Kushtetuesja: Kokëdhimës i hiqet mandati, fitoi fonde publike kur ishte deputet

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e plotë për heqjen e mandatit të Koço Kokëdhimës. Me një argumentim të gjati, Kushtetuesja është shprehur se “deputeti Koço Kokëdhima ka përfituar fonde publike, gjatë kohës që ishte duke ushtruar mandatin e tij”. Pikërisht kjo ka qenë arsyeja kryesore për largimin e tij në Kuvendi dhe heqjen e mandatit. Ishte Partia Demokratike që denoncoi këtë fakt e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. “Nga aktet e administruara në gjykim rezulton se për vitin 2013, në të cilin janë zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe shtetasi Koço Kokëdhima është zgjedhur deputet, shoqëria “Abissnet” sh.a. ka lidhur kontrata shërbimi me disa institucione shtetërore dhe më konkretisht: kontratat e datës 03.01.2013 me Bashkinë e Elbasanit për ofrimin e shërbimit të internetit dhe të telefonisë fikse, të dyja me afat 1-vjeçar; kontrata e datës 08.01.2013 me komunën e Petrelës për ofrimin e shërbimit të internetit, me afat 1-vjeçar; kontrata e datës 18.01.2013 me Shtëpinë e të Moshuarve Fier për ofrimin e shërbimit të internetit dhe të telefonisë fikse, me afat 1-vjeçar; kontrata e datës 31.01.2013 me Bashkinë e Durrësit për ofrimin e shërbimit të telefonisë fikse, me afat të pacaktuar; kontrata e datës 23.01.2013 me Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike Fier për ofrimin e shërbimit të internetit dhe të telefonisë fikse, me afat 1-vjeçar; kontrata e muajit janar 2013 me Avokatin e Popullit për ofrimin e shërbimit të internetit, me afat 1-vjeçar; kontrata e datës 01.03.2013 me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut për ofrimin e shërbimit të internetit, me afat 10-mujor; kontrata e datës 01.03.2013 me Doganën e Qafë-Thanës për ofrimin e shërbimit të internetit, me afat 1-vjeçar; kontrata e datës 10.04.2013 me komunën e Prezës për ofrimin e shërbimit të internetit, me afat 1-vjeçar; kontrata e datës 02.08.2013 me komunën e Rrashbullit për ofrimin e shërbimit të internetit, me afat 1-vjeçar” thuhet në vendimin e Gjykatës. Gjykata, bazuar në nenin 70/3 të Kushtetutës, vlerëson se shmangia e fitimeve/të ardhurave nga buxheti i shtetit është një detyrim që buron drejtpërdrejt nga kjo dispozitë, e cila ndalon shprehimisht jo vetëm kryerjen e veprimtarisë fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose pushtetit vendor, por edhe që “të fitohen pasuri të këtyre”, pavarësisht mënyrës se si fitohen ato. Në vlerësimin e Gjykatës neni 70/3 i Kushtetutës e lidh papajtueshmërinë me funksionin e deputetit me momentin e ushtrimit të veprimtarisë konkrete fitimprurëse apo ardhjes së të ardhurave nga kjo veprimtari, e cila nuk duhet të përkojë me kohën gjatë së cilës deputeti ushtron funksionin e të zgjedhurit si përfaqësues i popullit. Bazuar në aktet e administruara në gjykim, Gjykata vëren se kontratat e lidhura midis palëve për ofrimin e shërbimit të internetit dhe të telefonisë fikse kanë qenë kontrata me ekzekutim jo të menjëhershëm, por të vazhdueshëm në kohë, për pasojë edhe detyrimet e palëve nga këto kontrata kanë vijuar edhe pas momentit të fitimit të mandatit të deputetit. Gjykata vlerëson se pavarësisht se këto kontrata janë lidhur përpara momentit të shpalljes së tij fitues dhe se shoqëria “Abissnet” sh.a. nuk ka marrë pjesë në asnjë procedurë prokurimi e nuk ka lidhur asnjë kontratë tjetër me institucionet shtetërore pas datës 02.08.2013, këto fakte në aspektin kushtetues nuk e përjashtojnë këtë deputet apriori nga përgjegjësia, për sa kohë që u pranua dhe u provua në gjykim se pavarësisht momentit se kur kanë lindur apo kanë filluar marrëdhëniet juridike mes palëve, shoqëria tregtare, ku deputeti Koço Kokëdhima ka qenë aksionar i vetëm, ka vijuar të ketë të ardhura që kanë buruar nga pasuria e shtetit edhe gjatë ushtrimit të mandatit të deputetit. Sipas akteve të administruara në gjykim rezulton se edhe pse deputeti Koço Kokëdhima është shpallur fitues në datën 02.08.2013, të ardhurat nga kontratat e lidhura nga shoqëria “Abissnet” sh.a. kanë vijuar edhe pas kësaj date, si pasojë e pagesave që janë bërë për llogari të kësaj shoqërie nga institucionet shtetërore. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se nga data kur është shpallur deputet (02.08.2013) deri në datën e tjetërsimit të aksioneve të tij në shoqërinë “Abissnet” sh.a. (06.02.2014), Koço Kokëdhima ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë, së pari, për shkak të zhvillimit të aktivitetit tregtar të shoqërisë ku ai ishte aksionar i vetëm me fonde që burojnë nga buxheti i shtetit dhe, së dyti, për shkak të përfitimit të fondeve nga buxheti i shtetit. Edhe nëse deputeti nuk ka përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kontratat e lidhura nga shoqëria ku ai ishte aksionar, pra shumat e përfituara nuk janë derdhur në llogarinë e tij si person fizik, ato kanë sjellë të ardhura në mënyrë indirekte për të, duke rritur kapitalin e shoqërisë, për pasojë edhe vlerën e aksioneve që ai zotëronte, çka do të thotë se në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo veprimtaria e shoqërisë ka qenë fitimprurëse edhe për aksionarët e saj. Pavarësisht mënyrës se si ushtrohet një veprimtari e caktuar ekonomike, nga deputeti si person fizik apo në një nga format e tjera të organizimit në një shoqëri tregtare ku ai merr pjesë, në aspektin kushtetues është e rëndësishme që kjo veprimtari fitimprurëse të mos burojë nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitohen pasuri të këtyre, pavarësisht qëllimit për të cilin përdoren apo destinacionit final të këtyre të ardhurave. Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se deputeti Koço Kokëdhima ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, në kuptim të nenit 70/3 të Kushtetutës.

Artikulli paraprakPD do të ulë me 7.7 lekë/kw çmimin e energjisë për konsumatorin
Artikulli tjetërRrëmbehet si nëpër filma një person në Tiranë