Një krahasim për dy stadiumet për të kuptuar se si vidhen shqiptarët. Stadiumi i ri në Konia të Turiqsë sapo është inauguruar dhe ka kushtuar 38 milionë euro. Stadiumi ka plot 42 mijë vende për tifozët. Pra, stadiumi atje është më shumë se dy herë më i madh në kapacitet për nga numri i tifozëve se numri që mban projekti për stadiumin e Tiranës. Ndërkohë stadiumi i vëllezërve Rama në Tiranë do të mbajë vetëm 22 mijë vende dhe do të kushtojë 50 milionë euro, gati dyfishin e çmimit të stadiumit të ri në Turqi.
Rama e prezantoi aferën e radhës miliona euro që po përgatit përmes ndërtimit të stadiumit të ri “Qemal Stafa”. Stadiumi aktual “Qemal Stafa” dhe toka e tij është në pronësi të kompanisë “Qendra Spotive Kuq e Zi sha” (QSKZ), kompani e përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit (75 për qind) dhe qeverisë (25 për qind), e cila ka organizuar edhe procedurat e zhvillimit dhe tenderimit për ndërtimin e ri. Stadiumi i ri, i titulluar “Arena Kombëtare”, po ndërtohet si bashkëpunim publik-privat: një kompani private do të ndërtojë me financimin e saj stadiumin dhe si shpërblim asaj do t’i jepet në pronësi e gjithë pjesa tregtare (restorante, kafe, etj.) e stadiumit dhe një kullë e lartë në cep të stadiumit për çfarëdolloj përdorimi që ajo dëshiron. Tenderi ndërkombëtar për “Projektimin, prishjen, financimin dhe ndërtimin” e stadiumit të ri u zhvillua më 29 shkurt 2016. Në të paraqiti ofertë vetëm një kompani, e cila u shpall fituese – kompania fierake “Alb Star shpk”.
Projekti i propozuar nga “Alb Star” është hartuar nga arkitekti italian, Marco Casamonti. Sipas Kryeministrit, investimi do të jetë 50 milionë euro. Nuk është e qartë nëse kjo shifër përfshin vetëm pjesën e stadiumit apo edhe kullën private në pronësi të “Alb Star”. Nuk është e qartë nëse ndërtuesi do të bëjë edhe investimin në aparatura, pajisje dhe infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e stadiumit apo vetëm të pjesës së ndërtimit. Mbas përfundimit, Federata Shqiptare e Futbollit, përmes QSKZ-së, do të ketë në pronësi vetëm fushën e futbollit dhe 4 mijë metra katrorë për zyra. Të gjitha hapësirat e tjera të stadiumit, përfshi gjithë mjediset që mbeten në trupin e stadiumit dhe kulla, e cila nga disa burime raportohet 17 kate e lartë, do të jenë në pronësi të kompanisë “Alb Star shpk”. Stadiumi nuk do të ketë pistë atletike apo për ndonjë sport tjetër, por vetëm infrastrukturë për futbollin.
Vetëm vitin e fundit “Alb Star” ka marrë miliona euro tendera nga ministri Haxhinasto. Kjo kompani, e cila përveç lidhjeve të ngushta me ministrin Haxhinasto, sipas boom.al është përfshirë edhe në transaksione të mëdha të evazionit fiskal.
Vitin e kaluar, kokretisht më tetor të 2015, mediat denoncuan një skandal ku ishte i përfshirë ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto i cili i dha posaçërisht firmës “Alb Star” tenderin për “Për përmirësimin e furnizimit me ujë të zonës së plazhit, Lagja 13, Durrës” me fond limit rreth 200 milionë lekësh të reja ose 1 milion e 424 mijë euro. Nga ana tjetër, kjo kompani është gjithashtu protagoniste në bashkimin e saj me kompaninë e djalit të Valentina Leskajt në marrjen me koncesion të hekurudhës Fier-Vlorë për një periudhë 25-vjeçare.
