Ish-agjenti i Antidrogës, Dritan Zagani ka publikuar foton e njërit prej personave që e kërcënojnë me mesazhe. Kërcënimet ndaj Zaganit kanw ardhur pas deklaratës së tij në media se është gati të dëshmojë kundër ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për bashkëpunim me bandën e Habilajve në trafikun e drogës.
“Ja pra qe ka rilindja mavi edhe nga keta lloj minjsh qe dalin me profil te sakte…ska vetem minj me maska qe hiqen trima ne fb…!
Vendosa ta ndaj me ju miq kete rast jo sepse ky eshte ndonje far miu me i mire se shoket e tjeter te tije,keta te gjith njesoj jane minj gjirizi dhe njerez te semure pa identitet…por ky me duket me perversi nga te gjithe po te gjykojm nga mosha dhe sjellja qe arrin merret dhe me te vdekurit….!
Pra ky eshte rasti i njeriut mavi…kufoma qe se kupton qe jeton kot dhe ska asnje pike dinjiteti njerzor per tu marre me te gjallet,por ndjen shijet e jetes me te vdekurit…!”, shkruan Zagani në një postim në Facebook.
Para dy ditësh, Zagani, gjatë një interviste në News 24 deklaroi se vazhdon të marrë ende mesazhe kërcënuese. Ai tha se mesazhet bëhen sipas kodit të mafias. Por ajo që e shqetëson më shumë nuk janë ata që flasin e i shkruajnë duke e kërcënuar. Zagani thotë se ata që vrasin nuk flasin.
Zagani tha se pavarësisht kësaj ai ndjehet i sigurt për jetën e tij dhe të familjes, madje shprehet i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet shqiptare në lidhje me gjithçka di për klanin Habilaj e lidhjet e tyre me ish ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.