Raportet e para tregojnë se në zona të caktuara në të gjithë vendin ka rinisur mbjellja e kanabisit. Ndonëse jo në mënyrë aq popullore sa dy vite më parë, duket se trafikantët po kërkojnë të fitojnë terrenin e humbur në kultivimin e kanabisit.
“RD” disponon prova dhe fakte filmike mbi mbjelljen e maleve me drogë, të cilat do të bëhen publike në ditët e ardhshme. Trafikantët që kanë rinisur aktivitetin në fushën e kanabisit po rikthejnë hashashizimin në ato zona që janë nën kontrollin e plotë të pushtetarëve lokalë të PS si dhe të deputetëve të kësaj force politike.
Këta pushtetarë kanë arrirur akordin me drejtuesit lokalë të policisë për të vijuar mbjelljen duke i dhënë garanci. Megjithatë duke qenë jo shumë të sigurtë garantët në policitë lokale gjejnë një klauzolë në lejen që japin për mbjelljen e kanabisit duke u shprehur se “nuk kemi çfarë të bëjmë nëse kontrollet do të vijnë nga qendra”.
Ajo që është evidente në këto ditë është se kudo ka nisur puna. Punëtorët punojnë përgjatë gjithë ditës. Janë siguruar depozitat dhe gropat e ujit dhe puna e vaditjes po bën që hashashi në këto momente të kalojë lartësinë e 30 centimetrave. Zonat janë larg syrit të kalimtarëve dhe kryeisht shpate malesh apo pyje ku mbrohen nga njerëz të armatosur.
Nuk ka ndryshuar taktika e punës së trafikantëve. Ajo është e njëjtë si edhe tre vite më parë. Droga ka si garantë tashmë jo vetëm pushtetin lokal dhe të zgjedhurit në Parlament në PS, por tani janë shtuar edhe institucionet që janë të paralizuara në goditjen e mbjelljes së vendit me drogë.
Nëse deri dy vite më parë ishte e kapur tërëisht policia që ishte palë në mbjelljen e vendit me drogë, tani janë shtuar edhe dy institucione të tjera të kapura nga Rama prej të cilave nuk pritet të ketë asnjë lloj reagimi në lidhje me mbjelljes e reja me hashash.
Ndryshe nga dy vite më parë kur operacionet kundër drogës drejtoheshin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Shërbimin Informativ, tani të dy këto institucione janë nën kontrollin e plotë të kreut të qeverisë dhe kuptohet se nuk do t’u lejohet që të ngrenë zërin dhe as të ndërmarrin operacione kundër drogës.
Ministria e Brendshme ka dalë dje me një deklaratë kontradiktore në lidhje me mbjelljet e vendit me kanabis. Nga njëra anë thotë se ka evidentuar parcela të mbjella, nga ana tjetër thotë se nuk ka asnjë rrënjë kanabisi të mbjellë. Ministria e Brendshme thotë se ka pikasur vetëm dy zona ku po mbillet kanabis, ndërkohë që provat filimike që disponon “RD” tregojnë për një hartë më të gjerë të procesit të ri të kanabizimit.
Deklarata kontradiktore e Ministrisë: Edhe ka, edhe s’ka
Policia e Shtetit, në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga Plani i Veprimit për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2018, po zbaton me përgjegjshmëri të gjitha masat organizuese dhe operacionale në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët e huaj.
Në zbatim të këtyre masave në të gjithë vendin, që prej muajit Janar deri në fund të Majit, janë ushtruar kontrolle intensive për të parandaluar, evidentuar dhe goditur kultivimin e bimëve narkotike, si dhe për të çuar para drejtësisë autorët e kësaj veprimtarie antiligjore.
Që në krye të herës dua të theksoj, se rastet e konstatuara të kultivimit në këto 5 muaj të vitit 2018, janë 23 parcela me 2,579 bimë dhe 878 bimë të asgjësuara në kubikë.
Dhe për krahasim me vitin 2017, kur Shqipëria doli përfundimisht nga harta e vendeve problematike që kultivonin kanabis, janë 53 parcela më pak, ose rreth 21,500 bimë më pak të kultivuara.
Që nga ditët e para të vitit, Policia e Shtetit ka zhvilluar rreth 70 mijë kontrolle dhe ri-kontrolle masive të territorit, në ambiente të hapura, ish-objekte ushtarake, sera, magazina e shtëpi të braktisura.
Të gjitha grupet e kontrollit janë monitoruar nga drejtues të lartë policorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA).
Këtë vit, për një kontroll më të plotë të territorit kanë nisur më herët në kohë monitorimet ajrore nga Guarda di Finanza. Nga fillimi i Prillit deri sot janë kryer 29 misione fluturimi. Misioni ka hartuar 17 raporte monitorimi ajror, por nuk është konstatuar asnjë bimë narkotike e kultivuar.
Këto monitorime ajrore do të vijojnë deri në vjeshtë, duke zgjatur periudhën kohore të kontrollit të territorit.
Ditën e djeshme, në mbarë vendin, 220 grupe kontrolli të Policisë së Shtetit kanë ushtruar 3,590 kontrolle. Policia ka evidentuar 2 raste të kultivimit të narkotikëve, konkretisht 1 rast në pyllin e fshatit Nikël, Krujë me 23 bimë dhe 1 rast në fshatin Frashër, Përmet në një zonë të pyllëzuar ku u asgjësuan 1,800 bimë narkotike.
Në Përmet është arrestuar në flagrancë autori i dyshuar Sofokli Naqellari, 59 vjeç, banues në Frashër.
Që nga fillimi i vitit, janë arrestuar 13 autorë të dyshuar për kultivim, 6 shtetas janë në kërkim dhe 5 ndiqen në gjendje të lirë. Gjithashtu, Policia ka proceduar penalisht 4 persona, administratorë të Njësive Administrative dhe inspektorë të shërbimit pyjor, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”.
Në 15 raste, Policia ka zbuluar dhe sekuestruar rreth 21 mijë fara kanabis duke vënë para ligjit personat përgjegjës.