-Zoti Pinguli, dy vitet fundit, vendi është përfshirë nga reforma fiskale dhe masa antievazion. Pas këtyre zhvillimeve, sa konkurrues është biznesi juaj sot?
Industria vendase është bërë së fundmi jokonkurruese dhe faktorët që kanë çuar në këtë pikë janë të shumtë. Kalimi nga taksa e sheshtë në taksë progresive solli rritjen e barrës fiskale me 50%. Shqipëria është ndër vendet e pakta, ku taksa mbi ambalazhin është sa gjysma e vlerës së vetë ambalazhit. Këto masa fiskale u shoqëruan edhe me rritjen e çmimit të energjisë mbi biznesin, me 30%. Por rritja sasiore e taksave është shoqëruar me një presion të lartë nga ana e administratës fiskale mbi tregun e lirë. Normat e kontrollit shpeshherë kanë qenë abuzive dhe tërësisht antidemokratike, me idenë fillestare të tranzicionit për mbushjen e arkës së shtetit të pambështetur në logjikë ekonomike.
-Pas gjithë këtyre zhvillimeve, çfarë situate po kalon biznesi juaj aktualisht?
Unë kam vite që e zhvilloj aktivitetin në tregtinë me pakicë dhe në industrinë përpunuese. I ftoj ekspertët e qeverisë të ulemi dhe t’i bëjmë bashkë llogaritë. Sot që flasim, kostot janë në disfavor të prodhimit vendas. Më kushton shumë herë më lirë të importoj nga jashtë produktin dhe ta shes në rrjetin e shpërndarjes që kam ngritur se sa ta prodhoj këtu. Puna është se kam të punësuar rreth 200 punonjës. Pjesa më e madhe e tyre punojnë në fabrikën e prodhimit të birrës “Stela”. E kam shumë të vështirë t’i pushoj nga puna vetëm, duke parë interesin e fitimeve të mia, teksa e di që pjesa më e madhe e tyre janë burim i vetëm i të ardhurave në familjen e tyre. Kisha në plan të hapja një linjë të re për prodhimin e “Bravos”. Por kur plani i biznesit përfundoi, kostoja e prodhimit doli shumë më e lartë se importi, ndaj vendosa të mos zgjerohem më të tej në prodhimin e pijeve. Një i njohuri im në Berat, që po prodhon një produkt të ngjashëm me cilësi mjaft të lartë, po shkon drejt mbylljes. Politikat e gabuara fiskale dhe mungesa e etikës në komunikim me biznesin kanë sjellë një klimë mosbesimi dhe pasiguri të lartë për të ardhmen dhe situatën aktuale të biznesit.
-Shqipëria mbledh të ardhura për buxhetin më pak se të gjitha vendet e rajonit, zoti Pinguli. Taksat duhen paguar……
Po, është e vërtetë, taksat duhen paguar dhe ne të gjithë jemi dakord për këtë. Madje, në këtë pikë, duam të bashkëpunojmë me qeverinë dhe të realizojmë së bashku këtë mision. Shqipëria ka kaluar një tranzicion të vështirë nga diktatura në ekonominë e tregut e për rrjedhojë, zhvillimet e vrullshme janë shoqëruar me intensitet deri-diku të lartë të informalitetit në të gjitha segmentet e ekonomisë dhe biznesit. Por, ajo që ka ndodhur për 25 vite, nuk mund të riparohet në pak muaj dhe me masa represive. Qeveria i ka mjetet që të marrë paratë që i duhen arkës së shtetit pa ushtruar presion në tregun e lirë.
Fillimisht duhet të aplikohen politikat e duhura fiskale për të arritur këtë qëllim, por ato që po aplikohen aktualisht janë tërësisht të gabuara. Shihni vetëm segmentimin që i është bërë klasifikimit të biznesit të vogël për çështje të taksimit në 2 milionë, 5 dhe 8 milionë lekë në vit. Aktualisht, bizneset e kësaj kategorie nuk janë të interesuar të marrin fatura përtej kufijve të xhiros për të eliminuar kështu përfshirjen në taksa më të larta dhe në TVSH.
Le t’i hedhim një sy trajtimit fiskal të biznesit që unë drejtoj, prodhimit të birrës, i cili është sot një nga teknologjitë ushqimore më të avancuara, me investime dhe administratë serioze. Sipas ligjit, biznesi i madh është i detyruar të deklarojë të dhënat financiare, prodhimin, gjendjen e magazinave dhe të përmbushë detyrimet financiare. Këto vetëdeklarime bëhen 1 herë në muaj dhe 1 herë në vit. Pra 13 herë në vit. Por çfarë kërkojnë entet fiskale?! Përveç vetëdeklarimeve, kërkojnë edhe pullat fiskale, të cilat nuk ekzistojnë në asnjë vend të botës mbi shishet e birrës. Kostot e pullës gati barazohen me nivelin e akcizës që duhet paguar. Gjithashtu kërkohet deklarimi parapagim i akcizës (DSHA) për çdo produkt që del nga fabrika pa u shitur ende malli. Sistemet e komunikimit online nuk funksionojnë, përderisa kontrollet fizike nuk pushojnë. Ndërmjet kësaj veprimtarie mund të biesh pre e gjobave pa fund, nëse nuk dallon ngjyruesin e karburantit që ke përdorur ose funksionimin teknik të aparateve matëse. Pasi birra del në shpërndarje, rrugës për te shitësi fundor është pre e represioneve dhe kontrolleve të tjera që të çojnë në bllokim për një yçkël.
