Kërcënimi i Tahirit që gjunjëzoi Ramën

Mes Ramës dhe Tahirit ka pasur disa raunde takimesh dhe negociatash për të arritur në paktin që Tahiri nuk do të burgosej. Takimet janë zhvilluar për javë me rradhë kryesisht përmes ndërmjetësve të besuar të Ramës dhe herë pas here edhe drejtpërdrejt. Në asnjë rast Tahiri nuk ka pranuar që të shkonte në qeli duke i kujtuar Ramës se ai ka qenë vetëm një zbatues i politikës së tij për kanabizimin e vendit.
Ish-Kryeministri Berisha ka hedhur dritë përmes një postimi mbi kërcënimin që ka gjunjëzuar Ramën.
“Gjer ne varr mbrapa do te me kesh”! Betim/kercenimi i Tahirit para ndarjes me Ramen ne spitalin privat!
“Mirmbrama doktor, ne takimin qe Rama beri me Tahirin ne spitalin amerikan ku Rama tha se kishte shkuar se i dhimbte kerbishti nga nje miku im punonjes sherbimi eshte regjistruar betimi kercenues i Tahirit para largimit ku i thote Rames po me leshove gjer ne varr mbrapa do te me kesh. Mu kujtuan sot keto fjale kur mora vesh ndeshkimin me pupla te Tahirit nga drejtesia me qendrim ne shtepi.Kjo tregon se Rama eshte skllav i Tahirit!” shkruan Berisha në një postim të shkurtër në facebook.

Vendimi i Gjykatës për Tahirin
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të shtunën masë sigurimi “arrest në shtëpie” ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, vetëm pak ditë pasi ky i fundit hoqi dorë nga mandati i deputetit dhe gati 6 muaj pasi Partisa Socialiste e mbrojti atë duke mos autorizuar lejen për arrestimin e kërkuar nga prokuroria.
“Urdhërohet shtetasi nën hetim Saimir Tahiri të mos largohet nga banesa e tij, ndodhur në Tiranë, Rruga “Kodra e Diellit”, Pallati Nr.3”, thuhet në njoftimin e bërë publik nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Vendimi i fundit i gjykatës, që siç mësoi BIRN bëhet thuajse me të njëjtat prova të paraqitura 6 muaj më parë, hedh poshtë pretendimin e kryeministrit Edi Rama se parlamenti nuk kishte marrë funksionet e një gjykate duke bllokuar lejimin e arrestimit ndaj ish deputetit Tahiri.
Gjykata njoftoi po ashtu se Tahiri është i dyshuar për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Në një njoftim për shtyp Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda bën me dije se vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e prokurorisë, duke caktuar “masë të sigurimit personal “arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit nën hetim Saimir Bashkim Tahiri”.
Tahiri ka mohuar akuzat ndaj tij dhe i ka cilësuar ato si sulm politik, madje duke pretenduar edhe për njëlloj “komploti” ndaj tij prej rivalëve në politikë.
Avokati i tij Maks Haxhia i tha BIRN se ende nuk kishte një qëndrim për vendimin e fundit të gjykatës pasi nuk ishte njohur me vendimin. “Nuk jam njohur me përmbajtjen e vendimit, jam njohur vetëm me dispozitivin”, tha Haxhia.

Ndërkohë kryeministri Rama reagoi duke thënë se vendimi nuk duhej komentuar. “Thjesht respektohet si një e drejtë e organeve të drejtësisë, të cilat i detyrohen vendit e botës një proces të pavarur, transparent e me integritet të plotë kushtetues e profesional, duke garantuar drejtësi jashtë çdo influence politike, mediatike a diplomatike”, shkroi Rama në faqen e tij në Facebook. Një qëndrim krejt ndryshe nga ai i 6 muajve më parë, kur Rama akuzoi prokurorinë për qëndrim politik dhe i quajti prokurorët “faturistët e arrestit pa asnjë provë”, kur ata kërkuan lejen e Kuvendit për arrestimin e Tahirit.
Tahiri, 39 vjeç, u zgjodh deputet nga lista e Partisë Socialiste në vitin 2009 dhe u bë Ministër i Brendshëm nën qeverinë e parë Rama më 2013. Suksesi i policisë kundër Lazaratit më 2014, i njohur atëherë si kryeqyteti i kanabisit për Europën, i dha atij lavde ndërsa disa analistë filluan ta shohin si një pasardhës të mundshëm të Ramës në rolin e kryetarit të Partisë Socialiste.
Por në vitin 2015 ai u përball me akuza publike si person i përzjerë në mënyrë aktive në trafikun e drogës. Dritan Zagani, një ish-oficer policie, pretendoi se Tahiri kishte urdhëruar arrestimin e tij për shkak të hetimeve që ai kishte bërë mbi disa kushtërinj të largët dhe mbështetës të Tahirit të njohur si banda e Habilajve. Zagani, i cili u arratis nga Shqipëria për të kërkuar azil politik në Zvicër, deklaroi se Tahiri i kishte dhënë trafikantëve makinën e tij private në mënyrë që ata të mos kontrolloheshin nga policia. Një hetim nga prokuroria në atë kohë i gjeti pretendimet e Zaganit të pavërteta. Opozita sidoqoftë vijoi akuzat duke fajësuar atëherë ministrin Tahiri për kanabizim të vendit.

Tahiri u hoq si Ministër i Brendshëm më 2017 dhe u rizgjodh si deputet pak muaj më vonë. Gjithsesi, në tetor 2017, policia italiane arrestoi një nga vëllezërit Habilaj ndërsa përgjimet e tyre nxorrën në pah marrëdhënien mes Tahirit dhe bandës kriminale. Pas publikimit të përgjimeve italiane, prokurorët shqiptarë kërkuan nga parlamenti leje për arrestimin e tij. Shumica Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë e hodhi poshtë kërkesën si të pabazë dhe të motivuar politikisht. Gjithsesi, kryeministri Rama u përball me presion në rritje brenda dhe jashtë vendit gjatë muajve që pasuan për qëndrimin e tij ndaj kësaj çështjeje.
Presioni u bë më i madh pasi vendi mori një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Në të njëjtën kohë, Tahiri i cili kishte munguar për një kohë të gjatë në kuvend, u paraqit në dy seanca parlamentare dhe më pas në një konferencë për shtyp lexoji një fjalim në të cilin hiqte dorë nga mandati i deputetit.
Duke pretenduar se është viktimë e rrethanave, Tahiri tha se ka një shpjegim për përdorimin e makinës së tij nga anëtarët e Habilajve dhe se ai po luftohet në mënyrë agresive nga opozita për shkak të suksesit të tij në luftën kundër drogës dhe korrupsionit.
“Si qytetar i thjeshtë, vetëm me të drejtën time, familjen, miqtë dhe të gjithë ata që besojnë tek mua, do të përballem me prokurorinë, gjykatën, drejtësinë dhe ligjin. Siç do përballem me palaçot në politikë që kanë vjedhor këtë popull e sot shesin dëngla,” tha Tahiri.
Lënia e mandatit të deputetit i hapi rrugë prokurorisë për të kërkuar masë sigurie ndaj Tahirit. Më herët prokuoria pati dështuar të mbronte në gjykatë bllokimin e pasaportës së Tahirit, por sëfundmi Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën për masë sigurimi personal duke vendosur “arrest shtëpie” për ish-Ministrin e Brendshëm.

Artikulli paraprakSuksesi më i madh i Trump
Artikulli tjetërVendimi për Tahirin, ambasada e SHBA e konsideron “çështje të rëndësishme korrupsioni”