Kërcënimi i Trump për gazjellësin e ri rus drejt BE të financuar edhe nga dy kompani gjermane

Jo Harper
Deri tani ka ekzistuar vetëm në letër – përçuesi i gazit nga veriu i Siberisë, përmes Detit Baltik deri në Evropë. “Gazpërçuesi i Veriut 2 tani duhet të pasojë Gazpërçuesin 1, i cili ekziston që nga viti 2011. Me këtë përçues do të transportohen 55 miliardë kubik/metër të tjera në vit, që është gati dyfish më shumë gaz rus në tregun e Evropës Perëndimore. Qëllimi: deri në fund të vitit 2019 projekti duhet të futet në përdorim. Por në këtë rrugë ka pengesa të shumta.
Plani kontestues
Ky gazpërçues është shumë kontestues dhe ngarkon edhe më shumë raportet mes Rusisë dhe Evropës. Projekti është i kontestuar edhe në Gjermani, por këtu shihet si një mundësi e mirë për zgjidhjen e problemeve të furnizimit me gaz në Evropë. Projektin e shohin me sy kritik në veçanti Polonia, Ukraina dhe vendet e Baltikut. Edhe në SHBA ka vërejtje.
Komisioni Evropian ka frikë se me këtë projekt shtohet varësia e Evropës nga gazi rus. Anëtaret lindore të BE dhe Ukraina kanë frikë se do të anashkalohen nga projekti i ri. Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko ka kërkuar nga Gjermania që të heqë dorë nga ky projekt, sepse kjo do të “shkaktonte bllokadën ekonomike dhe energjitike Ukrainës”. „Pa kalimin e këtij projekti përmes territorit të Ukrainës, shtohet mundësia e shpërthimit të një konflikti të ri të madh Rusi-Ukrainë”, mendon Jurij Vitrenko, drejtor i koncernit ukrainas Naftogaz. Ky projekt do të përçajë BE-në.

Gazpromi
Koncerni kryesor që merret me këtë çështje në Rusi është Gazpromi. Në duart e tij gjendet shumica e gjërave që kanë të bëjnë edhe me projektin Gazpërçuesi Verior 2. Në bordin e këtij koncerni është edhe ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder. Më shumë se 30% e gazit rus eksportohet në Evropë. Rusia synon që të shtojë eksportin në Evropë, ndërkohë që sasia e rezervave të gazit në Gjermani po zvogëlohet. Ngjashëm është situata edhe në Holandë, Angli dhe Norvegji.
Megjithë konfliktin mes Brukselit dhe Moskës për shkak të mosmarrëveshjeve mes tyre, të dyja këto qendra janë të vetëdijshme se kanë nevojë për njëra-tjetrën. Rusia ka nevojë për tregun evropian, ndërsa Evropa për burime të sigurta energjie. Qeveria gjermane ka hedhur poshtë pohime për varësinë e tepërt nga gazi rus. Ajo thotë se sasia e gazit rus në shpenzimet e përgjithshme përbën vetëm 1/3 e nevojave të përgjithshme.
A kërcënohet Evropa nga kriza?
Brenda Schäffer, eksperte për Rusinë, thotë: „Dyshoj se kjo mund të shkaktojë krizë në raportet SHBA-Evropë”. „Ky gazpërçues i sjell energji të pastër Gjermanisë”. Ajo mendon se duhet të shtohet sasia e furnizimit nga burime të tjera, në mënyrë që Gjermania të mos varet nga shuarja e centraleve bërthamore dhe termocentraleve, të cilat janë planifikuar. Raportet mes Rusisë dhe Gjermanisë janë shumë të rëndësishme dhe kjo manifestohet edhe në tregun e gazit. „Dhe e treta, transporti i gazit rus përmes Ukrainës mund të shtrenjtohet”.
Roli i Ukrainës
Gazpërçuesi 2 ka marrë në fillim të vitit të gjitha lejet për ndërtim nga autoritetet gjermane. Kancalarja gjermane Angela Merkel ka thënë gjatë vizitës së saj të fundit në Kiev se pa përcaktimin e qartë të rolit të Ukrainës, ndërtimet në këtë projekt nuk mund të përparojnë. “Ky nuk është vetëm projekt ekonomik por edhe politik”, tha ajo në takimin me Poroshenkon.
Ukraina ka përfituar deri tani nga taksat e tranzitit të gazit nëpër territorin e saj, në vlerë prej miliarda dollarë. Roli i ardhshëm i Ukrainës do të jetë një prej faktorëve thelbësorë në këtë projekt. Rusia pretendon të zvogëlojë varësinë nga Ukraina.

Danimarka, Suedia, Finlanda dhe pengesat financiare
Ndërtimi i Gazpërçuesit duhet të lejohet edhe nga qeveritë në Danimarkë, Finlandë dhe Suedi, sepse ai duhet të kalojë nëpër ujërat e këtij rajoni. Fjalën më të rëndësishme e ka Danimarka, sepse projekti kalon nëpër ujërat e këtij vendi, e Danimarka ka bërë të ditur se projekti mund të miratohet vetëm, nëse merren parasysh interesat e Ukrainës. Presidenti Vladimir Putin thotë se gazi rus do të transportohet përmes territorit të Ukrainës dhe se ky vend nuk do të anashkalohet në tërësi.
Këtu ka edhe probleme financiare. Pjesa më e madhe e projektit financohet nga Gazpromi, por një pjesë financohet edhe nga dy koncerne gjermane: Vintershal dhe Uniper, me nga 950 milionë euro. Në këtë mënyrë respektohen rregullat e BE për konkurrencën. Ndërkohë që një problem tjetër paraqesin edhe sanksionet e BE dhe SHBA. Gazpromi nuk mund të marrë aq lehtë kredi, ndërsa vlera e tij ka rënë nga 350 miliardë dollarë në vitin 2008 në 50 miliardë dollarë.
Edhe SHBA është kundër këtij gazpërçuesi. Nëse në Evropë rrjedh tepër gaz nga Rusia, atëherë mund të zvogëlohen kërkesat për gaz nga SHBA. Ndaj presidenti Donald Trump është shqetësuar. SHBA ka kërcënuar koncernet e energjisë në BE: OMV, Shell, Uniper, Engi dhe Vintershal me dnime financiare.

Artikulli paraprakGondola, ikona e Venecias, rrezikon të zhduket
Artikulli tjetërBarcelona humbi, ja arsyeja qesharake pse Messi nuk u grumbullua