Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar një foto ku shfaqet vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama bashkë me Vangjush Dakon në një lokal tek ish-Blloku.
“Olsi dhe Gjushi në Bllok, në pritje për të festuar me Sajen!”, shkruan Berisha teksa publikon edhe foton.
Ditën e sotme, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri doli para Gjykatës së Apelit dhe kjo gjykatë vendosi që të hiqej çdo masë sigurie për të duke e lënë të lirë.
“Nuk ka prova për Saimir Tahirin. Përfundimisht Tahiri është pa masë sigurie. Gjykata shfuqizon masën ndaj ish-ministrit. Prokuroria nuk ka asnjë provë ndaj ish-ministrit. Kjo nuk është një fitore, por vendim i bazuar në ligj”, u shpreh avokati i Tahirit, Maks Haxhia.
Në lidhje me këtë vendim Berisha u shpreh se sot po feston mafia në vend.
Menjëherë pasi Apeli i Krimeve të Rënda e liroi nga “arresti shtëpiak”, Saimir Tahiri vendosi ta festonte këtë moment, duke biseduar me miqtë që u panë teksa konsumonin birra në banesën e ish ministrit. Kamera e Ora News ka filmuar lëvizjet e ish-ministrit të Brendshëm, i cili në hyrje të pallatit ku banon, nuk pranoi ta komentonte vendimin e gjykatës.