VOA e drejtpërdrejtë: Rama, mbrojtësi i Tahirit kur mbushi vendin me drogë, nuk lejoi arrestimin e tij

Zëri i Amerikës ka qenë i drejpërdrejtë në lajmin e dhënë për vendimin e gjykatës me arrest shtëpie për Tahirin. VOA ka kujtuar se ishte Rama që e mbrojti Tahirin edhe kur mbolli vendin me drogë në vitin 2016. Kjo frazë ë Zërit të Amerikës është mjaft domethënëse pasi tregon se edhe media amerikane dhe jo vetëm media, e ka të qartë se pas Tahirit është Rama.
Lajmi në VOA
Në Shqipëri, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sot pasdite masën e “Arrestit në shtëpi” për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Prokuroria nga ana e saj kishte kërkuar “Arrest me burg. Ajo e akuzon atë për kryerje të veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Kërkesa e Prokurorisë erdhi një javë pasi zoti Tahiri, dorëzoi mandatin e deputetit. Ish ministri ishte pranë banesës së tij me avokatin mbrojtës në kohën që në Gjykatë po merrej vendimi rreth kërkesës së prokurorisë. Ai u ngjit në banesë pak përpara se dy prokurorë të mbërrinin për t’i njoftuar atij vendimin e arrestit në shtëpi.
Ish ministri i Brendshëm u vu nën akuzë nëntorin e shkuar, për dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë.

Hetimet nisën pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i tij përmendet disa herë në bisedat mes trafikantëve.
Prokuroria kërkoi arrestimin e zotit Tahiri, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë provë. Qëndrimi i shumicës dhe veçanërisht i kryeministrit Edi Rama, i cili i kishte dalë gjithmonë në krah, edhe kur gjatë vitit 2016 fenomeni i kultivimit të marijuahës mori një përhapje masive, u pa gjerësisht si një mbrojtje që ju ofrua ish ministrit. Opozita e ktheu këtë çështje në një kalë të betejës së saj politike, duke lëshuar akuza të forta ndaj tij.
Edhe vendimin e tij për të hequr dorë nga mandati i deputetit, ajo e konsideroi si “një manovër politike, pjesë e një pakti Tahiri-Rama për të mashtruar partnerët ndërkombëtarë”, ndërkohë që sipas opozitës, “Prokuroria është nën kontrollin e kryeministrit”.
Në reagimin e tij për vendimin e Gjykatës, kreu i Qeverisë, Edi Rama, shkruajti në Facebook se “vendimi i sotëm për Saimir Tahirin nuk komentohet, thjesht respektohet si një e drejtë e organeve të drejtësisë, të cilat i detyrohen vendit e botës një proces të pavarur, transparent e me integritet të plotë kushtetues e profesional, duke garantuar drejtësi jashtë çdo influence politike, mediatike a diplomatike”.
Për Monika Kryemadhin, drejtuesen e Lëvizjes Socialiste për Integrim “tashmë drejtësia vdiq plotësisht për t’ia lënë vendin përballjes së bandave dhe grupimeve në PS. Tashmë padrejtësia është përballë popullit , sepse drejtësia ka mbetur peng në duart e Edi Ramës dhe bandës së tij”, shkruajti zonja Kryemadhi në një postim në Facebook.

Artikulli paraprakTrump kandidat për çmimin Nobel?
Artikulli tjetërBie edhe Hamburg, mbeten Real, Barça, Inter dhe 25 motra!!!