Gianluigi Buffon ka lajmëruar se do të largohet nga Juventus në fundin e këtij sezoni. Portieri italian ka vendosur t’i japë fund aventurës së tij të shtunën me bardhezinjtë pas 17 vitesh, por ka zbuluar se nuk do të tërhiqet nga futbolli i luajtur.
Numri 1 i “Zonjës” ka dalë në konferencë për shtyp bashkë me presidentin Agnelli dhe, i mallëngjyer, ka thënë: “Dua të falënderoj presidentin, Juventus për mua është diçka më shumë. Në këto vite kemi krijuar një marrëdhënie unike”.
“Ajo e së shtunës do të jetë ndeshja ime e fundit me Juventus-in, besoj se është mënyra më e mirë për ta mbyllur këtë aventurë me dy fitore të tjera të rëndësishme. Nëse jam akoma këtu në moshën 40-vjeçare, kjo ka ndodhur vetëm falë Juventus, që mori një talent të jashtëzakonshëm në 2001-in dhe e ktheu në kampion”.
Në lidhje me të ardhmen e tij: “Çfarë do të bëj? Të shtunën do të luaj dhe kjo është e vetmja gjë e sigurt. Kam një marrëdhënie unike me presidentin dhe ai e di se çfarë po ndodh rreth meje. Është një këshilltar nga i cili nuk dua të heq dorë. Deri para 15 ditësh dihej se do të tërhiqesha, por tani kanë ardhur disa oferta stimuluese brenda dhe jashtë fushës”.
“Pas këtyre ditëve të mbushura me emocione të forta, besoj se javën e ardhshme do të jem në gjendje të marr një vendim përfundimtar”.