Në fillim një xhiro me barkë në liqenin e Gjenevës dhe më pas fluturim nga aeroporti drejt një destinacioni ku shpresojnë të qëndrojnë sa më gjatë. Futbollistët e kombëtares zvicerane fluturuan drejt Francës për Europianin 2016 që starton më 10 qershor, por në opinionet e protagonistëve të formacionit helvetik, u dallua frika për atentate potenciale terroriste, grevën që ka pushtuar Francën dhe kaosin për shkak të emigrantëve.
Sulmuesi kosovar Shani Tarashaj ishte mes futbollistëve kryesorë që shfaqën këtë shqetësim për mediat zvicerane. 21-vjeçari që është në pronësi të skuadrës së Everton, largoi vëmendjen nga fusha për ta zhvendosur tek masat e sigurisë që po merren në vendin transalpin. Michael Lang, Roman Burki e shumë të tjerë, fokusuan gjithashtu çështjen e sigurisë dhe sulmeve terroriste, aq shumë aktuale në muajt e fundit.