Aktivistët e mjedisit po i bien fort kambanave të rrezikut të ndotjes së deteve dhe oqeaneve nga plastika. Por ato nuk janë të vetmet që kërcënohen prej saj: ndotja nga mikroplastika thotë CNN, është kudo përreth nesh, edhe në ajrin që thithim.
Problemet e saj në det studiohen prej dekadash të tëra, megjithatë shtrirja reale e pasojave të ndotjes plastike gjetke, është sot në fillimet e eksplorimit.
Përgjatë këtyre viteve të fundit, shkencëtarët kanë zbuluar mikroplastikë në tokë, në ujin e rubinetit, ujin e shisheve, tek birra e madje dhe në ajër.
Shqetësimet mbi rrezikun potencial që paraqet ajo ndaj njerëzve, sa vjen dhe shtohen.
Për shkak se kërkimet mbi mikroplastikën e gjendur tek dheu dhe uji i rrjedhshëm janë ende në hapat e para, nuk ka të dhëna të sakta mbi nivelin e vërtetë të problemit, por disa studime sugjerojnë se ka më shumë mikroplastikë në tokë sesa në oqeane.
Në mbarë botën, prodhohen mbi 330 milionë tonë plastikë çdo vit, çka e shton shumë mundësinë e burimeve të ndotjes nga mikroplastika rreth e rrotull nesh.
Ndërsa ka pak njohuri në lidhje me efektet e saj tek bimët apo në zinxhirin ushqimor më të gjerë, verifikimet kanë treguar nivele të larta inflamacioni tek krimbat e tokës të ekspozuar ndaj mikroplastikës të gjendura tek dheu.
Një prej burimeve të mikroplastikës në ajër janë pikërisht fertilizuesit që ndotin me të tokën, sepse pasi këto plehra thahen, një pjesë e grimcave të plastikës mund të ngrihen lart nëpërmjet erës.