Mbledhja e sotme të Komisionit të Mediave po zhvillohet me tensione dhe përplasje mes deputetëve, teksa kryetarja e këtij Komisioni, Albana Vokshi vuri si temë dite, dhunën që ushtroi policia ndaj kryeredaktorit të “RD”, Bledi Kasmi. Deputetja e PD-së bëri thirrje që kolegët e saj të reagonin, duke thënë se dhuna është e patolerueshme.
Por gjatë fjalës së saj është ndeshur me reagimin e deputetit të PS, Fidel Ylli, i cili tha se, “Kasmi nuk kishte shkuar në protestë si gazetar”. Ai shkoi më tej duke thënë se në shesh janë vrarë deputetë, gjë e cila në dijeninë tonë nuk ka ndodhur.
Vokshi: Në datë 26 kryeredaktori i ‘RD’, Bledi Kasmi është goditur në mënyrë të qëllimshme në kokë nga Forcat Speciale me urdhër të Ramës. Plaga ka qenë e thellë, ka marrë 10 qepje në kokë. Kam hartuar një deklaratë për të firmosur, ju ftoj edhe ju, për lirinë e medias dhe shtypit.
Dhuna ndaj kryeredaktorit është e patolerueshme. Ne deputetët e këtij komisioni dënojmë me forcë dhunën ndaj kryeredaktorit të medias së parë të lirë në Shqipëri. Kasmi u godit nga policia. Mjekët nuk u trembën nga kërkesa për të manipuluar raportin mjekësor. Kërkojmë thirrjen me urgjencë në seancë të Kasmit, zbardhjen e kësaj ngjarje dhe i bëjmë thirrje Ramës dhe Xhafës që të dënojnë dhunën. Kërkojmë hetim menjëherë për Kasmin. Dënojmë dhunën e ushtruar ndaj fjalës së lirë.
Të njëjtën gjë kërkoi edhe deputeti tjetër demokrat Luçiano Boçi. “Të dalim me rezolutë kundër dhunës së gazetarëve”, u shpreh Boçi në Komision.