Bota ishte e dëshpëruar për bardhezinjtë, re të shumta për të ardhmen dhe dyshime të mëdha se si do të vazhdojnë të fitojnë. Ishte vera e vitit 2014 dhe Antonio Conte u largua nga Juventusi. Marotta dhe Agnelli zgjedhin si trajner Max Allegri, i lirë pas përvojës te Milani. Ai do të vazhdonte rilindjen e “Zonjës së Vjetër” pas “Calciopolit”, duke e ngritur më lart nderin e këtij klubi.
Juventus-Milan 4-0, në finalen e Kupës së Italisë, ishte rezultati që ia dha këtë trofe Allegrit për herë të katërt radhazi. Gjithçka ndodhi në “Olimipico”, duke konfirmuar se bardhezinjtë janë “kanibalë” në Itali. Ai, Max, është shoqëruesi i “kanibalëve”, i cili lë pak, ose aspak trofe kombëtarë për të tjerët.
Në sezonin e katërt në krye të Juventusit, trajneri livornez ka fituar katër dopieta radhazi (titull kampion dhe Kupën e Italisë). Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë në futbollin italian. Kundër Milanit, Allegri regjistroi trofeun e tij të tetë me Juventusin, duke pritur të nëntin: Superkupën e Italisë. Gjatë kësaj periudhe 4-vjeçare në Piemonte, në fakt, trajneri i lindur në Livorno humbi kundër Napolit, Lazios dhe Milanit.
Në qoftë se, siç duket, Juventusi do të fitojë titullin e shtatë radhazi, Allegri do të jetë autor i 50% të dopietave bardhezi. Në vitin 1960, atë e arriti Parola; në vitet 1977, 1984 dhe 1990 e bëri Zoff dhe Trapattoni. Në vitet 2015, 2016 dhe 2017, dopietën e siguroi mjeshtri aktual i stolit të “Zonjës së Vjetër”.
Nëse në Itali ka vendosur diktatin e padiskutueshëm, Allegri si trajner i Juventusit nuk ka triumfuar dot në Ligën e Kampionëve. Ai ka humbur dy finale të Ligës së Kampionëve, me dy eliminime të nxehta kundër Real Madridit dhe Bayern Munich. Pra, në Itali, Allegri dhe Juventusi dominojnë, ndërsa në Europë janë ndër ekipet me pesë yje, gjithmonë aty, gjithmonë duke luftuar. Nuk është një cikël i përsosur, si tërësi, por sigurisht emocionues.
Trajneri i Juventusit, i intervistuar në fund të finales së Kupës së Italisë, në mikrofonat e RAI, nuk e fsheh kënaqësinë e tij: “Sonte, djemtë luajtën një ndeshje të mahnitshme. Patëm thellësi të madhe në dy pikëpamje: teknike dhe morale. Ne duhej ta tregonim veten në një mbrëmje si kjo, pasi iu kishim dhënë kaq shumë tifozëve. Ata duhet të festojnë. Kur luajmë me seriozitet, është e vështirë për të gjithë ndaj nesh”.
Juventusi, së shpejti do të festojë “pushtimin” e titullit të shtatë radhazi në Itali, i katërti radhazi për Allegrin. Pasi të sigurohet titulli edhe matematikisht, ka vend për një festë të madhe, në mbyllje të një sezoni të madh dhe të jashtëzakonshëm.