Robotët kanë potencialin për ta përmirësuar në mënyrë të jashtëzakonshme cilësinë e jetës tonë në shtëpi, punë dhe lojë. Robotët e personalizuar që punojnë sëbashku me njerëzit do të krijojnë punë të reja, do të përmirësojnë cilësinë e punëve ekzistuese dhe do t’i japin njerëzve kohën e nevojshme për t’u përqendruar tek gjërat që mendojnë se janë më interesante, më të rëndësishme dhe më emocionuese.
Të shkosh në punë me një makinë pa shofer do të thotë se ke kohë të lexosh, t’i përgjigjesh postës elektronike, të shikosh një video, madje edhe të dremisësh. Pasi lë njërin pasagjer, makina pa shofer mund të shkojë të marrë dikë tjetër, duke u koordinuar me makinat e tjera inteligjente me një sistemim të dizenjuar për të minimizuar trafikun dhe duke ecur në mënyrë më të sigurt dhe eficente.
Megjithatë, qëllimi i robotikës nuk është të zëvendësojë njerëzit, duke mekanizuar dhe automatizuar të gjitha veprimet. Qëllimi është që të gjenden mënyra inovatore që makineritë të ndihmojnë dhe të bashkëpunojnë me njerëzit në mënyrë sa më të frytshme. Robotët janë më të aftë se njerëzit me shifrat, me ngritjen e peshave të rënda dhe në disa raste me lëvizjet e precizionit të lartë. Njerëzit janë më të aftë se robotët në abstraksion, përgjithësim, në mendimin krijues, kjo falë aftësisë së tyre për të arsyetuar, për të mësuar nga eksperiencat e mëparshme dhe për të imagjinuar. Duke punuar sëbashku, robotët dhe njerëzit mund të plotësojnë aftësitë e njëri-tjetrit.
Por ekzistojnë përsëri pengesa të mëdha për të kaluar nga gjendja e robotëve të ditëve të sotme tek premtimi i një epoke të re të robotikës depërtuese, kur robotët të integrohen me sukses në fabrikat e jetës së përditshme për t’u bërë po aq të zakonshëm sa kompjuterët dhe telefonët e zgjuar të ditëve të sotme. Studimet aktuale kanë për qëllim të përmirësojnë mënyrën se si prodhohen robotët, mënyrën se si ata lëvizin dhe manipulojnë objektet, mënyrën se si arsyetojnë, si perceptojnë ambjentin, si bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe njerëzit.
Krijimi i një bote me robotë të personalizuar dhe të integruar është një sfidë e madhe, por nuk është sfidë e ndershme nga ajo me të cilën janë përballur shkencëtarët kompjuterikë një dekadë më parë, kur ëndërronin një botë ku kompjuterët të ishin pjesë integrale e njerëzimit. Siç ka thënë edhe Mark Weiser, shkencëtar i Qendrës Kërkimore Xerox’s Palo Alto në vitet 1990 dhe që konsiderohet si babai i kumpjuterisë gjithëpërfshirëse: “Teknologjitë më të jashtëzakonshme janë ato që zhduken. Ato përfshihen në mënyrë aq perfekte me jetën e përditshme deri sa bëhen tërësisht të padallueshme”. Kompjuterët e kanë fituar tashmë këtë gjithëpërfshirjeje. Në të ardhmen, do ta arrijnë edhe robotët.
Aftësitë e një roboti përcaktohen nga gjërat që mund të bëjë trupi i tij dhe ato që truri mund të kompjuterizojë dhe kontrollojë. Robotët e sotëm mund të kryejnë disa zhvendosje bazike në tokë, ajër dhe brenda në ujë. Ata mund të identifikojnë objekte, të krijojnë hartën e ambjentit që i rrethon, të kryejnë operacione të kapjes dhe lëshimit të objekteve në një itinerar të përcaktuar, të imitojnë disa lëvizje të njerëzve, të përfitojnë disa aftësi bazike, madje edhe të koordinohen me robotë të tjerë apo njerëz. Vendi ku shfaqen të gjitha këto aftësi është “RoboCup”, kupa botërore e futbollit për robotë, ku skuadrat koordinohen, triblojnë, pasojnë dhe shkelmojnë topin për të shënuar gola.
