Gianluigi Buffon ka zyrtarizuar lamtumirën nga Juventusi përmes një konference për shtyp, sot, pas 17 viteve shërbimi në klubin bardhezi, por për habinë e të gjithëve nuk ka njoftuar tërheqjen nga futbolli i luajtur, siç pritej. Portieri ka thënë se ideja e tij ishte t’i varte dorezat në gozhdë, por në orët e fundit ka marrë “oferta shumë stimuluese”.
“La Gazzetta dello Sport” thotë se portieri italian kishte marrë propozime nga SHBA dhe Kina. Ai, madje, mori një ofertë edhe nga Argjentina, përkatësisht nga Boca Juniors, por të gjitha janë hedhur poshtë, sepse, me sa duket, 40-vjeçari nuk dëshiron ta përfundojë karrierën e tij në një klub tjetër, përveç të klasit të parë.
Dhe ato “oferta stimuluese”, që do ta pengonin atë të dalë në pension, janë, sipas “La Gazzetta”, katër në veçanti. E para, që duket më pak tërheqëse, është Sporting i Lisbonës, ekip i cili ka Rui Patricio “mes shtyllash”. Ajo që tingëllon me më shumë forcë është mundësia “Liverpool”, oferta nga Jürgen Klopp.
Por, pikërisht Real Madridi dhe PSG kanë qenë skuadrat e fundit, që kanë hyrë në skenë. Klubi mbretëror spanjoll do ta kishte për nder të bënte të vetin një nga objektivat e veta më të lakmuara në dekadën e fundit, edhe pse nuk është e qartë nëse Zinedine Zidane do ta aktivizonte si titullar, apo si zëvendës të Keylor Navas. PSG, ndërkohë, nuk ka asnjë kundërshtim për të bërë një përpjekje për një portier 40 vjeç, sepse nuk është i kënaqur nga paraqitja e Alphonse Areola dhe Kevin Trapp.