Një Kluivert për Serie A, Roma rrëmben talentin e Ajaksit

Klubi verdhekuq i kryeqytetit italian ka arritur akordin edhe me Ajaksin e Amsterdamit për të përmbyllur me sukses transferimin e talentit holandez në Itali, për një shumë prej 20 milionë eurosh “cash” dhe 5 mln në formën e bonuseve. Nuk është Patrick, por djali i tij Justin, dhe as Milani, por Roma.
Me lojtarin vet, Roma e kishte arritur më parë marrëveshjen, të cilit i ka ofruar një kontratë 5-vjeçare me 2 milionë euro në sezon.
Megjithatë, drejtori sportiv i Romës duket se nuk do të ndalet me kaq. Monchi ka hedhur sytë edhe nga mesfushori Hakim Ziyech, gjithashtu një lojtar i Ajaksit. Deri më tani, Roma ka afruar 4 lojtarë, Çoriç, Marcano, Cristante dhe së fundi Kluivert.
Djali i të famshmit Patrick Kluivert, i lindur në vitin 1999, konsiderohet si një talent që premton shumë në të ardhmen. Por, një detaj mbetet gjithashtu për t’u theksuar.
Afrimi i Justin nga Ajaksi është bërë përmes ndërmjetësimit të agjentit më të famshëm e më kontrovers të futbollistëve, Mino Raiola, i cili do të përfitojë 4 mln euro vetëm sepse është “pronar” i 20 për qind të kartonit të talentit holandez.
Kluivert pritet të zbresë në kryeqytet gjatë fundjavës për të kryer vizitat mjekësore dhe për të hedhur firmën mbi kontratë.

Artikulli paraprakAtalanta nxjerr në merkato Etrit Berishën, ja sa kushton portieri i Kombëtares
Artikulli tjetërRonaldo, i padëshiruar nga Morinjo tek Manchester United