4 “bombat” e trajnerit të ri të Real Madridit

Real Madridi ende nuk ka një zëvendësues për Zidane, i cili e la “Bernabeu” me befasi të enjten, pavarësisht se ka një kontratë deri në vitin 2020. Por, kushdo që të zgjidhet tashmë për të vijuar punën e francezit, e di se do të gjejë disa çështje për t’u zgjidhur. Disa me rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e klubit, si zgjidhja e vazhdimësisë së Cristiano Ronaldos, ose vendosja e së ardhmes së Fareth Bale. Ne po paraqesim disa nga frontet e hapura, me të cilat trajneri i ri i Real Madridit do ta gjejë veten duke u përballuar menjëherë në kryeqytetin spanjoll.

Rasti i Ronaldos
Pa dyshim, “bomba” më e madhe për t’u çaktivizuar nga trajneri i ri. Cristiano Ronaldo (33 vjeç) e ngriu festën e titullit të 13-të në Ligën e Kampionëve, duke bërë një deklaratë distancuese nga klubi, direkt pas finales së Kievit: “Ishte shumë e bukur për të luajtur në Madrid… Në ditët e ardhshme do të jap një përgjigje për të ardhmen”.
Muaj më parë, portugezi iu përgjigj një shoku se nuk do të vijonte në Madrid. Zemërimi i Cristianos rrjedh nga premtimi i Florentino Perez për t’i siguruar një rritje page, pas përfundimit finales së vjetshme të Cardiff-it, por shumë muaj më vonë kjo nuk është realizuar.
CR7 kërkon jo më pak se rroga e Messit, si shenjë e rivalitetit maksimal që ekziston mes dy yjeve të La Liga-s në çdo drejtim. Përveç kësaj, angazhimet e vazhdueshme të presidentit të Real Madridit për të marrë Neymar (njëra prej tyre, gjatë garës së dorëzimit të “Topit të Artë” të pestë për Ronaldon) nuk kanë ndihmuar në përmirësimin e situatës.
Në klub nuk u pritën mirë deklaratat e “7”, të bëra në Kiev. “Nuk ishte koha”, – argumentojnë drejtuesit e bardhë. Ditën tjetër, në festimet për Champions-in e 13-të, tifozët dërguan një mesazh te Ronaldo dhe, rastësisht, te Florentino Perez. “Cristiano, qëndro!” – bërtiti “Bernabeu” dhe shokët e tij. Mjedisi i lojtarit e sheh sezonin e ardhshëm në Madrid, por njoftimi i largimit të Zidane e pengon më shumë vazhdimësinë e tij. Do të jetë detyra e trajnerit të ri për të ndihmuar në qetësimin e “tërmetit Ronaldo”.

E ardhmja e Bale
Ishte vetë Gareth Bale (28 vjeç), i cili zyrtarisht hyri në treg, sapo Real madridi fitoi Champions-in e 13-të. Ai argumentoi se dëshiron të luajë çdo javë, se ka nevojë për vazhdimësi: “Isha shumë i zhgënjyer, që nuk figurova formacionin startues të finales së Ligës së Kampionëve. Ndjeva se e meritoja. Duhet të luaj çdo fundjavë. Më duhet të ulem me përfaqësuesin tim për të folur. Ndoshta do të qëndroj, ndoshta jo…”
Uellsiani donte për të qëndruar te Real Madridi verën e kaluar, duke dashur t’i jepte drejtuesve dhe betes një shans të fundit, por gjatë muajve të kaluar në aktivitet, Zidane ia ka mohuar këtë mundësi, duke e lënë atë më shumë në stol. Ai nuk ishte startues në Champions, ndaj PSG-së, në ndeshjen e parë kundër Juventusit, kundër Bayern Munich, as në në finalen kundër Liverpool. Por Bale, tani, sheh qiellin e hapur me dorëheqjen e Zidane dhe ardhjen e një trajneri të ri. Bale është i mbrojtur nga presidenti Florentino Perez dhe ky ndryshim i skenës është era në favor të vazhdimësisë së tij në Madrid.

Porta
Porta është subjekt i një debati të vazhdueshëm në Madrid, që kur Iker Casillas u largua në vitin 2015. Real Madrid shkoi afër nënshkrimit me De Gea, por disa dokumenta transferimi nuk arritën në kohë për TMS (Transfer Matching System). Në ditën e fundit të merkatos, operacioni mbeti në tentativë, duke mos u zyrtarizuar. Portieri spanjoll përfundoi duke mbetur në Manchester dhe Keylor mbeti në Madrid. Por, pavarësisht nga aftësia pritëse e portierit aktual të bardhë, klubi e sheh ende me dyshim.
Prandaj, Real Madridi është në kërkim të një portieri tjetër: De Gea, Courtois, Leno… Merkaton e fundit, në dimër, Real Madridi deshi të nënshkruante me Kepa Arrizabalaga, por Zidane refuzoi. “Nuk kam nevojë për një portier”, tha ish-trajneri, i cili kurrë nuk e konsideronte ardhjen e një portieri si prioritet. Tani do të jetë detyra e trajnerit të ri të ulet me klubin dhe të vendosë nëse do ta forcojë këtë pozicion, apo jo.

Neymar, nënshkrimi i një “9”…
Rënia e Real Madridit në La Liga dhe eliminimi në Kupën e Mbretit e çoi klubin në përfundimin se në verë duhet të ndërmerret një reformë të skuadrës. Fiton apo jo Ligën e Kampionëve. Dhe operacioni, që klubi kishte menduar për ta drejtuar Zidane, bie pjesërisht mbi supet e trajnerit të ri. Janë vendime të rëndësishme për të ardhmen e skuadrës: nënshkrimi i Neymar, debati mbi nevojën nëse duhet apo jo për të nënshkruar me një “9” si garanci konkurrence për Benzema, vendimmarrja për Ceballos (nënshkroi verën e kaluar për 16.5 milionë euro dhe shihet si një nga shpresat e mëdha të futbollit spanjoll, por Zidane nuk kishte besim tek ai), zgjidhja e të ardhmes së yjeve të rinj (Vinicius Raul de Tomas, Odegaard…)

Artikulli paraprakPse po survejohet Kryetari i Partisë më të madhe të opozitës nga hetuesi i diktaturës, Xhafa?
Artikulli tjetërJuventus, refuzohet oferta 80 milionë euro për mesfushorin