Stërvitja e parë!

Kombëtarja shqiptare zhvilloi seancën e parë stërvitore në Perros Guirec, ku do të jetë e akamoduar të paktën deri në përfundim të fazës së grupeve të Euro 2016. Kuqezinjtë mbërritën në stadiumin modest Iv Le Genot, në masa të rrepta sigurie, në orën 17:50, ndërsa 10 minuta më pas nisën stërvitjen nën urdhrat e De Biasit, që e kishte të plotë grupin dhe në kondicionin e duhur fizik. Si zakonisht, përgatitjet startuan me ushtrimet e nxemjes, më pas gjithçka u fokusua në taktikë. Me urdhër të De Biasit, mediat u lejuan ta ndiqnin stërvitjen vetëm gjatë 15 minutave të para, për të mos dhënë asnjë indikacion, përsa u përket aspekteve ku do të jenë përqendruar kuqezinjtë para sfidës së parë me Zvicrën.
Stadiumi ku do të zhvillojë stërvitjen përfaqësuesja shqiptare është izloluar në çdo cep të saj, që askush përtej rrethimit të mos ketë mundësi të shohë se çfarë ndodh në fushën e blertë. Edhe banorët e shtëpive përreth stadiumit janë paralajmëruar që të mos dalin në dritare apo ballkon gjatë kohës së stërvitjes. Nga informacionet paraprake mësohet se, masat e sugurisë janë ekstreme, pasi francezët u druhen edhe ndonjë sulmi të mundshëm të tifozëve serbë si në hotelin kur është grumbulluar kombëtarja ashtu edhe në fushën stërvitore.
Vetëm gjatë seancës së parë, ishin të angazhuar për mbarëvajtjen e stërvitjes rreth 15 forca të sigurisë dhe 12 pjesëtarë të forcave speciale franceze. Përveç gazetarëve shqiptarë në stadiumin e “Perros Guirec” ishin të pranishëm rreth 15 pjesëtarë të mediave franceze dhe zvicerane, për faktin e thjeshtë se, sfida e parë e Shqipërisë do të jetë ajo me përfaqësuesen e Zvicrës.
Mbërritja e Kombëtares Shqiptare është padyshim një eveniment për t’u shënuar për qytezën e “Perros-Guirec”. Kuqezinjtë e De Biasit e kanë gjetur veten pothuajse në një Shqipëri të vogël në lokalitetin me rreth 7 mijë e 300 banorë në krahinën e Bretanjës, në Francën veriperindimore që i ka rezervuar një mikpritje mjaft të ngrohtë ekipit të Kombëtares Shqiptare. Nisur ndoshta dhe nga historiku i rajonit, më shumë prej banorëve që janë të lidhur në aspektin social kulturor më tepër me Anglinë shumë prej banorëve janë ndier instiktivisht paksa tifozë me Shqipërinë, duke vendosur nëpër dritare shaje me simbolet tona kombëtare, apo edhe flamurin shqiptar, objekte këto që hasen edhe nëpër vitrinat e bizneseve vendase. Për ta bërë Shqipërinë të ndihet si në shtëpinë e saj, kanë menduar dhe organet e pushtetit vendor, me vendosjen në rrugët e qytetit të banderolave, ku i urohet mirëseardhja ekipit tonë kombëtar në gjuhën shqipe. Vëmendja e tyre për t’i rezervuar Shqipërisë një mikpritje të denjë është e lehtë të lexohet dhe në fjalët e kryebashkiakut të qytezës Erven Leon në intervistën e tij ekskluzive për Supersport.
Banorë mikëpritës, simbolet kombëtare nëpër rrugët e qytetit dhe padyshim tifozë të rinj në “Perros Guirec” aty ku banorët janë të entuziazmuar nga prania e Kombëtares Shqiptare shumë prej të cilëve ju bën pak përshtypje se si kundërshtar kuqezinjtë do të kenë pikërisht Francën. E rëndësishme është se kuqezinjtë kanë gjetur një Shqipëri të vogël dhe shumë dashuri në shtëpinë e tyre të re.

Artikulli paraprak“Blick”: Fanellat shqiptare shiten si ora zvicerane!
Artikulli tjetërHitzfeld: Zvicra fiton 2-0 me Shqipërinë