Ronaldo, i padëshiruar nga Morinjo tek Manchester United

José Mourinho dhe Manchester United kanë përparësi të qarta, nëse ata mund të arrijnë një nënshkrim nga grupi aktual i Real Madridit këtë verë. Sipas “Manchester Evening News”, zyrat e “Old Trafford” do t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre në marrjen e Gareth Bale, para se të tentojnë kthimin, nëntë vjet më vonë, të Cristiano Ronaldos.
Kthimi i portugezit është dëshira e shumëpritur e zëvendëspresidentit të “Djajve të Kuq”, Ed Woodward, por José Mourinho do të preferonte që radhët e të tijve të përforcoheshin me shtimin e Bale. Trajneri portugez konsideron se Lukaku e mbulon mirë pozicionin e qendrës së sulmit, në të cilin Cristiano Ronaldo është duke luajtur kohët e fundit, ndërsa uellsiani do të mbulojë nevojat e përforcimit të sulmit në krahë.
Bale ishte në radarin e Manchester United edhe verën e kaluar, por klubi anglez hoqi dorë nga përpjekjet, teksa në Superkupën Europiane uellasiani shprehu vullnetin e tij për të qëndruar në Madrid. Tani, situata është shumë e ndryshme, sepse, pas fitimit të Champions-it të 13-të, lojtari shprehu në Kiev dëshirën për të shijuar më shumë minuta aktivizim dhe për të lënë të ardhmen e tij në ajër.
“Isha i zhgënjyer që nuk isha titullar, ndjeva se e meritoja. Unë dua të luaj çdo fundjavë, diçka që nuk ka ndodhur këtë sezon. Pra, duhet të ulem me përfaqësuesin tim për të folur”, tha Bale. Manchester United, gjithashtu, do të ndjekë Willian të Chelsea, por arritja e Bale do të ketë një ndikim më të madh komercial në llogaritë e “Old Trafford” dhe, siç thekson “Manchester Evening News”, do të ndikonte shumë në çmimin e aksioneve të klubit në “Wall Street”.
Sipas gazetës në fjalë, transferimi i Bale do të vlerësohej rreth 114 milionë euro. Në vitin 2013, uellsiani la Anglinë për Real Madridin, pasi mbretërorët spanjollë i paguan Tottenham 101 milionë euro për nënshkrimin e tij. Një shumë që në atë kohë e bëri atë futbollistin më të shtrenjtë në histori, edhe pse Real Madridi e zvogëloi atë për të mos e mërzitur Cristiano Ronaldon.
Bale aktualisht vlerësohet me një vlerë tregu prej 73.6 milionë euro, sipas “CIES Football Observatory”. Ai është rivlerësuar me 10% këtë sezon. Cristiano Ronaldo, në anën tjetër, vlerësohet me 103 milionë euro, 8% më pak se dymbëdhjetë muaj më parë.

Artikulli paraprakNjë Kluivert për Serie A, Roma rrëmben talentin e Ajaksit
Artikulli tjetërDenoncimi: Vëllai i deputetit të PS, drejtor në Port, fik radarët për trafikantët e drogës