Kjo gamë veprimesh është mundësuar falë inovacioneve në dizajnin e robotëve si dhe nga avancimet që kanë fituar algoritmet që drejtojnë perceptimin, arsyetimin, kontrollin dhe koordinimin e robotëve. Robotika ka përfituar shumë nga zhvillimi i fushave të ndryshme si: kompjuterizimi, ruajtja e të dhënave, përhapja dhe performanca e internetit, komunikimi ëireless, elektronika dhe prodhimi i mjeteve. Kostot e pajisjeve janë reduktuar ndjeshëm edhe pse komponentët elektromekanikë që përdoren në pajisjet robotike janë bërë më të besueshme dhe njohuria në të cilën bazohen makineritë inteligjente është rritur jashtëzakonisht falë internetit. Tashmë është bërë e mundur, që të imagjinohet një hap gjigant që të na çojë nga kompjuteri personal tek roboti personal.
Në sektorin e transportit shumë prodhues të mëdhenj makinash kanë deklaruar planet e prodhimit të makinës pa shofer dhe parashikojnë se do të arrijnë t’i nxjerrin në shitje për konsumatorët deri në vitin 2020. Makinat pa shofer të Google-it kanë arritur të përshkojnë deri në 4 milionë kilometra me vetëm 11 aksidente të vogla, shumica të shkaktuara nga gabime njerëzore. Kompania do të fillojë t’i testojë makinat në rrugë publike këtë verë. Disa universitete të botës kanë filluar të krijojnë projekte të reja për makinat pa shofer dhe studimin e tyre.
Ndërkohë, Kalifornia, Florida, Micigani dhe Nevada, kanë miratuar legjislacionin që lejon qarkullimin e makinave autonome në rrugë dhe shumë shtete të tjera të Amerikës janë duke përgatitur legjislacionet e tyre përkatëse. Kohët e fundit një raport i Autoritetit të Transportit Rrugor të Singaporit, parashikoi se makinat gjysëm-autonome (makina që drejtohen pa shofer, kur nevojitet) mund të reduktojnë numrin e makinave në rrugë deri në 80 për qind, duke reduktuar gjithashtu udhëtimet dhe ndotjen.
Makinat pa shofer nuk do të jenë thjesht diçka luksoze personale. Kur kosto e prodhimit dhe blerjes së tyre të reduktohet, përhapja e këtyre makinave do të përmirësojë shumë transportin publik.
Përdorimi i gjërë i robotëve do të kërkojë një integrim natyror të makinave inteligjente në botën njerëzore më shumë se integrimin e njerëzve në botën e makinave. Pavarësisht zhvillimeve domethënëse të kohëve të fundit lidhur me këtë qëllim, ekzistojnë probleme të mëdha në shumë fusha. Koha për të prodhuar një robot është përsëri shumë e gjatë, robotët e sotëm janë të kufizuar në aftësitë e tyre për të perceptuar dhe arsyetuar me ambjentin që i rrethon dhe komunikimi robotik është ende në fazat fillestare të zhvillimit.
Sot në treg ekzistojnë shumë lloje robotësh, por të gjithë kërkojnë një kohë të gjatë për t’u prodhuar. Trupi i robotëve të sotëm është i vështirë të përshtatet dhe tjetërsohet, kështu që kanë aftësi të kufizuara dhe përdorim të kufizuar. Përshpejtimi i prodhimit të robotëve, shtimi i moduleve, rregullimet dhe mjetet e specializuara nuk janë opsione reale për momentin, pasi procesi i dizajnit, përmbledhjes dhe programimit të tyre është i gjatë dhe shumë i vështirë.
