Prokurorja Rovena Gashi dhe bashkëshorti i saj, Dritan Gina, janë hetuar për rreth dy muaj nga prokurorja e Durrësit, Ornela Rrumbullaku, bashkëshorti i së cilës është ortak biznesi me vëllain e ish-deputetit Shkëlqim Selami. Ky i fundit humbi mandatin e deputetit për shkak të Dekriminalizimit, në bazë të verifikimeve të kryera nga struktura e drejtuar pikërisht nga Rovena Gashi.
Ornela Rrumbullaku është një prokurore e komanduar në Prokurorinë e Durrësit, e cila po trajton disa nga çështjet që kanë një interes të veçantë për Kryeprokuroren e Përkoshhme, Arta Marku. Madje, ishte kjo e fundit që, sapo mori detyrën në krye të institucionit, firmosi lëvizjen e Rrumbullakut nga Kavaja për në Prokurorinë e Durrësit.
Por, “Boldnews.al” ka zbuluar një skemë, e cila lidhet me politikën në këtë lëvizje, e cila duket si “rutinore”. Por që vetëm e tillë nuk është. Kryeprokurorja Arta Marku, në kundërshtim me ligjin, hoqi nga detyra ish-drejtuesin e Prokurorisë së Durrësit dhe e zëvendësoi me mikeshën e saj, Donika Prela. Po në kundërshtim me ligjin dhe me premtimin e saj para Komisionit të Ligjeve që nuk do të kryente më komandime, ajo komandoi prokuroren Ornela Rrumbullaku në Prokurorinë e Durrësit. Mesa duket, synimi ka qenë përgatitja e terrenit të përshtatshëm nga ana e Kryeprokurores së Përkohshme.
Prokurorja Rrumbullaku u ngarkua me disa nga hetimet më mediatike të momentit- hetimin për ekstadimin e “financierit të Habilajve”, Nezar Seitit dhe hetimin për çiftin e prokurorëve Rovena Gashi dhe Dritan Gina.
Kjo zgjedhje nuk duket se ka qenë rastësore. “Boldnews.al” ka siguruar dokumenta, në të cilat rezulton se bashkëshorti i prokurores Ornela Rrumbullaku, Alban Mësonjësi është bashkëpronar në aktivitetin privat “Instituti Privat i Vuajtjes së Dënimit Sarandë” me shtetasin Adriatik Selami. Ky i fundit është vëllai i ish-deputetit Shkëlqim Selami, i cili humbi mandatin për shkak se prokurorja Rovena Gashi konstatoi se ai ishte në shkelje të ligjit “Për dekriminalizimin”.
Shkëlqim Selami, i cili mori mandatin e deputetit nga Lëvizja Socialiste për Integrim, ndryshoi rrugës dhe u afrua shumë me Partinë Socialiste. Madje, edhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët janë zgjedhur me mbështetjen e PS, votuan kundër ndërprerjes së mandatit të tij, i cili gjithësesi u shkarkua për shkak të numrit më të lartë të votave të opozitës së djathë në KQZ.
Bashkëshorti i prokurores së “hetimeve të rëndësishme” të Prokurorisë së Durrësit, Alban Mësonjësi, ka nisur aktivitetin e përbashkët privat me Adriatik Selamin, vëllain e ish-deputetit Shkëlqim Selami në shtator 2014 dhe vijojnë të jenë ende bashkëpronarë.
Duket qartë se Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku ka zgjedhur njerëzit e duhur për të përmbushur hakmarrjen e saj ndaj çiftit Gashi-Gina, të cilët u përplasën ashpër ligjërisht dhe institucionalisht me Kryeprokuroren e Përkohshme. Arta Marku, në mënyrë të kundërligjshme caktoi kryeprokuroren e Durrësit, Donika Prela, e cila rezultoi shumë e bindur për çdo kërkesë të shefes së saj në hetimin e bashkëshortëve prokurorë. Gjithashtu, Prelës i atashoi prokuroren Ornela Rrumbullaku, bashkëshorti i të cilës fiton para me familjarë të personave të penalizuar nga prokurorja Rovena Gashi.
“Boldnews.al”