Ajo që u vu re nga kriteret për kualifikim është një disproporcionalitet ndërmjet licencave dhe kategorive të licencave të kërkuara në raport me volumin e punimeve, llojin e tyre dhe stafin e kërkuar përfshi edhe stafin inxhinierik, si dhe çertifikatat ISO, pajisjet, numrin e punonjësve, etj., duke treguar haptazi një preferencë të ministrit Haxhinasto për “Starin” e tij të fuqishëm. Ajo që bie në sy në këtë tender është fakti se fondet nuk i janë dhënë Drejtorisë Rajonale të Ujësjellës–Kanalizimeve Durrës për të cilin bëhet ky investim, por i ka menaxhuar vetë Drejtoria e Përgjithshme e Transportit dhe Infrastrukturës.
Në tender mori pjesë vetëm një kompani
Në tenderin për projektimin dhe ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar, i cili do të ngrihet në vend të stadiumit ekzistues “Qemal Stafa”, mori pjesë vetëm një kompani. Sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, kjo ofertë e vetme është bërë nga kompania shqiptare “Alb Star shpk” me qendër në Fier. Sipas Kompania nuk ka asnjë përvojë sadopak të ngjashme në fushën e ndërtimit të objekteve të këtij lloji. Ky fakt konfirmon dyshimet se ndërtimi i stadiumit të ri kombëtar është një aferë korruptive dhe klienteliste e Federatës Shqiptare të Futbollit me bekimin, në mos bashkëpunimin, e qeverisë Rama.
Qëllimi i farsës së ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar është në fakt të krijojë një qendër tregtare, e cila do t’i kalojë në pronësi private klientëve të qeverisë dhe drejtuesve të federatës. Mënyra e organizimit të tenderit, termat antiligjore të referencës dhe mbi të gjitha formula e financimit të projektimit dhe ndërtimit të stadiumit përjashtonin, praktikisht, çdo lloj mundësie që në tender të merrnin pjesë kompani serioze e aq më pak kompani të huaja. Sipas formulës së tenderit, kompania që do të projektojë dhe ndërtojë stadiumin duhet ta financojë vetë të gjithë ndërtimin dhe për këtë nuk do të paguhet me para, por do t’i jepet në pronësi një pjesë e stadiumit e destinuar për përdorim tregtar. Për këtë qëllim, kompania duhet të projektojë e ndërtojë stadiumin si një vepër sportivo-tregtare, pa asnjë kufizim paraprak në sipërfaqen dhe destinacionin e pjesës tregtare. Me fjalë të tjera, stadium i ri kombëtar do të jetë një godinë e kombinuar, mes një pjese sportive— fusha e futbollit, stendat për tifozët, dhomat e zhveshjes dhe disa dhoma të tjera për qëllime sportive — dhe një pjese tregtare që do të përfshijë dyqane, qendër biznesi, ndoshta hotel, etj., e cila do të jetë në pronësi private. Kjo lloj formule është, në fakt, e paligjshme pasi vendimi i qeverisë që ia kalon stadiumin Federatës Shqiptare të Futbollit e ndalon tjetërsimin e pronës për qëllime josportive. Duke lënë mënjanë anën ligjore, formula që ka zgjedhur federata dhe qeveria është novacion shqiptar, e padëgjuar dhe aq më pak, e provuar më parë në botë. Kjo lloj formule financimi është zgjedhur edhe pse ekzistojnë të gjitha fondet për financimin e stadiumit. Federata ka marrë nga UEFA rreth 10 milionë euro për ndërtimin, qeveria ka premtuar gjithashtu 10 milionë euro, ndërkohë që miliona euro të tjera do të merren si shpërblim për kualifikimin në Francë 2016. Ndërkohë, kostoja e ndërtimit të stadiumit të ri, me kapacitet rreth 22 mijë vende, vlerësohet rreth 25 milionë euro. Ndërsa të gjitha procedurat që po zbaton qeveria Rama për prishjen e stadiumit ekzistues dhe ndërtimin e një stadium të ri, me shumë gjasa, janë procedura kriminale.
“RD”