Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka reaguar pas akuzave të djeshme të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për gjyqtarin Arjan Aliaj. Gati në të njëjtin qëndrim me Unionin e Gjyqtarëve të Shqipërisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e quan deklaratën e Tahirit fyese dhe denigruese dhe se cenon pavarësinë dhe integritetin e gjykatës dhe gjyqtarit. “Deklarata e ministrit të Brendshëm Tahiri sot, më dt. 08.06.2016, i cili fyen dhe denigron gjyqtarin Arjan Aliaj vetëm se ky gjyqtar në ushtrim të funksioneve dhe detyrimeve të tij ligjore dhe kushtetuese ka pranuar kërkesën e cituar më lart të organit të Prokurorisë përbën cenim të pavarësisë dhe integritetit të gjykatës dhe gjyqtarit. Gjyqtari Arjan Aliaj është rikthyer në funksionin e gjyqtarit në këtë gjykatë me vendimin Nr. 256, dt. 02.12.2009 në zbatim të vendimit Nr. 11, dt. 02.04.2003 të Gjykatës Kushtetuese të RSH. Qasje të tilla denigruese dhe retorika negative ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit në përgjithësi dëmtojnë rëndë imazhin e gjyqësorit dhe nuk i shërbejnë rritjes së besimit të publikut tek gjykatat, forcimit të pavarësisë së gjykatave, forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Një nga parimet themelore të funksionimit të shtetit të së drejtës është sanksionuar dhe në Kushtetutën e RSH, neni 145 sipas të cilit: “Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjyqtarëve passjell përgjegjësi sipas ligjit”. Çdo sulm i kësaj natyre është tejet shqetësues, përbën intimidim të trupës gjyqësore dhe ndërhyrje në procesin e rregullt ligjor, si dhe shkelje të vetë detyrimeve ligjore e kushtetuese të funksionarëve të lartë shtetërorë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe gjyqtarët e saj janë të vendosur për zbatimin e ligjit dhe të angazhuar për shtetin ligjor në Shqipëri. Kjo gjykatë në mënyrë të vazhdueshme ka mbështetur iniciativën për një reformë pozitive në gjyqësor dhe vazhdon të kontribuojë për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Duke shprehur vendosmërinë dhe angazhimin tonë të plotë për sundimin e ligjit dhe një proces të rregullt ligjor, bëjmë thirrje për të shmangur çdo qëndrim paragjykues dhe denigrues ndaj këtij procesi, gjyqtarit konkret dhe punës e misionit të gjykatës në përgjithësi”.
Kryesore
Continue to the categoryParadoksi i Ramës në takimet me diasporën
Gjatë 11 viteve të qeverisjes së Edi Ramës, sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria ka përjetuar eksodin masiv më të madh të popullsisë, duke regjistruar...