Po kërkoni për një mënyrë për të luftuar tensionin e lartë të gjakut? Sipas një studimi të ri, është një produkt natyral që mund të ndihmojë në uljen e hipertensionit. Hulumtuesit shkencorë nga Universiteti Manitoba në Kanada kanë kryer një studim për të përcaktuar ushqimet që lidhen me hipertensionin. Studimi është prezantuar së fundmi tek konferenca e Shoqatës Amerikane të Zemrës.
Shkencëtarët kanë monitoruar minjtë me nivele të larta të tensionit të gjakut dhe probleme me zemrën. Ata i ushqyen minjtë me lloje të ndryshme bishtajoresh, si fasulet, thjerrëzat, bizelet dhe qiqrat, për një periudhë të caktuar kohe. Pasi analizuan rezultatet, ata zbuluan se konsumimi i bishtajoreve ndihmoi në përmirësimin e qarkullimit të gjakut tek këmbët e minjve që vuanin nga sëmundja arteriale periferike, që tkurr arteriet në gjymtyrë.
Ata më pas zbuluan se thjerrëzat, sidomos ndihmuan në uljen e tensionit të lartë të gjakut dhe përmirësuan qarkullimin e gjakut. “Këto rezultate janë të jashtëzakonshme, duke qenë se sigurojnë një mënyrë jo-farmakologjike për të trajtuar sëmundjet e lidhura me çrregullimin e qarkullimit të gjakut”, deklaroi drejtuesi i studimit, dr. Peter Zahradka.
Thjerrëzat sigurojnë fibra, antioksidues, folate dhe magnez, të gjitha këto lëndë ushqyese që lidhen me shëndetin e mirë të zemrës. Këto veti ndihmojnë gjithashtu në përmirësimin e qarkullimit të gjakut, oksigjenit dhe lëndëve ushqyese në të gjithë trupin.