Përgjakja e rrugëve, 61 të vrarë në katër muaj

Aksidentet rrugore vijojnë të jenë shkaktari kryesor i vdekjeve në moshat e reja, duke bërë që Shqipëria ende të renditet ndër vendet e para në Europe për jetët e humbura, teksa ka numrin më të ulët të automjeteve për frymë.
Në katërmujorin e parë 2018, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 61, duke u ulur me 20,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
INSTAT bëri me dije sot se në muajin prill 2018, numri i vdekurve nga aksidentet rrugore ishte 14 persona, nga 22 që ishte një vit me parë për të njëjtën periudhë, duke u ulur me 36,4 %. Në katër mujorin e parë 2018, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore ishte 61, duke u ulur me 20,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në muajin Prill 2018 numërohen 134 aksidente rrugore, nga 150 aksidente të ndodhur në Prill 2017, duke u ulur me 10,7 %.
Ndërsa numri i personave të aksidentuar ishte 168 persona, nga 190 që ishte një vit më parë, duke u ulur 11,6 %. Numri i të aksidentuarve në katërmujorin e parë 2018 është 651, duke u ulur me 9,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në Prill 2018, aksidentet rrugore, në 85,1 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grupmosha 25 – 35 vjeç, duke zënë 30,6 % dhe ulur me 12,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në katërmujorin e parë 2018, aksidentet rrugore, në 19,8 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është rritur 19,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Fokusimi i politikës së qeverisëse për të rritjen e sigurisë rrugore me qëllim uljen e aksidenteve në rrugë me 40% (viti referencë 2009) deri më 2020, duket se nuk po funksionon.
Në një analizë më të hershme të Bankës Botërore thuhet se shkaku kryesor i aksidenteve është planifikimi i rrugëve, duke përfshirë dhe rastet kur për shkak të planifikimit përzihen përdoruesit vulnerabël të rrugës në trafik (për shembull, për shkak të mungesës së kryqëzimeve apo trotuareve).
Në bazë të këtij konkluzioni, qeveria shqiptare dhe Banka Botërore kanë nënshkruar marrëveshjen e huas prej 65.9 milionë eurosh, shumë e cila do të shkojë me qëllim mirëmbajtjen dhe sigurinë në rrugë, që parashikon ruajtjen e aseteve rrugore, për të siguruar investimin e madh të qeverisë shqiptare në rreth 1400 km rrugë që do të mirëmbahen me një standard të ri.
Kjo hua është pjesë e një projekti që bashkëfinancohet edhe nga qeveria shqiptare me një vlerë prej 41.2 milionë euro. Projekti do të zbatohet nga Ministria e Transportit dhe infrastrukturës nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe parashikohet të përfundojë më 31 Dhjetor 2021).
Ky projekt ka nisur nga zbatimi që në vitin 2016, por nuk po jep efekte në uljen e aksidenteve në rrugë. Edhe pse fondet për sigurinë rrugore po vijnë me rritje, aksidentet në rrugë po vijnë në trend rritje gjithashtu.

Artikulli paraprakGuardiola përgatit ofertën e çmendur për yllin e Chelsea
Artikulli tjetër460 milionë euro të drogës dhe krimit qeveritar fundosën monedhën europiane