Ajo që nevojitet janë mjete të reja prodhimi dhe dizajni që të mund të përshpejtojnë prodhimin e robotëve të personalizuar. Skuadrat e studiuesve nga Universiteti i Harvardit, MIT-it dhe Pensilvanisë janë aktualisht, duke punuar për të krijuar “hartuesin e robotëve” që mund të marrë specifikime të caktuara, për shembull: “Dua një robot që të rregullojë shtëpinë”, dhe të krijojë dizajnin, planin e prodhimit dhe një ambjent të personalizuar programimi për përdorimin e robotit.
Robotët e personalizuar mund të ndihmojnë në automatizimin e një sërë veprimesh, sidomos në industrinë e prodhimit. Aktualisht, përdorimi i automatizimit nëpër fabrika nuk është uniform në të gjitha industritë. Industria e makinave automatizon pothujase 80 për qind të proceseve që përbëhen nga veprime të përsëritura. Në të kundërt, vetëm 10 për qind e proceseve të elektronikës, si prodhimi i telefonëve celularë, janë të automatizuar për shkak se këto lloj produktesh janë tepër të ndërlikuara dhe ndryshojnë vazhdimisht.
Robotët e bërë me porosi mund të ndihmojnë në industrinë e prodhimit, duke reduktuar kohën, veçanërisht për ato industri ku prodhimtaria ndryshon ditë pas dite. Robotët e specializuar do të duhet të dinë se ku janë të magazinuara gjërat, si t’i bashkojnë ato me njëra-tjetrën, si të ndërveprojnë me njerëzit, si të transportojnë sende nga një vend në tjetrin, si t’i paketojnë gjërat dhe si ti rivendosin ato sipas një rregulli të caktuar. Në një fabrikë e pajisur me këto lloje robotësh, do të ishin përsëri njerëzit ata që e drejtonin punën dhe robotët do t’i ndihmonin.
Një tjetër sfidë që lidhet me integrimin e robotëve në jetën e përditshme është nevoja për të rritur aftësinë e tyre arsyetuese. Robotët e sotëm mund të kryejnë vetëm një arsyetim të kufizuar për shkak se funksionet e tyre janë të specifikuara në mënyrë të pandryshueshme. Gjithçka që një robot arrin të bëjë është i përcaktuar me detaje nëpërmjet instruksioneve të thjeshta dhe qëllimi i rritjes së arsyetimit të robotit është tërësisht i frenuar nga ky lloj programimi.
Më tej, perceptimi që një robot ka për ambjentin nëpërmjet sensorëve është tepër i kufizuar. Gjërat që njerëzit i bëjnë në mënyrë të pavetëdijshme, si për shembull të përgjigjen nëse e kanë parë ndonjëherë një vend të caktuar, janë tepër të vështira për t’u bërë nga robotët. Robotët përdorin sensorët si kamera dhe skaneri për të regjistruar karakteristikat e vendeve që vizitojnë, por për një makineri është shumë e vështirë të dalloje ndryshimin ndërmjet një vendi që e ka parë edhe herë të tjera dhe një vendi të ndryshëm, por që përmban të njëjtat objekte.
Në përgjithësi, robotët mbledhin një sasi shumë të madhe të dhënash të parëndësishme. Studimet aktuale në fushën e robotikës janë përqendruar në zhvillimin e algoritmeve që të lejojnë të nxjerrësh një informacion të caktuar që i nevojitet robotit nga një përmbledhje e jashtëzakonshme të dhënash. Një algoritëm i tillë do ta ndihmonte robotin që të përmblidhte historinë e tij dhe t’i reduktonte të dhënat e ruajtura, për shembull, numrin e madh të imazheve që do të memorizojë për t’ju përgjigjur një pyetjeje.
Sot, kushdo që ka akses në internet, përfshirë këtu edhe robotët, mund të përftojë lehtësisht sasi të mëdha informacioni. Robotët mund ta shfrytëzojnë këtë burim informacioni për të marrë vendime më të mira. Për shembull, një robot që shëtit një qen mund të gjejë të dhënat meteorologjike në internet dhe të konsultohet me të dhënat e tij të ruajtura për të përcaktuar distancën optimale të shëtitjes dhe drejtimin e duhur që duhet të ndjekë, ndoshta një shtëtitje të shkurtër, nëse është shumë vapë, apo një shëtitje më e gjatë përgjatë parkut ku mblidhen robotë të tjerë që shëtisin qentë.