Përveç këtyre, rezultojnë edhe 5 tipe kontrollesh që paralelizojnë dokumentet e vetëdeklaruara me imtësi dhe përgjegjësi juridike e penale. Veç këtyre janë verifikimet e specializuara vjetore për TVSH, tatimin-fitimin, Sigurimet Shoqërore dhe akcizën. Të gjitha këto kontrolle përbëjnë një ekuacion me shumë të panjohura, pasi çdo verifikim prodhon një mosrakordim, i cili në vetvete shoqërohet me fletë gjobe.
-Po si mund të zgjidhet?
Forma më e mirë do të ishte një studim paraprak i tregut, ku biznesit të vogël t’i jepet mundësia për një xhiro qarkulluese më të madhe 150-200 milionë lekë në vit. Kjo do të sillte ribashkimin e shumë bizneseve që sot janë ndarë, për shkak të klasifikimit fiskal me xhiro të ulet dhe qeveria do të rriste së tepërmi të ardhurat nga TVSH dhe akciza. Në të gjithë botën, të ardhurat nga akcizat dhe TVSH janë tatimet kryesore që mbushin buxhetin e shtetit. Për limitet e xhiros 200 milionë lekë, qeveria duhet të japë një ofertë më të mirë fiskale.
-Si një biznes i pranishëm edhe në tregun e pakicës prej shumë vitesh, a ndjeni presion nga rënia e konsumit?
Presionin e rënies së konsumit po e ndiejnë të gjitha bizneset në vend dhe kjo për një arsye themelore. Vitin e kaluar janë larguar rreth 60 mijë shqiptarë nga vendi, ndërsa planifikojnë të ikim mijëra të tjerë. Shqipëria po zbrazet. Ky është një rezultat matematikor. Ka njerëz më pak, konsumohet më pak. Por institucionet, shoqëria, duhet të vihen në alarm për ikjen e kapitalit njerëzor nga vendi, i cili është problemi më madhor ndër gjithë të tjerat. Me këto ritme dhe me këtë ambient mosbesimi që është krijuar, shumë shpejt popullsia e vendit do të bjerë poshtë 2 milionë banorëve dhe kriza të reja na presin në sfond. E keqja nuk është vetëm tek ata që kanë ikur, por edhe të tjerët që ende jetojnë këtu janë në kërkim të një mënyre për të ikur. Kështu që janë tërësisht të dekurajuar për t’u integruar në tregun e punës dhe për të konsumuar mallra me vlera të tilla si pasuritë e paluajtshme, toka, shtëpi, pajisje etj.
Gjithashtu, aksioni antiinformalitet që nisi fillimisht në biznesin e vogël ushtroi shumë presion te kjo shtresë. Zinxhiri ynë i pakicës pësoi një goditje të madhe, çka çoi edhe në probleme serioze në kërkesën për furnizime të rregullta.
Rritja e presionit mbi tregun në përgjithësi e kanë sjellë lirinë ekonomike në vend në pikë kritike dhe treguesit e mirëqenies gjithashtu.
-Çfarë sugjeroni se duhet të përmirësohet në klimën e biznesit dhe njëkohësisht për të kthyer vendin në trajektoren normale të zhvillimit?
Personalisht, e kam bërë një analizë të tillë, të cilën ia kam sugjeruar edhe qeverisë. Së pari, vlerësoj të rëndësishëm vendosjen e etikës në politikë dhe në qeverisje, ligjvënie dhe drejtësi. Duke dhënë shembullin e para se, është një qeveri që punon me ndershmëri dhe mirëpërdor taksat tona, bizneset dhe qytetarët do të jenë më të përgjegjshëm për të paguar taksat. Nuk do të kenë nevojë për presion.
Sugjerimi i im i dytë është prioritizimi i pesë sektorëve, të cilët janë lokomotiva e ekonomisë së vendit. Të tilla janë burimet natyrore si nafta dhe mineralet, bujqësia, turizmi dhe hidroenergjia. Politikat e nxitjes së shfrytëzimit eficent të këtyre sektorëve do të zgjidhnin problemet e punësimit dhe të ardhurave për buxhetin e shtetit.