Koha për ta zëvendësuar Presidentin e Gjermanisë ndoshta nuk është edhe aq e përshtatshme. Pasardhësi i Gauckut në post do të zgjidhet vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. Kjo do të jetë një periudhë, kur partitë tradicionale do të luftojnë në votime për vota në zgjedhjet më të fundit rajonale.
Megjithëse posti i Presidentit të Gjermanisë është një post jopolitik, është detyrë e zakonshme e partive në Gjermani që ose të gjejnë një kandidat të përbashkët, ose të gjejnë kandidatë të vetët. Revista “Spiegel” bëri të ditur në botimin e saj online se, deklarata e Gauckut bën që fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të nisë 15 muaj më herët. Kjo është një situatë, e cila përmban konflikte dhe Kancelarja Angela Merkel do të kishte preferuar ta kishte shmangur.
Pasardhës të mundshëm
Zyrtarisht askush në Berlin nuk dëshiron të shprehet për emra konkretë, për kandidatë për President. Por në diskutimet që bëhen, disa emra përmenden më shpesh.
Norbert Lammert është aktualisht President i Bundestagut dhe ka në këtë mënyrë postin e dytë për nga rangu në shtet. 67-vjeçari konsiderohet si kandidat i mundshëm i CDU/CSU. Përparësia e tij: ai ka përvojë të madhe politike dhe megjithëse është konservator ka prestigj të lartë edhe te opozita. Para së gjithash, prestigj gëzon ai te Të Gjelbrit, parti e cila mund të ftohet si partner i mundshëm koalicioni në qeveri në vjeshtë 2017 nga CDU, në vend të SPD së dobësuar.
Wolfgang Schäuble, ministri gjerman i Financave, nuk dihet nëse është i gatshëm të kandidojë për postin. Në zgjedhjet 12 vjet më parë, ai nuk e pati mbështetjen e Kancelares. Dhe përsa i përket moshës, ai është vetëm pak vjet më i ri se Gaucku. Ursula von der Leyen, ministrja gjermane e Mbrojtjes dhe Annegret Kramp-Karrenbauer, Kryeministrja e Landit të Zarës, konsiderohen si kandidate me më pak shanse.
Mbetet Gerda Hasselfeldt, 66 vjeç, e cila prej vitit 2005 deri në 2011 ka qenë zëvendëspresidente e Bundestagut dhe tani është kryetare e Grupit bavarez të Landit të CSU-së. Me të, Angela Merkel mund të qetësonte kryeministrin e pakënaqur të Bavarisë, Horst Seehofer.
Frank Walter Steinmeier u përmend para disa muajsh si kandidat i mundshëm i përbashkët i partive unioniste dhe i SPD. Në sondazhe, ai është politikani më i preferuar socialdemokrat dhe aktualisht ministër i Jashtëm. Puna e tij e suksesshme konsiderohet përparësi e tij. Por krahu i majtë i SPD-së nuk e preferon. Kryetari i SPD-së, Sigmar Gabriel ua preu sot shkurt përfaqësuesve të medieve: “Për spekulimet rreth postit të Presidentit Federal të Gjermanisë, unë nuk them asgjë dhe as nuk marr pjesë në to”. Gabrieli tha se, Steinmeier është një ministër i shkëlqyer, “i cili dëshiron ta mbajë postin që ka, në bazë të të gjitha atyre që di unë”.
Presidentin e Gjermanisë e zgjedh një asamble e posaçme, kur është e nevojshme në tri raunde njëra pas tjetrës. Në raundin e tretë, Presidenti mund të zgjidhet me një shumicë të thjeshtë votash, pra zakonisht me votat e Partisë në pushtet, e cila ka edhe më shumë përfaqësues në mbledhje. Asambleja federale për zgjedhjen e Presidentit përbëhet nga më shumë se 1000 vetë – shumë prej tyre politikanë. Në të marrin pjesë edhe personalitete të njohura, yje të sportit dhe figura të tjera publike të zgjedhura për këtë asamble nga partitë politike.