Një i ri u vra në komisariatin e policisë së Korçës nga torturat çnjerëzore njëlloj si në kohën e Sigurimit të Shtetit. 27 vjeçari Enea Ftoj, baba i tre fëmijëve vdiq në qelinë e policisë Korçës si pasojë e torturave të instaluara në polici nga ministri Fatmir Xhafa, i cili njihet për torturat e tij në burgje gjatë kohës që ka punuar si hetues i Sigurimit të Shtetit. Të njëjtat metoda që xhelati Xhafa ka ndjekur në kohën e komunizmit, që “thyente kockat e të burgosurve”, po përdoren tashmë në polici me emërimin e tij në krye të Ministrisë së Brendshme.
Fatmir Xhafa gjatë regjimit komunist ka qenë hetuesi i Sigurimit të Shtetit në Krujë ku ka torturuar qytetarë në burgje. Njëri ndër ta është edhe Xhavit Koni, i cili tregoi para disa kohësh për gazetën “RD” se si ishte torturuar nga xhelati Xhafa, ndonëse ishte minoren. Ai gjatë hetuesisë do të duronte tortura nga më të tmerrshmet nga xhelati Xhafa, që nga shkulja e dhëmbëve me darë dhe deri tek vendosja e vezëve të ziera poshtë sqetullave. Por xhelati Xhafa nuk është mjaftuar me kaq. Ai ka ushtruar dhunë edhe ndaj motrës së tij, Valbon. Imagjinoni një vajzë 17 vjeçe që rrihet në mënyrë shtazarake nga Xhafa.
Opinioni publik ka reaguar ashpër për vdekjen e të riut Enea Ftoj në qelinë e policisë së Korçës, ndërsa ministri Xhafa dhe Ministria që ai drejton nuk kanë bërë asnjë reagim. Xhafa nuk ka se si të reagojë për këtë ngjarje makabre sepse ai është instaluesi i metodave të Sigurimit të Shtetit në Polici, por është për të ardhur keq se, as shoqtat e të Drejtave të Njeriut nuk kanë reaguar për këtë ngjarje të rëndë.
Televizioni Top Channel i ka kushtuar një shkrim të gjatë ngjarjes së Korçës dhe dy standartet e ministrit Xhafa. “Enea Ftoj, baba i tre femijëve dhe vetëm 27 vjeç, vdiq në qelitë e Policisë së Korçës. Familjarët e tij thanë se policia e rrahu deri në vdekje, ndërkohë që nuk kishte bërë asgjë në krahasim me vëllain e Fatmir Xhafës, që u mor në mbrojtje nga policia. Ministri i Brendshëm nuk tha asnjë fjalë për Fatkeqin nga Korça, që u ngeli në duar policëve.
Për Drejtorinë e Policisë së Korcës ka patur edhe më parë ankesa për përdorim dhune përtej kufijëve të ligjit. E megjithëse u bënë dy ditë nga vdekja e Enea Ftojit, Fatmir Xhafaj ende nuk thënë asnjë fjalë për këtë rast.
Ai u mor dhe po merret vetëm me mbrojtjen e vëllait, ndërkohë që një njeri vdiste në ambientet e Policisë së Shtetit, duke ngritur pyetjen: për kë punojnë zyrtarët e lartë, për qytetarët, apo për familjet e tyre?
Duke parë sjelljen tërësisht ndryshe, krahasuar me Agronin është e qartë se kush është Fatmiri dhe kush është Fatkeqi. Shqipëria është e ndarë prej kohësh në Fatmirë dhe Fatkeqë. Fatmirët janë të gjithë ata që kanë pushtet dhe fatkeqët të gjithë ata që qeverisen prej tyre dhe të pambrojtur nga askush përfundojnë në dhunë deri në vdekje, siç është rasti i fatkeqit të Korçës, Enea Ftoj.
Këto janë dy standardet e shtetit, që ende po hesht për Fatkeqin. Tre fëmijë kanë mbetur jetimë, sepse siç pretendojne ata dhe nëna e tyre, policia jo vetëm që nuk ua mbrojti babain, por ua keqtrajtoi deri në vdekje.
Në një shtet që nuk drejtohet nga Fatmirët kundër Fatkeqëve, policët që keqtrajtuan Enea Ftojin në qelitë e Komisariatit, minimalisht duhet të pezulloheshin deri sa hetimi të përfundonte. Por, për Fatkeqin e Korçës ka vetëm një reagim tërësisht injorues dhe jo njerëzor të policisë,që mundohet ta mbulojnë ngjarjen si “vdekje e zakonshme e një përdoruesi heroine, që dyshohej për vjedhje”, a thua se ata që shoqerohen për këto krime të lehta duhet të ndëshkohen me vdekje nga shteti. Ky është një qëndrim shumë cinik, ndërsa as ndjesë nuk i kërkohet familjes.
Në një rast të ngjashëm para disa kohësh në Shtetet e Bashkuara shpërthyen protesta. Në Nju Jork gjatë arrestimit të dhunshëm të një shitësi ilegal cigaresh, i ndaluari vdes i asfiksuar. Protestat zgjatën, ndërsa reagoi edhe ish-Presidenti Obama, por në Korçë vetëm familjarët protestuan, ndërsa në Tiranë shoqëria civile ka nisur pushimin e fundjavës.
Kjo është shoqëria e Fatmirëve dhe Fatkeqëve, e cila do të vazhdojë derisa të mos ketë drejtësi të barabartë dhe derisa shteti të jetë i Fatmirëve dhe pasojat të jenë të Fatkeqëve.
Ngushëllime Enea Ftojit dhe familjës së tij, me shpresë se koha e Fatmirëve po mbaron, në dobi të Fatkeqëve!”, shkruan Top Channel.