Të rinjtë e dronit mbi Ramën, flet Picari: “Si na arrestuan”

Zekri Picari, njëri nga tre të rinjtë e FRPD në Vlorë që ngritën dronin me një banderolë mbi podiumin ku po fliste Rama në Orikum ditën e martë flet për gazetën “Rilindja Demokratike” se si ai dhe dy shokët e tij Fatjon Bathorja e Klaus Shaqiri u shoqëruan në Komisariatin e Policisë.
Në banderolën që u valvit me dron mbi kokën e Ramës shkruhej: “Mjaft i zgjodhi mafia dhe droga deputetët dhe ministrat. Të zgjedhë ndonjë dhe Populli”.
Rama teksa ka parë dronin me parullën gjigante e ka humbur toruan para të pranishmëve. Menjëherë janë njoftuar forcat e policisë, të cilat kanë shkuar në vendin ku të rinjtë e FRPD komandonin dronin. Policia e Vlorës ka shoqëruar tre të rinjtë që ngritën dronin me banderolën mbi podiumin e Ramës. Tre të rinjtë Zekri Picari, anëtar Këshilli Kombëtar të PD, Fatjon Bathorja, anëtar Kryesie FRPD dhe Klaus Shaqiri, kryetar FRPD Dega 10 janë mbajtur për rreth një orë në Komisariat dhe më pas janë lënë të lirë.
Në një intervistë për gazetën “RD”, Picari shprehet se, në momentin që banderola ka qëndruar mbi kokën e kryeministrit Rama, policë civilë dhe me iuniformë i kanë dërguar në Komisariatin e Policisë dhe kanë ushtruar terror psikologjik, si dhe kërcënime të ndryshme, duke u shprehur: “Do ta shikoni mirë ju”, “Jua tregojmë ne”, “U bëtë ju”, “S’do dilni nga Vlora”, etj. 2
-Zoti, Picari ju jeni njëri nga tre të rinjtë që komanduat dronin me banderolën mbi podiumin e kryeministrit, a mund të na thoni si ndodhi ngjarja?
Në kuadër të protestave që FRPD po organizon këto ditë, na lindi ideja për një protestë ndryshe me simbolikë të fortë.
Bashkë me Fatjonin dhe Klausin u nisëm për Vlorë, pasi kishim konfirmuar që do të ishte Kryministri në një aktivitet bashkë më ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Në aktivitetin që po zhvillohej ishin të pranishëm jashtëzakonisht shumë forca sigurie, Policia e Shtetit dhe Garda. Sapo filloi aktiviteti bëmë gati dronin, i vendosëm banderolën dhe e nisëm drejt godinës ku po zhvillohej aktiviteti.
Në momentin që droni me banderolën arriti në destinacion, menjëherë filluan lëvizjet e Policisë dhe Gardës. Unë me telekomandën isha i ulur diku 300 m larg vendit që po zhvillohej aktiviteti.
Pas disa minutash që e mbajta dronin, duke fluturuar bashkë me banderolën, shikoj disa motorë dhe makina private që po vinin drejt nesh.
Pranë meje afrohet një polic i Njësisë Shqiponja, i cili me tërheq telekomandën nga dora, duke më shtyrë me forcë, por pas një debati të ashpër arrij që ta rimarr telekomandën për të ulur dronin që mos të kishte rrezik për njerëzit.
Në një kohë shumë të shpejtë, arrijnë edhe shumë të tjerë me uniformë policie, pa uniformë policie, disa makina private dhe policie (të paktën më shumë se 25 persona).
-Pse ju ndaloi policia?
Në një rrëmujë të madhe dhe pas dhunës fizike dhe presionit psikologjik që po na ushtronin personat pa uniformë policie (të cilat janë publikuar në media) arrin dhe shefi i Komisariatit të Vlorës.
Pas disa minutash diskutimi me shefin e komisariatit me të cilin po bisedonim na tha që duhet të shoqërohemi në komisariat për të sqaruar ngjarjen.

-Çfarë ndodhi më pas dhe a u ushtrua presion ndaj jush?
Në momentin që po na shoqëronin, shumë persona, të cilët ishin pa uniformë na filmonin dhe na bënin foto. Absurditeti ishte që po këta persona ushtronin dhunë psikologjike ndaj nesh, por edhe kërcënime të ndryshme, duke u shprehur: “Do ta shikoni mirë ju”, “Jua tregojmë ne”, “U bëtë ju”, “S’do dilni nga Vlora”, etj.
Ndërsa ne nuk na lejonin që të filmonim. Klaus Shaqiri ishte duke bërë video dhe përdorën dhunë, duke e tërhequr me forcë për ta shoqëruar në makinë.
-Si përfundoi e gjithë situata?
Në momentet që po shoqëroheshim në makinë (që nuk ishte makinë policie) më morën të dhënat personale, kartën e identitetit dhe një numër kontakti.
Pas disa telefonatash që shefi i komisariatit bëri, ndoshta me eprorët e tij, na lanë të lirë të shkonim.
-A do të vazhdoni protestat kundër qeverisë?
Unë kam që në kohën që ky kryeministër dhe kjo qeveri kanë ardhur në pushtet që protestoj, dhe nuk do të ndalem deri në momentin që kjo qeveri të largohet.
Pavarësisht presioneve, arrestimeve të tjera që kam pasur, por edhe kërcënimeve nuk do të tërhiqem për asnjë moment kundër kësaj qeverie që mbahet në pushtet nga krimi dhe droga.
Do të vazhdoj të protestoj në të gjitha format dhe mënyrat demokratike, deri në momentin që të largohet kjo qeveri dhe të mos largohen të rinjtë, të cilit po ikin dita ditës nga Shqipëria.
Njëkohësisht dua t’ju bëj thirrje të gjithë të rinjve që mos të kenë frikë të protestojnë, por të kenë guxim sot që nesër të jetojnë më mirë në këtë vend.

3

Artikulli paraprakProkurorët: Ja pse Apeli duhet të burgosë Tahirin
Artikulli tjetërFamilja “Rama”, me tre banka në 5 vjet!