Punë shkrydhëse për muskujt në palestër dhe ushtrime aerobike nën drejtimin e përgatitësit atletik, Alberto Belle. Në ditët e fundit, përpara debutimit në Kampionatin Europian, Kombëtarja shqiptare po përqendrohet më së shumti te rritja e formës së lojtarëve dhe rikuperimi i energjive.
I vetmi që mungoi në seancën e shkurtër stërvitore të paradites ishte mbrojtësi Mërgim Mavraj. Titullari i Kombëtares iu nënshtrua terapisë intensive, për shkak të lodhjes muskulore.
Stafi mjekësor i kuqezinjve dha garanci për gjendjen e mbrojtësit, i cili nuk vuan asnjë dëmtim, por pas pushimit të paradites do t’i bashkohet normalisht skuadrës në stërvitjen e pasdites, në orën 17:30 në stadiumin “Iv Le Genot” në Perros Guirec. “Asnjë nga lojtarët nuk ka shfaqur probleme fizike apo dëmtimi, por vetëm disa prej tyre vuajnë nga lodhja muskulore, pas një sezoni të gjatë dhe angazhimit përpara Kampionatit Europian”, tha përfaqësuesi i stafit mjekësor.
Në prag të debutimin në Euro 2016, sfida më e madhe e stafit teknik të Kombëtares, të drejtuar nga Gianni De Biasi është që skuadra të arrijnë në formë optimale fizike dhe me kontingjent të plotë në ndeshjen e parë në grup, më 11 qershor ndaj Zvicrës.