Arabi Saudite me mbështetje amerikane dhe krijimin e kundëraksit Damask – Bagdad – Teheran – Moskë. Në këtë kontekst, do të favorizohej Lindja dhe forcimi i Shtetit Islamik.
Një rindërtim i tillë, përveçse mbivlerëson rolin e projekteve në kantier, nuk merr në konsideratë mjaftueshëm as evolucionin e tregut të gazit si global, ashtu edhe europian, as rolin e ndryshores aziatike në ekuacionin energjetik të Lindjes së Mesme.
Në fakt, siç përcillet nga shumë burime, projekti i Katarit u la menjanë dhe u konsiderua i dështuar qysh në nisje të 2010 prej kundërshtimit saudit ndaj një tubacioni që të përshkonte territorin e tij. Jo vetëm kaq: kriza ekonomike europiane, reduktimi pasues i kërkesës për gaz, përhapja e terminaleve LNG (në 2014 në Europë qenë aktivë 23 terminale LNG me kapacitet importues prej më shumë se 200 miliardë metra kub gaz, 40% e të gjithë nevojës për të) dhe zbulimi i vendburimeve offshore në Mesdheun Lindor, e kanë bërë këtë projekt fillestar relativisht të kotë për Katarin.
Diskutim tjetër është për t’u bërë për Teheranin. Dendësia e pakët e rrjetit iranian të tubacioneve dhe e impianteve LNG e bëjnë Iranin të interesuar ndaj çdo zgjidhjeje dhe në çfarëdo tregu.
Finalizimi (i njoftuar në janarin e 2017) i linjës Iran – Irak mund të përbëjë praktikisht pjesën e parë të “Islamic Pipeline”, që me një Siri të “paqëtuar” siç e do Teherani mund të çojë deri në bregun e Mesdheut Lindor një vëllim prej rreth 40 miliardë metra kub në vit. Ky gazsjellës do të ishte konkurrent i drejtpërdrejtë si i tubacionit Katar – Turqi, por potencialisht do të ishte edhe për gazsjellësit rusë. Megjithatë, një skenar i kësaj natyre, që do ta vinte Teheranin në rrugën e përplasjes me Moskën, është bërë vështirë i realizueshëm jo vetëm nga konflikti sirian, por sidomos prej një leverdie të pakët ekonomike. Me kosto të vlerësuara në 10 miliardë dollarë, tubacioni do të ndeshej pastaj me transformimet e tregut të gazit europian. Faktikisht, në një treg që nuk zgjerohet, duke pasur parasysh rritjen e sheshtë ekonomike, pavarësisht rolin akoma vendimtar të Rusisë, furnizimi europian është tashmë mjaft i diversifikuar; ndërlidhësit dhe terminalët e rinj LNG i garantojnë pastaj sigurinë. Praktikisht, rritja e importeve të gazit europian që i detyrohet zvogëlimit të prodhimit të brendshëm do të kompensohet, ka mundësi nga tregu – spot emergjent i LNG më shumë se nga gazi që vjen nga tubacione të tjera.
Nga ana e saj, Rusia është e interesuar që t’i ruajë kuotat e tregut europian, i sigurtë, por i cunguar, sidomos në prani të çmimeve të ulëta dhe të paqartësive lidhur me furnizimet me gaz për Kinën, por është e vetëdijshme se në kushtet aktuale të tregut vështirë që “Islamic Pipeline” do të gjente financues.
Kjo konsideratë e fundit na çon në argumentin e fundit dhe më domethënësit: për sa të rëndësishme interesat e kundërta e aktorëve të ndryshëm mund të jenë dhe për sa importi europian mund të rritet, sidomos për shkak të rënies së prodhimit të brendshëm, tregu i gazit europian nuk përfaqëson në të ardhmen një “premio” të mjaftueshme që të shpjegojë konfliktin e zgjatur sirian e të Lindjes së Mesme dhe ta paraqesë atë si një “luftë për tubacionet”.
Praktikisht, kërkesa botërore e gazit, në dekadat e ardhshme, do të tërhiqet nga Kina, India dhe Azia Lindore. Katari eksporton tashmë 2/3 e LNG së tij drejt Azisë. Nga ana e tij, Irani ndjek me interes dhe vendosmëri të madhe çdo projekt që i mundëson gazit të Teheranit të arrijë Indinë, Juglindjen aziatike dhe potencialisht Kinës, siç ndodh tashmë me naftën e tij. Rusia, që mbetet fuqimisht e varur nga gazi europian, duhet t’i ruajë kuotat e saj të tregut, por edhe të shfaqet si lojtar influent në tregjet në rritje të Azisë.
Në përfundim, nëse interesat divergjente energjetike kanë luajtur dhe luajnë një rol në riorganizimin e hapësirës gjeopolitike e Lindjes së Mesme, ato gjithsesi shfaqen si dytësore karshi objektivave politiko – ushtarake dhe strategjike që synojnë ta “mbyllin” Lindjen e Mesme ndaj influencës Perëndimore.
Në këtë kuadër, është në fakt një ndryshore tjetër me të cilën duhen bërë llogaritë në Lindjen e Mesme “euraziatike” e viteve të ardhshme: prania në rritje kineze në ekuacionin rajonal dhe dëshira e Kinës për të rihapur korridorë tregtarë joenergjetike nëpërmjet Lindjes së Mesme për të arritur si Afrikën Lindore, ashtu edhe Europën Jugore dhe Mesdheun. Kjo është e vërtetë, pavarësisht nga rezultati i luftës siriane dhe shumë përtej një “lufte energjetike” tashmë të vjetëruar.
(nga)
Përgatiti
ARMIN TIRANA