Antoine Griezmann duhet të vendosë për të ardhmen e tij në ditët në vazhdim dhe për ta mbajtur në “Wanda Metrolpolitano” Atletico Madrid po bën gjithçka mundet.
Një pagë të lartë dhe një projekt mjaft ambicioz, që synon rritë edhe më shumë prestigjin e klubit madrilen në vitet në vazhdim. Vazhdimësia e francezit me fanellën “bardhekuqe” varet vetëm nga ai, sepse Atletico i ka afruar maksimumin e mundshëm, që të ndihet më i rëndësishëm te kjo skuadër.
Griezmann e ka në tavolinë ofertën e rinovimit të kontratës. Drejtuesit e Atleticos janë munduar ta mbajnë të fshehur shifrën, por është zbuluar se bëhet fjalë për 20 milionë euro në vit. Francezi e ka të qartë se asnjë klub tjetër nuk do të jetë i gatshëm për t’i siguruar një pagë të tillë. Vetëm Lionel Messi, Cristiano Ronaldo apo Neymar do të përfitonin më shumë se Griezmann. Nëse do të vendosë të largohet, kuptohet qartë që nuk do ta bëjë për para.
Drejtuesit i kanë siguruar se për sezonin 2018-2019 Altetico do të jetë shumë më e fortë, sepse askush nuk do të largohet, përkundrazi, do të ketë vetëm përforcime cilësore.
Griezmann është informuar edhe për investimet e madha në infrastrukturë. Pranë stadiumit “Wanda Metropolitano” do të ndërtohet një kompleks modern sportiv, me francezin që do të jetë imazhi i klubit në të gjitha aspektet.
Griezmann e ka të qartë se tek Atletico është në qendër të vëmendjes dhe shumë i respektuar, status që s’do të mund ta ketë kurrë te Barcelona, kur në plan të parë janë figura të tilla si Messi, Pique apo Busquets.
Griezmann duhet të vendosë nëse do të mbetet “mbret” te një klub në rritje si Atletico, apo do të luajë përkrah Messit te “blaugranat”, ku sigurisht nuk mund të jetë protagonisti kryesor.