Integrimi i robotit në jetën e përditshme kërkon gjithashtu edhe një komunikim më të mirë ndërmjet robotëve si dhe ndërmjet robotëve dhe njerëzve. Pavarësisht zhvillimeve të tekonoligjisë wireless, pengesat vazhdojnë të eksperimentojnë në komunikimin robot me robot. Është e vështirë të krijosh një model apo të parashikosh se sa mirë mund të komunikojnë robotët me njëri-tjetrin në një ambjent të caktuar.
Më tej, metodat e kontrollimit të robotëve që mbështeten në teknologjinë aktuale të komunikimit janë të ndotura nga zhurmat, sinjale dhe të dhëna që e bëjnë të vështirë dërgimin dhe marrjen e mesazheve. Robotëve u nevojiten mënyra më të mira komunikimi që të mund të garantojnë atë që u nevojitet dhe kur u nevojitet. Një zgjidhje premtuese për këtë vështirësi është përmirësimi i komunikimit të robotëve në mënyrë lokale, në vend që ta parashikojmë atw nëpërmjet modeleve.
Komunikimi ndërmjet robotëve dhe njerëzve është gjithashtu shumë i kufizuar. Edhe pse sensorët e identifikimit të zërit i lejon robotët që të kuptojnë dhe të përgjigjen me komanda bazike (psh: Hape derën!), ndërveprimet aktuale janë tepër të ngushta dhe të papërfillshme nga këndvështrimi i dobishmërisë dhe fjalisë së njohur. Komunikimi më i mirë ndërmjet njerëzve dhe robotëve do t’i lejonte robotëve që të kërkonin ndihmën e njerëzve. Sipas studimeve ka rezultuar se kur një robot kryen një punë, edhe ndërhyrja më minimale nga ana e njeriut mund të përmirësojë dukshëm cilësinë e veprimtarisë së tij.
Një studim i MIT-së për Shkencat Kompjuterike dhe Inteligjencën Artificiale kohët e fundit ka zhvilluar një sistem që lejon një grup robotësh të montonin mobiljet e IKEA-s. Robotët punonin sëbashku për aq kohë sa pjesët që duhet të mblidheshin ndodheshin brenda rrezes së tyre të veprimit. Kur një pjesë, si për shembull një këmbë tavoline, ndodhej jashtë rrezes së tyre, roboti arrinte të identifikonte problemin dhe i kërkonte njerëzve që tja afronin, do përdorur fjali në anglisht. Pasi merrte pjesën që i mungonte, roboti kishte mundësi të riniste punën e tij të montimit. Aftësia e robotit për të kuptuar një gabim dhe të kërkojë ndihmën e njerëzve, përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në fushën e bashkëpunimit ndërmjet robotëve dhe njerëzve.
Në një botë të pasur me robotë, njerëzit do të mund të çohen në mëngjes dhe të dërgojnë robotët e tyre personalë në supermarket për të blerë qumështin dhe frutat e mëngjesit. Kur të shkojnë aty, robotët mund të shikojnë njerëz që kanë preferuar ta bëjnë vetë pazarin, por në supermarket i ka çuar një makinë automatike dhe kanë në dorë një karrocë pazari inteligjente që i çon tek gjërat që duan të blejnë dhe i japin informacione për çmimin, skadencën dhe cilësinë e produktit.
Kompjuterët personalë, teknologjia wireless, telefonët inteligjentë dhe aplikacionet lehtësisht të shkarkueshme e kanë lehtësuar në mënyrë dikur të paimagjinueshme aksesin tonë ndaj informacionit dhe kanë transformuar mënyrën se si njerëzit jetojnë dhe punojnë. Në vitet e ardhshme, robotët do ta përhapin akoma më shumë këtë revolucion dixhital, duke penetruar thellë në jetën tonë të përditshme me pasoja të paimagjinueshme.