Gazetarja malazeze Olivera Lakiç, të cilës i bënë pritë mbrëmjen e kaluar, ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Por kjo nuk është hera e parë që Lakiç i mbijeton një sulmi të tillë të frikshëm. Para gjashtë vitesh, ndaj saj është organizuar një tjetër sulm, pikërisht për shkak të profesionit si gazetare investigative.
49-vjeçarja në atë kohë u godit disa herë në kokë me mjete të forta, por si për mrekulli ajo shpëtoi ashtu si edhe këtë radhë kur u qëllua me plumb në këmbën e djathtë.
Redaktori i saj është shprehur për mediat se kishte mbetur pa fjalë kur ka dëgjuar lajmin për pritën që i ishte bërë gazetares.
“Jam pa fjalë. Deri kur do vazhdojë t’i ndodhë kjo gjë Malit të Zi?”, tha Mihajlo Jovović. Redaktori i të përditshmes “Vijesti” tha gjithashtu se policia nuk i kishte hetuar kurrë asnjë nga krimet për të cilat raportonte Lakiç, pasi ajo shkruante për krimin dhe korrupsionin në Mal të Zi.
“Asnjë nga sulmet ndaj saj nuk është zgjidhur deri më tani. Shumica e historive për të cilat ajo raporton, bëjnë fjalë për krime të cilat nuk janë hetuar kurrë.”, tha Jovoviç.
Ndërkohë për sulmin e djeshëm, shefi i policisë Vesko Damjanoviç tha në një konferencë për mediat, se Olivera Lakic ka plagë plumbash në këmbën e saj të djathtë, por jeta e saj nuk është në rrezik. Po ashtu Damjanoviç tha se policia do të “bëjë çmos për të zbuluar autorët dhe për t’i sjellë ata para drejtësisë”, por duket se për të zbuluar autorët e atentatit ndaj gazetares, duhen hetuar krimet për të cilat ajo raporton.
Sulmi ndaj gazetares malazeze, është sulmi i dytë që ka ndodhur brenda një muaji në Mal të Zi. Sulmi tjetër ka ndodhur ndaj një gazetari të shquar në qytetin verior të Bijelo Polje-s, kur një bombë shpërtheu pranë shtëpisë së tij.
Për këtë arsye kjo ngjarje ka shkaktuar shqetësim të madh në Europë, pasi për këtë ka reaguar edhe ambasadori i BE-së në Podgoricë.
“Sulmi ndaj gazetarit Olivera Lakiç është shumë shqetësues. Gazetarët duhet të mbrohen,” shkroi ambasadori Aivo Orav. Ky koment i ambasadorit të BE-së ka nxitur reagim të madh në vend, pasi Mali i Zi aspiron të bashkohet me BE-në deri në vitin 2025.
Po ashtu edhe Ambasada e SHBA në Podgoricë shprehu shqetësim rreth sulmit.
“Gazetarët janë kujdestarë të demokracisë dhe duhet të mbrohen në mënyrë që ata të mund të bëjnë punën e tyre në siguri të plotë”, ishte shqetësimi i ngritur nga Ambasada Amerikane.
Një duzinë sulmesh kanë ndodhur kundër gazetarëve në 15 vitet e fundit, përfshirë edhe vrasjen e redaktorit Dushko Jovanoviç në vitin 2004 në Mal të zi, por shumica prej tyre kanë mbetur të pazgjidhura.
PSE HOQI DORË NGA NDIHMA E POLICISË
Por kjo nuk është e gjitha. Vetë Lakiç nuk kishte besim te policia, e cila ishte angazhuar ta mbronte në vitin 2012, pas sulmit që i ndodhi përpara shtëpisë së saj.
Ajo hoqi dorë nga mbrojtja e policisë, pasi sipas saj ata e kanë diskredituar atë si gazetare dhe madje edhe janë munduar ta trembin.
Në një letër të botuar më 5 tetor të 2014-ës, në të përditshmen “Vijesti”, gazetarja shpjegon arsyet e vendimit të saj për të hequr dorë nga mbrojtja.
Fillimisht Lakiç tregon se kishte bërë kërkesë në Ministrinë e Brendshme dhe në polici, për t’u informuar për aktivitetet që kishin kryer eskortat e saj, por ky informacion iu refuzua t’i jepej.
“Unë kam kërkuar një mijë herë për një shpjegim se pse ata (policët) më mbajnë nën vëzhgim, derisa do të zgjasë kjo gjë dhe në cilën pikë janë hetimet që, ata thonë se po udhëheqin. Ministri i Brendshëm më tha në dhjetor të vitit të kaluar se Agjencia e Sigurisë Shtetërore ka përgatitur dhe dorëzuar një analizë mbi gjendjen e situatës. Ata do të më bënin të ditur për pak ditë nëse jam ende e kërcënuar ose jo, por kurrë nuk e dërguan atë përgjigje”, vazhdon më tej Lakiç, e cila thotë se nga ky moment ka vendosur që për sigurinë e jetës së saj t’i besojë vetëm vetes dhe familjes.
“Ata kanë punuar për diskreditimin tim si një qenie njerëzore dhe si gazetare, kanë penguar hetimet dhe janë përpjekur të më trembin më tej. Në këto mjedise, unë jam quajtur si një armik i shtetit, një gazetare e manipuluar që punon për interesat e të tjerëve dhe jo në interes të profesionit të saj. Asnjëri prej tyre ende nuk ka pasur guximin ta thotë atë në publik dhe të argumentojë dëmin që më kanë bërë mua si grua dhe si gazetare”, ka deklaruar Lakiç, e cila tha se shoqërimi i policisë nuk i ka siguruar lirinë por e ka robëruar atë, duke mos e lejuar të kryente punën si gazetare./Hashtag.al